Sulejman Gjana/ “Dita e të Humburve” dhe mundësia që s’duhet të humbasin shqiptarët

608
Sigal

Në bazë të Rezolutës 65/209 të dt. 21 dhjetor 2010, Asambleja e Përgjithshme e OKB e ka shpallur datën 30 Gusht si “Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve/Humburve”. Tashmë kjo datë shënon në shume vende të qytetëruar kujtimin e të gjithë të zhdukurve e të humburve nën regjimet diktatoriale, mbështetjen për viktimat dhe familjarët e tyre, rëndësinë e veprimeve që duhen ndërmarrë kundra krimeve të këtij lloji, si dhe për gjetjen ose kthimin e të zhdukurve dhe zhdëmtimin e tyre. Sigurisht që kjo datë do të mund të ishte një përkujtimore e mirëfilltë për të gjithë ato viktima shqiptare që jo vetëm kanë humbur jetën, por edhe për ato viktima që ende rezultojnë të humbura (të pagjetura). Bëhet fjalë për viktimat e sistemeve totalitare, nazizëm e komunizëm, sisteme këto që shpesh kanë vepruar në simbiozë dhe kanë pasur si emërues të përbashkët dhunën dhe krimin. Për shqiptarët pa dallime ndërkufitare, humbjet më të mëdha dhe të humburit (të pagjeturit/të zhdukurit) më të shumtë rezultojnë si pasojë e dhunës dhe represionit mizor komunist. Komunizmi në Kosovë e Shqipëri nuk njihte vërtet kufij kur Dushani, Miladini dhe të ngjashmit e tyre, jo vetëm që drejtonin skalionet goxha të ideologjizuara e antikombëtare të shqipfolësve, por ishin edhe porositësit e ekzekutimeve për sa e sa nacionalistë shqiptarë që luftonin për Atdheun mbi të gjitha, për Shqipërinë dhe shqiptarët etnikë. Këto krime vazhduan përgjatë gjithë kohës së regjimit komunist në Shqipëri si dhe gjatë pushtimit të Kosovës nga Serbia. Zhdukja e atdhetarëve shqiptarë shkruhej në projektet antikombëtare dhe ishte po ashtu edhe një prej mënyrave për të krijuar terror ndër shqiptarët për t’i mbajtur ata të nënshtruar.

Në Kosovë, 30 gushti 2014 pati një jehone për t’u admiruar. U përsërit kërkesa e kthimit nga Serbia të 1700 shqiptarëve të zhdukur. Nderim e vlerësim për të gjithë politikanët e Kosovës që e çmuan këtë ditë duke dëshmuar se plaga është ende e hapur për mbarë shoqërinë dhe se vërtet nuk duhen harruar viktimat dhe familjet e tyre që ende nuk kanë mundur as të mbyllin zinë.  Do të vijë pa dyshim dita kur në rend të ditës të bisedimeve me Serbinë do të shënohet edhe kërkesa për kthimin e të gjithë shqiptarëve të humbur (zhdukur) gjatë pushtimit serb. Ndërkohë që, në Shqipëri, fati i shqiptarëve që u zhdukën gjate luftës civile të viteve 1943-‘44 dhe gjatë diktaturës komuniste e që ende nuk u dihen varret, nuk është përmend ndonjëherë nga ata që ua morën votën shqiptarëve për 23 vjet (dhe sigurisht, jo më 30 gushtin që sapo kaloi).  Duket  sikur partitë parlamentare shqiptare dhe politikanët e ‘’lartë’’ janë gjithnjë me pushime kur bëhet fjalë për çështje që prekin të kaluarën e errët komuniste dhe traumat që la ai sistem në shoqërinë tonë. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe as këtë vit. Komunizmi  dhe trashëgimia e tij, jo vetëm vazhdon që të ketë pushtet, por është edhe model për shumicën e politikanëve shqiptarë që sot qëndrojnë në ndenjëset  e Kuvendit. Për këtë arsye, nuk mund të gjendet edhe shtysë apo motiv për të ngritur në këmbë politikanët tanë, kryesisht parlamentarë, që të përkujtojnë me respekt e mirënjohje kontributin e të rënëve dhe të humburve për Shqipëri të njësuar dhe në kundërshti të hapur e pa kompromis ndaj totalitarizmit komunist, të ndryshuar gjatë rrugëtimit djallëzor edhe në nacional-socializëm. Ndodh kështu se shumica e politikanëve shqiptarë, kryesisht parlamentarë, nuk janë ndarë ende nga hijet e së shkuarës moniste. Janë vijuesit e asaj ideologjie vrastare, që sot ka ndryshuar vetëm  mjetin e luftës, por jo mentalitetin. Janë bijtë ideologjikë të atyre që kryen masakër pas masakre, pa e vrarë shumë mendjen se i kryenin këtej apo andej Drinit të Zi, në dobi të shovinistëve serbë; këtej apo andej “gjakut lumë” të Devollit, në dobi të shovinistëve grekë. Për vrasjet e nacionalistëve shqiptarë, internacionalistët kuqalashë vepronin në të tërë hapësirën e Shqipërisë Etnike, edhe pse truallin që përshkonin dhe e spërkasnin me gjak shqiptari, e urrenin ta shihnin të njësuar. E për këtë ogur të zi antikombëtar, ishin gati dhe bënë kurban jo vetëm ato viktima që u dihet nami e nishani, por edhe ato viktima që mbeten ende pa nam e pa nishan. Heshtja ndaj krimeve të komunizmit është bashkëfajësia moderne e bashkëjetesës së politikanëve e parlamentarëve në Shqipëri, pavarësisht sa prej tyre ulen majtas e sa djathtas (apo sa kalojnë nga majtas në djathtas, apo edhe anasjelltas) poltronit të kreut të kuvendit. Çka mbetet e rëndësishme në këtë dukuri, lidhet me krimin që ka mbetur ende pa ndëshkim real. Hapja e dosjeve do të ishte fillimi i terapisë më të mirë për të kuruar këto plagë të së shkuarës së largët e të afërt që ende kullojnë gjak. Ky veprim i përligjur do të mundësonte në mënyre reale edhe ndërmarrjen e hapave të duhur e ligjore për t’i shkuar kurës deri në fund; dhe jo duke belbëzuar tek-tuk, sa për të larë gojën, përpara politikanëve të lartë perëndimorë ose para elektoratit shqiptar në kohë fushate. Në të kundërt, të pagjeturit do të mbeten gjithmonë të humbur si për të provuar se kjo është interesi i kësaj kaste politikanësh; që e djeshmja të humbasë në harresë, të mbetet e pagjetur. Sepse kështu humbet mundësia për ‘pastrimin’ real të politikës shqiptare, sidomos asaj parlamentare, që ka llogari ende të pambyllura me krimet e komunizmit dhe gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve. Koha nuk pret, madje, jemi vonë. Integrimi real i Shqipërisë dhe shqiptarëve në Europë mund të kryhet veç atëherë kur krimi të njihet, e me pas të ndëshkohet ligjërisht. Kjo mund të ndodhë kur xhelati dhe porositësi të mos jenë të vetmit që e dinë se ku e kanë groposur viktimën.  Ndryshe, viktimë dhe peng i së shkuarës mbetet fati i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo do të ishte e pafalshme për gjeneratën tonë që mezi pret të integrohet në Europën, ku ishim të integruar deri nga fundi i viteve ‘30-të, por që fatkeqësisht, për 70 vite, mbetemi ende të pa integruar, për arsye se shumica e politikanëve janë akoma peng të sistemit komunist.