Sigal

(Me rastin e 100-vjetorit të Fjalimit të At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes, më 1919-n)

Mediat anë e mbanë trojeve shqiptare njoftuan lajmin sot mbi deklaratën e Kryeministres serbe, Ana Bërnabiç, e cila duke folur mbi gjendjen në Kosovë me një përfaqësues të Bashkimit Evropian, ka thënë, duke iu referuar shqiptarëve të Kosovës se “kemi të bëjmë me njerëz nga mali”. More, pse habiten Prishtina dhe Tirana zyrtare për këtë deklaratë zyrtare raciste të Beogradit zyrtar?! Dhe mos u habitni aspak edhe për heshtjen e Bashkimit Evropian në lidhje me këtë deklaratë!

NOA

Unë mendova që të bëja një reagim modest me fjalët e mia ndaj kësaj deklarate raciste, që nuk është e re, nga Beogradi zyrtar. Madje deklarata të tilla jemi mësuar të dëgjojmë nga sllavët për më se 100-vjet tani. Janë “kozmopolitanët” shqiptarë ata që ende nuk e kuptojnë, se ç’mendojnë sllavët për shqiptarët. Por kush jam unë dhe, madje edhe kushdo tjetër që të japim një përgjigje Kryeministres serbe, se kush janë shqiptarët dhe prej kah vinë ata dhe t’i thuhet asaj se kur flasim për shqiptarë, nuk kemi të bëjmë me “njerëz prej mali”, siç pretendon sllavja Bërnabiç.

Përgjigje më të mirë se At Gjergj Fishta ndaj këtyre pyetjeve nuk e ka dhënë kush deri më sot. Me rastin e 100-vjetorit të fjalimit historik të At Gjergj Fishtës në Paris më 1919, në vend të një shkrimi timin, po u shpërndaj miqve e kolegëve, përgjigjen më të mirë që e ka dhënë ndonjë shqiptar, ndonjëherë: se kush janë shqiptarët dhe cilat janë të drejtat e tyre dhe se si duhet të mbrohen ato të drejta, nga armiqtë e Kombit shqiptar — brenda trojeve shqiptare dhe në Konferencat Ndërkombëtare — siç ishte platforma e Parisit 100-vjet më parë, ku një françeskan i kombit Shqiptar ia tha troç “Evropës kurvë” dhe armiqëve të shqiptarëve kudo.

E di se fjalimi i At Gjergj Fishtës është pak i gjatë për gazetat e përditshme, por ju lutem shpërndajeni me çdo mënyrë tjetër që të keni mundësi -pasi është aq aktual përball dekklaratës së Kryeministres serbe – sidomos në rrjetët sociale. Ju lutem gjithashtu, juve kolegë të dashur që kini kontakte me përfaqësues më të lartë të politikës shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë, si edhe dy akademive shqiptare atje, t’ua shpërndani atyre fjalimin e këtij “kolaboracionisti”, që të mësojnë se kush janë shqiptarët dhe cilat janë të drejtat e tyre, sipas At Gjergj Fishtës – se ndoshta ka mundësi të zgjojë në ta ndonjë dritë shprese për atdhedashuri të vërtetë dhe guxim të Fishtës, në interes kombëtar, mbi interesat e tyre personale dhe partiake, në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve brenda kufijve të trojeve të tyre autoktone, si dhe në arenën ndërkombëtare.

At Gjergj Fishta O.F.M. Paris, 20 qershor 1919

 

Fjalimi, “Shqiptarët e të drejtat e tyne”në Konferencën e Paqes, Paris, 1919

 Nga At Gjergj Fishta

“Zotnij — Ç’me kohë të Luftës turko – ballkanike e tektej zemrat e Shqiptarëve kanë pikue gjak prej dhimbjes e mjerimit, për arsye që Europa e qytetnueme përkuli në Konferencë të Londres së 1913 ma se gjysen e Shqipnisë e plot një milion Shqiptarë, nen zgjedhë të randë t’anmiqve të tyne kufitarë. E pse këta anmiq të tyne ishin si me numër, si me miq ma të fortë, kështu ndodhi që Shqiptarve s’u mbeti ma asnjë rreze shprese, se do të mund të nxirrshin ma kurrë atë pre të lotueme prej çapojve të tyne rrëmbyesa e gjithmonë të zhyemun në gjak.

