Frank Shkreli: Shën Jeronimi nga Iliria antike dhe çfarë ka të bejë emri i tij me Organizatën e Kombeve të Bashkuara

232
Sigal

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

“Parce mihi, domine, quia dalmata sum!” – Më fal o Zot se kam ndodhur dalmat – fis illirian që citohet të jetë shprehur në latinisht, Shën Jeronimi (347- 420), i lindur në qytetin Stridon të Ilirisë, që duhet të ketë ekzistuar diku në territorin e Kroacisë ose Sllovenisë së sotme. Kush është ky bir i Ilirisë antike dhe pse e përdor emrin e tij Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) sot, pothuaj, 17-shekuj më vonë?

Kësaj pyetjeje i përgjigjet Dom Lush Gjergji në librin e tij, “Shën Jeronimi Ilir”:  “Shën Jeronimi ilir është një ndër kolosët e mëdhenj fetar, shpirtëror, kulturor, biblik, patristik, që e pranojnë dhe nderojnë jo vetëm të gjithë të krishterët, por mbarë njerëzimi, si shenjt dhe dijetar të madh, një ndër doktorët dhe etërit e Kishës më të spikatur të kohës së tij, “egregius doctor Eçlesiae” – doktor i shkëlqyeshëm i Kishës, së bashku me Shën Ambrozin (330-297) dhe Shën Augustinin (354-430). Ai ishte njeri i dijes dhe kulturës, por edhe i studimit, uratës, pendesës, jetës së rreptë asketike duke luftuar kundër mëkatit, veseve, epsheve, pothuaj gjithnjë në kërkim të përsosmërisë dhe shenjtërisë.

Këto arsye, por edhe shumë të tjera, sidomos në 1600 – vjetorin e vdekjes së tij, ai vjen tek ne dhe ndër ne me shumë porosi dhe aktualitete, si njeri i Provanisë dhe historisë tonë të lashtë martire dhe biblike, “vegël” e Zotit, për t’ia dhënë mbarë njerëzimit Biblën, nëpërmjet “Vulgatës”, përthimit të shkëlqyeshëm në gjuhën latine, me shekuj si burim jete dhe frymëzimi për fe, traditë, kulturë dhe qytetërim evropian dhe botëror”,- ka shkruar Dom Lush Gjergji, i njohur tanimë në botën shqiptare dhe më gjerë si biografi i Nënë Terezës, autor i dyzina librash mbi jetën dhe veprimtarinë e Shën Nënë Terezës shqiptare, në gjuhën shqipe dhe të përkthyera në gjuhë të tjera, përfshirë anglisht. Dom Lush Gjergji është autor edhe i shumë veprave të tjera letrare, përkthimesh, botimesh teologjike dhe subjektesh të tjera.

Por le t’i kthehemi subjektit të këtij shkrimi modest, protagonistit kryesor, Shën Jeronimit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkthyesve botërorë – ditë që shënohet nga Kombet e Bashkuara me 30 Shtator, ndonëse pak me vonesë – datë kjo që Kisha Katolike Universale shënon gjithashtu edhe Festën e Shën Jeronimit – Ilirit të vet-shpallur.

Dita Ndërkombëtare e Përkthyesve është caktuar si e tillë me anë të një rezolute nga Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me 24 Maj, 2017 për të nderuar rolin e përkthyesve dhe profesionistëve gjuhësorë, të cilët me punën e tyre, bashkojnë kombet, përforcojnë paqën, mirëkuptimin dhe zhvillimin midis vendeve, gjuhëve dhe kulturave të ndryshme. Asamblea e Përgjithshme e OKB-së e ka parë të arsyeshme që Dita Ndërkombëtare e Përkthyesve të jetë, pikërisht, 30-shtatori, dita kur, sipas kalendarit kishtar, shënohet festa e Shën Jeronimit, përkthyesit të Biblës, që si i tillë konsiderohet edhe mbrojtësi i përkthyesve.  Bibla është libri që është përkthyer në mbi 2-mijë gjuhë botërore, nga gjuhët e vjetra hebraishtja, armaishtja dhe greqishtja. Shën Jeronimi-Ilir e ka përkthyer Biblën në latinisht dhe në greqisht.

Përkthyesit e Kombeve të Bashkuara në kabinat e tyre gjatë një debati brenda Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Organizata e Kombeve të Bashkuara është organizata, e cila punëson numrin më të madh të përkthyesve dhe profesionistëve gjuhësorë në botë. PHOTO: UN/Manuel Elias

30 shtatori është dita liturgjike e festës së Shën Jeronimit. Kjo është arsyeja që OKB-ja ka caktuar, pikërisht, këtë ditë si Ditën Ndërkombëtare të Përkthyesve, në nder të Shënjtit të madh me origjinë ilire, i cili i ka dhënë botës perëndimore përkthimin e parë të Biblës në latinisht dhe në shenjë respekti për të gjithë përkthyesit, anë e mbanë botës, për rolin e tyre lehtësimin e komunikimit midis popujve dhe njeriut me njeri. Tema e Ditës Ndërkombëtare të Përkthyesve 30-shtator 2022, ishte “Një botë pa pengesa” (A world without barriers)

Sipas Kombeve të Bashkuara, Dita Ndërkombëtare e Përkthyesve është një mundësi që, të pakën njëherë në vit, të nderohet puna e përkthyesve dhe e të gjithë profesionistëve gjuhësorë, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në komunikimin midis popujve dhe kombeve, duke lehtësuar dialogun, bashkëpunimin dhe zhvillimin, ndërkohë që me punën e tyre ata kontribojnë për forcimin e paqës dhe sigurisë në botë.

Është interesant fakti që Organizata e Kombeve të Bashkuara ka vendosur që në këtë Ditë Ndërkombëtare të kujtohet çdo vit, pikërisht, Shën Jeronimi, një prift katolik, me origjinë iliro-shqiptare – si simbol dhe shembull i një profesioni – përkthyes i Biblës pothuaj 17 shekuj më pare; për brezat e rinj të përkthyesve sot, punën e të cilëve, OKB-ja e cilëson, si një vlerë themelore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

 

PS- një shkrim i para disa viteve për autorin dhe përkthimin e parë nga teksti origjinal  i Biblës, Beslidhjes së Re, në gjuhën shqipe.

Frank SHKRELI/ Dom Simon Filipaj: “Shqiptarë, flisni shqip me Zotin!” | Gazeta Telegraf