Frank SHKRELI/ Dom Simon Filipaj: “Shqiptarë, flisni shqip me Zotin!”

718
Sigal

15-vjet më parë ndërroi jetë Dom Simon Filipaj, përkthyesit të Biblës në gjuhën shqipe dhe njëri prej viganëve të kulturës shqiptare. Me 2 shtator 2014, në Kishën Shëngjergj, të fshatit me të njëjtin emër në rrethin e Ulqinit, u shënua ky 15-vjetor i ndarjes së tij nga kjo jetë me zbulimin e përmendores, kushtuar këtij vigani të madh të Kishës Katolike dhe të letrave shqipe.  Sipas një raporti nga korrespondenti i Zërit të Amerikës në Ulqin, Ali Salaj, në  meshën përkujtimore dhe në ceremoninë e zbulimit të përmendores, morën pjesë autoritete fetare dhe veprimtarë të artit e të kulturës nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan. Ndërtimi i shtatores së Dom Simon Filipaj u financua nga fondacioni i shqiptarëve të atyre trevave, por me banim në New York- me anëtarë të fesë katolike dhe myslimane, i cili mban emrin e tij dhe që quhet, “Fondacioni Dom Simon Filipaj”. Ky fondacion është i njohur në diasporë dhe ato anë, për ndihmën humanitare që ka dërguar, sidomos për ndihmën shëndetësore, arsimore dhe humanitare për të gjithë shqiptarët pa dallim të anës së Ulqinit. Ndaj nuk është për t’u habitur që ky fondacion kishte ndërmarrë një iniciativë të tillë për ndërtimin e një monumenti kushtuar këtij burri të madh të botës shqiptare, duke përjetësuar kujtimin dhe kontributin tepër të çmueshëm të tij në lëmin e gjuhës shqipe-  të kësaj gjuhe që konsiderohet si ndër tri më të vjetrat në botë, sipas një raporti të kohëve të fundit në gazetën amerikane Nju Jork Tajms – dhe  për kontributin e Dom Simonit në historinë dhe kulturën mijëra vjeçare të kombit shqiptar.  Përmendorja e punuar nga skulptori shqiptar Kreshnik Gjika është vendosur në oborrin e Kishës Shën Gjergj, aty ku Dom Simon Filipaj kishte shërbyer për 30 vjet si famullitar dhe ku kishte punuar  me vite në përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe. Unë kam nderin të rrëfej për lexuesin se ashtu si shumë bashkëkohës të mi nga ana e Ulqinit, Kisha e Shën Gjergjit ishte kisha, ku jam pagëzuar dhe ku në moshë tepër të re, kam marrë njohuritë e para fetare dhe atdhetare, para se të nisesha për në gjimnazin klasik në Kroaci, me rekomandimin, me ndihmën dhe me mbështetjen e fortë të famullitarit tim, Dom Simon Filipaj.