Por çka se, aty ka mbarimi i tetorit të vitit të kaluem (1918), ia mërritën në Shqipni ushtarët tuej trima, të cilët na thanë, se sot e mbrapa çdo popull, sado i vogël që të ishte, do të kishte të drejtë me da ai vetë per vete fatin e vet ekonomik e politik, e se të gjitha tradhtitë e padrejtësitë e bamuna ndonjë kombi nëpër traktate nderkombtare të përparshme, do t’u ndreqshin e qortojshin në Konferencën e re të Paqës, e cila per së shpejti do t’u mblidhte në Paris; pse ky kishte kenë, na thojshin ata, ideali ma i parë, për triumf të të cilit, mbi mbarë botën, ata ia kishin hy një lufte, që ma të shemtueme s’e ma mend historia e njeriut, në daç për mjete, me të cilat pati nisë, në daç për mënyren, me të cilen u vijue. E kështu tue thanë, na kallxojshin varrët e shtatit ende të përgjakuna.

Në këto fjalë të tyne u trand Shqipnia gëzimit, e me shpresë se edhe për te do të zbardhshin dikur ditë ma të mira, ku kje hapë e shpërnda u mblodh kuvendi në Durrës, e aty, një mendjeje e një zemre, vendoi me dalë shtet më vete e krejt i pavarshëm, përmbrenda caqeve të asaj natyra, gjuha, interesat e historia ia kishin caktue. Për me lypë, mandej, që t’ u ndreqshin e t’ u qortojshin dhunitë, tradhtitë e padrejtësitë që Kongresi i Berlinit një herë, e ma vonë Konferenca e Londres, sipërpërmendun, ia kishin ba Kombit Shqiptar, dau me nisë për Paris një Dergatë të posaçme, që t’u delte zot të drejtave të saj. Veç shka, se mbasi u kapën me këte të madhnueshmin kryeqytetin tuej – ku sot asht ngrehë Areopagu i rrokull Botës – puna na doli krejt ndryshe, se kishte kenë fjala e atyne ushtarëve tuej.

Pamë e u vertetuem se anmiqtë tanë, jo veç që nuk ishin tue dashtë me na i kthye viset, që me dhunë na i kishin grabitë, por ma tepër, llastue prej krahut të fuqishëm që po ua mbajnë do nder Pushtete të mëdha të Europës, lypin me shty ma thellë kufinin nder vendet tona e me shkepë krahina të tjera prej Shqipnisë. Pamë e u vertetue, se, për me i dalë ma lehtas këtij qellimi, ata rrijshin tue shpifë në një mënyrë krejt të pandershme për Kombin Shqiptar. Shka nuk kanë thanë e botue kunder Kombit Shqiptar të mjeruem! Çnjerzimi i tyne në të shpifuna kundër Shqiptarve asht shtye aq larg, sa ndokush ndër ta ka mërrijtë me shkrue e me botue në një farë shtypi poshtërsisht të shitun interesave të tyne, se na Shqiptarët edhe fiziologjisht e biologjisht ishim ma poshtë se rodi tjetër i njerzimit. E, madje, me këto të shpifuna të veta kanë mërrijtë me ua marrë mendët botës së qytetnueme, sa që agjencitë telegrafike të këtueshme po na i kthejnë pajtimet tona e fletoret e vendit ose nuk i pranojnë kurrfare artikujt tanë, ose na lypin çmime të çuditshme e për t’u njehë ndër përralla – deri në 50.000 Franga për artikull! – veç si me na i mbyllë shtigjet që me u dalë zot të drejtave tona.