 Me rastin e inaugurimit të  shtatores së Dom Simon Flipiaj, famullitari i tanishëm i kishës Shën Gjergj, Dom Gabriel Grabanica i tha Zërit të Amerikës se me zbulimin e shtatores së Dom Simon Filipaj, Shën Gjergjit po i kthehet zëri dhe po i  kthehet gëzimi dhe shtoi se ky manifestim që u ndihmua nga shqiptarët e Amerikës, sipas tij,  është një festë jo vetëm shqiptarët në Mal të Zi, por edhe për shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe në diasporë.  Ndërsa, përfaqësuesi i Fondacionit, “Dom Simon Filipaj” me qendër të Nju Jork, Tomë Dedë Shkreli, që kishte shkuar atje për këtë qëllim,tha me këtë rast se ishte fondacioni ai që mori iniciativën për ndërtimin e një përmendoreje të Dom Simonit, por kontribuuesit për financimin e këtij projekti janë të gjithë shqiptarët e diasporës së Nju Jorkut pa dallim. Tomë Dedë Shkreli, i cili së bashku me Arkipeshkvin e Tivarit, Zef Gashi, zbuloi përmendoren, i tha Zërit të Amerikës se Dom Simon Filipaj, me veprën e tij, u ka lënë amanet të gjithë shqiptarëve që “të luten dhe të flasin shqip me Zotin”.  Ndërsa Dom Nikë Gjini, një pasardhës i Dom Simonit Filipaj në atë famulli, e cilësoi përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe nga  Dom Simoni, si një dhuratë të shqiptarëve për kulturën botërore. Merita e përkthimit dhe e botimit të Biblës (Besëlidhjes së Re) nga Dom Simon Filipaj është vlerësuar jo vetëm nga autoritetet kishtare, por edhe nga studiues, letrarë dhe historianë. Dom Simon Filipaj e ndërmori këtë iniciativë më shumë se 30 vjet më parë, në kulmin e luftës së ftohtë, kur përpjekjet e sanksionuara nga regjimet komuniste të kohës, si në ish -Jugosllavinë komuniste, ashtu edhe në Shqipërinë enveriste kishin arritur kulmin për të shtrembëruar dhe për të zhdukur nga faqja e dheut historinë fetare, letrare dhe politike të kombit shqiptar. Ishte një periudhë fatzezë padrejtësish dhe mohimesh të kontributit të klerit katolik në historinë dhe kulturën e kombit shqiptar.  Regjimi komunist i Enver Hoxhës, fillimisht i nxitur nga urdhrat e komunistëve jugosllavë, për të eliminuar klerin katolik shqiptar, ndërmori një fushatë të hatashme për zhdukjen fizikisht dhe moralisht të veprave  të klerit katolik shqiptar, pa të cilat as nuk mund të merret me mend ruajtja e gjuhës dhe e kulturës shqiptare. Si të tilla, këto përpjekje ishin një dhunim dhe cenim i pafalshëm i së vërtetës historike ndër shqiptarët. Ndaj, siç shkruan edhe Prof. Dr. Ardian Marashi me rastin e Seminarit të mbajtur nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë, më 2011,  Dom Simon Filipaj punoi dhe veproi gjatë një periudhe shumë të vështirë vuajtjesh, ankthi dhe pasigurie për ‘të. Prof.  Marashi thotë se gjatë gjithë periudhës krijuese të Dom Simon Filipaj, Shqipëria gjendej e izoluar nën diktaturën komuniste, ndërsa shqiptarët e Kosovës dhe të Malit të Zi  gjendeshin përballë shtypjeve dhe përndjekjeve të egra të regjimit komunist të Beogradit. Por megjithë këto kushte të vështira, pohon, Profesor Marashi, Dom Simon Filipaj, ashtu si edhe para-ardhësit e tij të shquar, të cilët i cilëson si, “Heronjtë e Librit”, nuk u përkul, por arriti për here të parë në kulturën mijavjeçare  të kombit shqiptar, ta sjellë të plotë në shqip fjalën e mirë të Librit të Shenjtë. (Për ata që duan të mësojnë më shumë për Dom Simon Filipaj dhe veprën e tij  dhe për kontributin ndaj kulturës dhe letërsisë shqiptare, libri “Bibla Shqip dhe Filipaj”, (Botuar nga Enti Botues “Gjergj Fishta”, Lezhë) është një burim i shkëlqyeshëm studimesh, nga një numër i madh shkencëtarësh e studiuesish të feve të ndryshme nga të gjitha trojet shqiptare, gjë që vë në dukje edhe ekumenizmin dhe “shpirtin përbashkues” të Dom Simonit, njërit prej “Heronjve të Librit”, nga kontribuues dhe studiues të njohur nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Italia.)

 Dom Simon Filipaj është njëri nga ata klerikë që fatbardhësisht i shpëtoi kësaj “kuçedre” të pa shpirt, të paidentitet kombëtar dhe të pa kulturë – për t’u radhitur me më të mëdhenjtë klerikë të kombit dhe të kulturës shqiptare, përfshirë Dom Gjon Buzukun, imzot Pjetër Budin, imzot Frang Bardhin, imzot Pjetër Bogdanin, Konstandin Kristoforidhin, imzot Fan Noli, At’ Gjergj Fishtën, e shumë e shumë të tjerë. Përkthimi i Biblës në gjuhën shqipe nga Dom Simon Filipaj, i pari në historinë 2000-vjeçare, është një përpjekje e jashtëzakonshme, megjithëse, me shumë mund e travaje dhe nën rrethana jashtëzakonisht të vështira siç ka thënë edhe ai vet- për të lavdëruar gjuhën shqipe dhe për të ruajtur si sytë e ballit gjuhën, virtytet dhe traditat autoktone të kulturës dhe të identitetit të racës së lashtë mija vjeçare të kombit shqiptar. Nuk është për t’u habitur atëherë, kur Dom Simon Filipaj, ua kushtonte veprën e tij madhështore, kujtimit të përhershëm të Buzukut, të Matrengës, të Budit, të Bardhit, të Bogdanit dhe të mbarë klerit katolik shqiptar, që me dashuri të patregueshme ia kushtuan – Fjalës së Hyut dhe ngritjes së Kombit -dijen, pendën dhe jetën