Mos u çuditni, pra, zotni, që unë po kam guximin me ju dalë para në këte Atene të përmendun, – kenë gjithmonë dritë e shkelqyeshme qytetnimi e përparimi të vërtetë – e po shpërvjelëm me ju folë me një theks gjuhe të huej e nën një formë krejt të përvujtë ligjerate mbi Shqiptarët e mbi të drejta të tyne. Thika ka mërrijtë në asht; sot po i ndahet fati Botës. Jo veçse asht në pavarësia, e sipërania e Shqipnisë, por asht në rrezik jeta e Kombit Shqiptar. Sot, a vdekje a mbetja për Shqipninë e për shqiptarët. Nuk kishe me dijtë me thanë, e vërtetë, se deri ku fjalët e mija kanë me mërrijtë ta mënyrsojnë fatin e Shqipnisë; por bujaria e njohun e zemrave tueja, më jep shpresë të madhe, se, mostjeter, kam me nxjerrë prej jush një fjalë ankimi mbi kobet tona e mbi dhunë e padrejtësi që po i bahet Kombit Shqiptar. Asht disi një farë ngushllimi për të mjeruemin e ngratë me dijtë, se ka në shekull ndonjë zemër që ankon për te. E prandej n’ emen të Dergatës, të qeverisë e të Kombit Shqiptar mbarë, i falemnderës Rektorit të përshndritshëm të këtij Universiteti, për mirësinë që pati tue më sjellë mënyrën se si me u pjekë e me bisedue me Zotninë tuej.

01

Prej brigjeve gjimuese të Euksinit e në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej bigave bumbulluese të Akrokeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpateve, ende të rime me gjak njeriut, në ato kavaljetet e kalueme, banonte, si zotnia juej mirë e di, ajo familja e madhe Trako-Ilirike, në nam’ e në za në histori të fiseve dhe të kombeve. Sot, kjo familje asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përmrenda gërmazave të pangishëm të gjireve të motit, e s’ mujti ma, ç’me atë ditë që Gentius, mbreti i mbramë i Ilirëve, në 168 para Krishtit, kandriti triumfin e Lucë Pal Emilit, me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme. Ku shue shqimit, ku shkri e shartue me familje të tjera, ajo sot nuk ka ma nji fizionomi individuale të veten, në shtill të punëve njerzore. Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimshme anieje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje Trako-Ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë e Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në stom të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët zanë vend a mbas murojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave gratçore dhe të kerthnesta, – banë e përmallshme e hyjnive të moshës prrallëzore. – u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, kjoftë thellimeve të kavaljeteve, kjoftë padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qindrese,

– ende këta e flasin atë gjuhë të Parëve të vet ma të hershëm;

– ende e ruejnë të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshave të vet, e sot,

– edhe punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të Parët e tyne prehistorikë.

E pra, sa kavaljete nuk gjimuen mbi krenat e tyne! Sa ndodhi e ndeshtrasha nuk u shkreh mbi shpinë të tyne! Mbi ta, po, randoi pesha e fuqisë romake; mbi ta u lshue i irun prej mnije e gjithmonë i pabesi sfinksi sllav; rrjesht per katër kavaljete të gjata i ra persipër boena e barbarisë aziatike; por, megjithkëte, ata nuk e vdaren njininë e vet kombtare dhe as që i lshuen doket e idealet e veta.

Po; bash ky popull i paperkulun kurrë, ende gjindmbi ato zaje të plleshme, ku të Parët e tij mprehshin rrasat, me ba me to armë per me ça rrashtat e anmiqve ose, ma vonë, ata u jepshin uji pallave të hekurta, per me shtrue me to mbarë botën nën kambë të nji Lekës së Madh, – kur mos t’ ishte që me i ba me kja me to, dhimshem vashat e Romës para nji Burri.

E mirë pra, Zotnij të nderuem, ky asht bash ai populli i vogël Shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë! I vjetër sa fosilet, sa stalagtitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, e le të thuesh prej vetë bucave të Shqipnisë, ai asht sot zot autokton e i pakundershtueshëm i tokave të veta. Ende sllavi nuk kishte dalë prej bjeshtës së thellë t’ Uralit e ende s’ ishte ngjizun e sotmja frotë laramane neohelenike, kur Shqiptari korrte me zagna, fushat e pafund të Ballkanit. Qe kështu, Shqiptari e kishte mbyllë nji periudhë të gjatë të historisë së vet në moshën e rruzullimit. Na thoni, kush para Shqiptarit, i ngau qetë sinorëve të Ballkanit?

Historinë e kemi aty, Zotnij të mij, e ajo na flet shumë kjartë. E asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare ose gjysëzyrtare: zani i saj i pingrueshëm përshkon kavaljetët!

Për në kjoftë, pra, se ka një popull, që nëpër forcë t’nji preskripcioni e t’nji trashigimi të pakputun etnik ka tagër me nda vetë për vedi shartet politike, ky asht, padyshim, Populli Shqiptar, i cili vetëm mund të levdohet se ka nji preskripcion prehistorik mbi tokë të Ballkanit, si dhe nji Kombësi kryekëput të ndame prej atyne të popujve të tjerë ballkanikë. Prandej, po kje se pernjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqës si karakter themelor per trajtimin e shteteve e caktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë, që Shqipnia të qitet shtet më vedi, përmrenda kufijve të vet etnikë e gjeografikë.

Por çka se, simbas teorisë vilsonjane, për me mujtë nji popull me u sundue me vetvedi, posë kombsisë, duhet të merret parasysh edhe ndërgjegjja e tij kombtare.

Tash, për në kjoftë se si ndërgjegje kombtare duhet të kuptohet ndjesia për liri, si edhe ai dishir që mund të ketë nji popull të jetojë e të zhdrivillohet me vetvedi, gjithnji përmbrenda qarkut të forcave të veta, unë thom se edhe në këtë pikpamje Konferenca duhet t’ia njofin Shqipnisë pamvarsinë, si dhe siperaninë e vet. E njimend: E po cili popull në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet, sesa Populli Shqiptar?

  • A dro asht sllavi i ngadalshem e i ngathtë, që, deri dje, i perkulun mbi shatë, pa nji ukaz të Carit të vet autokrat, të thuesh, as që i bahej me marrë frymë?
  • E po, a thue asht greku, – ajo skilja e vjeter, – që gjithmonë, si nji bimë parazite, ju ngjesh ma të fortit per me gjallue në shpinën e tij?
  • Apo asht Shqiptari, i cili e pështetë gjithë shpnesen në fuqinë e vet e n’ atë t’ armëve të veta: gjithmonë i drejtë me miq, bukëdhanës ndaj të huejt, i rreptë me anmiq, – të cilët, nuk i mninë, veçse i perbuzë, – e që ende, deri më sot, nuk i asht perkulun nji force të huej?

Qyshse mbi tokë nisën të derdhen lot, qyshse mbi botë forca ia xuni vendin së drejtës e hipokrizia qeveritare filloi me ua pij gjakun popujve, balli madhështor i Shqiptarit s’ju perkul kurrkujt, perposë Zotit të vet! Kaluen, po, pushtuesit mbi Shqipni, por nuk kjenë kurrë zotnues mbi Shqiptarë! Ashtu si ai cubi, i cili hyn tinëz e me trathti në shtëpinë e qytetarit të paqtë e, si shtjen mbrendë drojen e pshtjellimin, del jashtë pa mundun kurr me thanë se ka sundue aty mbrendë; njashtu hynë pushtuesit e huej në Shqipni, pa mujtë kurrë me i shtrue dhe me i zotnue Shqiptarët. E mos kujtoni, Zotnij, se unë këtu jam tue ju thanë sende të cilat mos t’i kenë vu re edhe shkrimtarë të huej të vlertë.

Kështu, fjala vjen, e ndritshmja Miss Durham, thotë në nji libër të vetin mbi Shqipninë: “Zotnimet e hueja kanë përshkue mbi komb shqiptar, pa lanë në te kurrfarë gjurmet, si uji që rrëshet mbi shpinë të rosës”.