Për t’u nderuar dhe për t’u ruajtur trashëgimia e Dom Simon Filipajt, përveç monumentit madhështor ndërtuar në oborrin e famullisë ku shërbeu për 30 vjet  dhe ku përktheu veprën e tij kolosale, intelektualë shqiptarë të dy feve të rrethit të Ulqinit, kanë themeluar më shumë se një dekadë më parë Shoqatën e Intelektualëve Shqiptarë, “Dom Simon Filipaj”, që ka për qëllim ruajtjen e trashëgimisë së kësaj figure të shquar të Kishës dhe kombit shqiptar. Ndërsa Fondacioni, “Dom Simon Filipaj” në Nju Jork, e cila inicioi dhe e cila me ndihmën e bashkatdhetarëve të zonës së Ulqinit, financoi ngritjen e shtatores së Dom Simonit në Shëngjergj, përjetësoi kujtimin e tij dhe mban gjallë kujtesën e Dom Simonit me vepra humanitare duke ndihmuar herë pas here familjet më të varfra atje, por jo vetëm kaq.  Është pra figura e Dom Simon Filipaj ajo që është nderuar dhe po nderohet jo vetëm nga shqiptarët nën Malin e Zi dhe nga diaspora shqiptare në Amerikë, por edhe nga Kisha Katolike, e cila e ka nderuar atë me tituj të ndryshëm nderi për kontributin e tij, por Dom Simoni është dekoruar edhe me Urdhrin “Naim Frashëri”, nga ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Alfred Moisiu.

E gjithë kjo veprimtari, tani dhe gjatë viteve përfshirë edhe ndërtimin e përmendores në Shëngjergj të Ulqinit, përveçse nderon Dom Simon Filipaj, ajo sipas vëllait të tij Dedë Ndoc Filipaj, i cili duke falënderuar Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë për organizimin e seminarit kushtuar veprës së vëllait të tij më 2010,është shprehur se të gjitha kujtime çojnë në vend edhe porosinë e madhe që na la Dom Simon Filipaj, kështë që fjala e Zotit të vrapojë, të shtjellohet e të sqarohet, të lexohet me atë dashuri me të cilën u përkthye prej tij, gjithmonë në nder dhe bekim të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Nga Frank Shkreli

 

 

 ——————————————————————————————————-

Për qëllime historike, ishte Zëri i Amerikës i pari medium që njoftoi botën e atëhershme të censuruar shqiptare për botimin e biblës të Dom Simon Filipaj, më shumë se 30 vjet më parë.  Të interesuarit mund të ndjekin raportin e VOA-s, transmetuar botës shqiptare pothuaj 35 vjet  më parë.

———————————————————————————————————–

Me 1980, unë isha i punësuar në seksionin shqip të Zërit të Amerikës, dhe nuk më kujtohet se si në atë kohë më ra në dorë një kopje e ‘’Besëlidhjes së Re’’, të posa botuar, por më kujtohet mirë gëzimi me të cilin e priti stafi i vogël i atëhershëm i seksionit shqip të VOA-s, pasi në atë kohë, pothuaj as nuk merrnin botime as libra nga trojet shqiptare në Ballkan.  Pasi me krenari u thashë kolegëve se përkthyesin e Besëlidhjes së Re, Dom Simon Filipaj e njihja mirë, ndonëse ai kishte qenë famullitari i im në Shën Gjergj të Bregut të Bunës, dhe  si seminarist në moshë të re, përpiqej të më inkurajonte dhe të më frymëzonte për ndjekjen e studimeve dhe për dashurinë për gjuhën, kulturën dhe traditat e kombit tonë.  Me të marrë vesh për njohurinë time me Dom Simon Filipaj,  shefi i atëhershëm i seksionit shqip të Zërit të Amerikës, Talat Karagjozi nga Gjirokastra më kërkoi që të përgatisja disa shënime të shkurtra mbi këtë botim të ri për dëgjuesit e Zërit të Amerikës, pasi falë censurës së atëhershme, pothuaj askush, me përjashtim të disa qarqeve kishtare, nuk kishte dëgjuar as lexuar për ‘’Besëlidhjen e Re’’  të posa botuar në gjuhën shqipe.   Unë, me kënaqësi iu përgjigja kërkesës së shefit tim dhe Zëri i Amerikës transmetoi lajmin përkthimin dhe botimin shqip të Biblës nga Dom Simon Filipaj:

PARAQITJA: ”Kohët e fundit na ra në dorë Besëlidhja e Re, ose Testamenti i Ri i Biblës, i përkthyer shqip nga prifti katolik shqiptar i Arkipeshkvisë së Tivarit, i Përndershmi Dom Simon Filipaj, famullitar i Kishës Shën Gjergji, në Bregun e Bunës afër Ulqinit.  Mbi këtë vepër të madhe të përkthyer shqip, ju sjellim disa shënime të përgatitura nga bashkëpuëntori i Zërit të Amerikës, z. Frank  Shkreli.

 RAPORTI: Këshilli i Dytë i Vatikanit me nxitjen dhe largpamjen e Papës Gjonit të 23-të vendosi që Dhjata e Re, ose Besëlidhja e Re të përkthehet në gjuhë të ndryshme të botës për t’ua bërë të mundur dhe më të lehtë besimtarëve leximin e Shkrimit të Shënjtë.  Menjëherë pas Këshillit të Dytë të Vatikanit, në fillim të 1960-ave, dukej se ishte një gjë e pamundur që porosia dhe dëshira e Kishës të zbatohej për të përkthyer Dhjatën e Re  në gjuhën shqipe.  Përkthimi i Besëlidhjes së Re në gjuhën e sotme shqipe nuk është përkthimi i parë e shpresojmë as i fundit i të Përndershmit Dom Simon Filipaj.Përveç kësaj vepre, ndër përkthimet biblike të Përndershmit Filipaj përfshihen edhe librat liturgjikë, një seri lutjesh e leximesh bibliko-liturgjike, Katekizmi i Vogël, Bibla e Ilustruar për të Rinjtë dhe Ungjilli i Shën Mateut.

 Pa dashur tua ulim vlerën veprave të lartpërmendura, mund të thuhet lirisht se me veprën madhështore që ka bërë me përkthimin  e  “Besëlidhjes së Re” në gjuhën e sotme shqipe, Dom Simon Filipaj pasuroi kulturën dhe letërsinë e kombit  shqiptar, gjë që sipas arkipeshkvit të Tivarit, Imzot Pjetër Përkolaj dhe Ipeshkvit të Ferizajt, Imzot Nik Prëla,  vepra e Dom Simonit është një traditë që filloi me Formulën e Pagëzimit dhe e cila , në të njëjtën kohë ripërtërirë traditat e larta dhe të lashta dymijë vjeçare, kur trevat shqiptare hynë në tekstin e  Shkrimit të Shenjtë, e ku citohen fjalët e Shën Palit apostull, i cili thotë vetë se ai predikoi në Iliri.  Sipas Biblës, Shën Pali ka thënë këto: “Ashtu e kreva plotësisht detyrën time të predikimit të lajmit të gëzueshëm mbi Krishtin, prej Jeruzalemit e deri në Iliri.’’

 I përndershmi Filipaj e përktheu Besëlidhjen e Re nga origjinali greqisht e latinisht.  Duke marrë parasysh rrethanat që edhe vetë Dom Filipaj i ve në dukje në parathënie, –nën të cilat ai është detyruar të punojë larg çdo qendre konsultimi — kjo ndërmarrje ka kërkuar dhe nevojit  guxim dhe vullnet të fortë nga ana e Dom Simonit.  Besëlidhja e Re është përkthyer, si thamë më sipër, në gjuhën e sotme shqipe dhe në bazë të rregullave drejtshkrimore të sajë.

Pasi jep arsyet për një gjë të tillë duke thënë se nuk duhet të mbetemi fise në shekullin e 20-tët, ai në mënyrë modeste i kërkon falje lexuesit se në qoftë se aty këtu, rrjedha e fjalisë është pakëz e vrazhdët dhe në të njëjtën kohë i bën thirrje lexuesit që Dhjata e Re të lexohet me atë dashuri me të cilën u përkthye.

Nuk ka asnjë dyshim se me përkthimin e Besëlidhjes së Re, Dom Simon Filipaj zhdukë një boshllëk të madh në letërsinë dhe në kulturën shqiptare. Dhe në të njëjtën kohë (kjo vepër) e bën kombin shqiptar të rreshtohet krenarisht me letërsinë dhe kulturat e popujve të tjerë modernë.

Libri i Besëlidhjes së Re në gjuhën shqipe ka lartë nga njëmijë faqe dhe mbulesa e saj  është ajo e Mesharit të Buzukut.  Në fund, lexuesi gjen tabelën kronologjike me dy shtylla.  Në shtyllën e parë  është historia e përgjithshme e njerëzimit, kurse në shtyllën e dytë gjendet historia biblike e Besëlidhjes së Re që filloi nga viti 31 para Krishtit.

Si edhe shumica e botimeve katolike në Kosovë dhe në viset e  tjera të Jugosllavisë të banuara nga shqiptarët, edhe Besëlidhja e Re u botua me 1980, nga revista fetare e kulturore Drita e Ferizajt, me një tirazh prej 10.000 kopjesh.

Kur njeriu merr parasysh kontributin që kleri katolik shqiptar i ka dhënë dhe i jep kombit të vet, gjuhës shqipe dhe kulturës, është me vend që përkthyesi, Dom Simon Filipaj, ua kushton këtë vepër madhështore kujtimit të përhershëm të Buzukut, të Matrengës, të Budit, të Bardhit, të Bogdanit dhe të mbarë klerit katolik  shqiptar, që me dashuri të patregueshme ia kushtuan — Fjalës së Hyut dhe ngritjes së Kombit — dijen, pendën dhe jetën.”