I ndritshmi zotni Renè Pinon, mandej, – kompetenca e të cilit nder punë të Ballkanit asht fort e çmueshme edhe perjashta Francës, – në nji artikull të vetin mbi Shqipninë, botue në blenin e dhjetorit të 1909 të së perkohshmes “Revue de deux Mondes”, shkruen: “Bullgari, atje nder fusha të Maqedonisë, perkulet mbi shatë e punon tokat e turkut, ndersa shqiptari asht mbreti i maleve. Gjuetar, bari, ushtar ose cub; ai s’i nenshtrohet veçse Kanunit të vet e s’pret ndihmë veçse prej armëve të veta.” Për liri të vetën, Zotnij, Shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin. Fakti veç që Shqiptari, në mes të sa ndodhive dhe ndeshtrashave politike e për nji periudhë aq të gjatë kavaljetesh ka mrrijtë me e ruejt gjuhën, doket e karakterin e vet kombtar, – e këto, jo vetëm në Shqipni, por edhe perjashta, difton çiltas, se ai asht dhe se don me mbetë Shqiptar. E, se prandej ndërgjegjja kombtare ka lëshue rrajë të thella në Shpirt të tij. Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit Shqiptar për liri dhe pamvarsi kombtare, duket prej historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pamvarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombtare e këtij populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa. Që atje kahë e zbardhmja e të XV qindvjet hanëza përgjakshëm prej Azie kukëzohej mbi hapsinë të Europës. Ishte Zotmadhi i turqve, që në krye të ma s’ rreptes ushtri të botës s’ atëhershme, kapercente Helespontin e në mëni të vet trishtueshëm betohej, se hanëzen për t’a vu kishte mbi Shën Sofi të Stambollit e, në oborr të Sh’ Pjeterit në Romë, do t’i epte tagji kalit të vet. E pse njeri dokrrash e pallavrash ai nuk ishte, perpara tij u rrenuen mbretni, ranë frone e u lëkund në themele të veta mbarë qytetnia përendimore. Shkatrrue Bizanci, nda Europa prej luftash e ngatrresash të përmbrendshme, se kush do të dilte me ua ndalë hovin këtij anmiku të përfelgrueshëm?

Kur qe, se mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrëfeje, me dy sy si gaca e nji mjekër të thijtë, që si shtëllungë gjatë çenave i shtiellet, si re mizore kresë së një shkambi të thepisun. Tmerrshëm përkrenarja i flakon mbi krye, e cila, n’ atë vezullimin e vet të trishtueshëm, danë si kometë zharitëse, sherbëtore e mënisë së perfrigueshme të Perëndisë. Ai asht Gjergj Kastrioti Skënderbeu, fatosi në za Skënderbeg Kastrioti, që në mendje tue pasë lirinë e të Parëve e të bardhen lumninë e hershme, me sy të vrantë kundron anmikun e rreptë të kombeve të qytetnueme. Në rropamë të mjerueshme të sa froneve, të sa theroreve, hidhet si duhia në shpinë të një kali të trumhasun, që, mal nxjerrë pasmen përpara e fry turijtë përpjetë nuhatë eren e gjakut; rrokë me të djathtën pallen – rrufe e me të majten ngreh flamurin e Atdheut, ngjye kuq e zi: gjak e vdekje. Nji fllad i ambel, i kandshëm – flladi i dashunisë – lehtas e zhvillon flamurin e Atdheut, që i madhnueshëm valvitet nëpër ajr të lirë të Shqipnisë si ajo fleta e zjarrtë e një Kerubini të qiejve: si ai skundilli i petkut të Perëndisë, që bukur ka ndritun me hana, yje e diej, i kallthtërt prej cepave t ‘ amshueshëm i varet gjanë Empirit të pamatun, atëherë ka mbështetë permbi thellim të ushtueshëm të rribës s’ murlanit, vé në sheste boshtin e rruzullimit. Në këte dukë të permnershme force, Skenderbeu, atëbotë, del në vetull të thepisun të karpes krutane e “Eni Shqiptarë!” bulurit, si luan prej fangut të zharitun të shkretisë, “Eni fluturoni, o bijtë e maleve të lira, se Atdheu gjendet në rrezik!” E qe, se në atë kushtrim nji çetë e vogel homeridësh – burrash Shqiptarë si lejshin motit, po shterngohet përreth tij, e aty nënhije të Flamurit t’ Atdheut, ban be mbi gurë të vorrit të të Parvet të vet, se një pëllambë tokë të Shqipnisë nuk do t’ia lëshonte anmikut, po s’e lau para të tanë me gjak të tij të zi e të përdhosun. Të forcuem me atë bé, të forcuem me Shejtni të të drejtave, e shpresë tue mbajtë por në Zotin e në krah të arenztë të vetin, të bijtë e malevet të Shqipnisë lëshohen fulikare mbi froten e shtojeve t’ Azisë. E lufta titanike ia nisë. Në të ndeshun të rreptë të ushtrive tymi çohet deri mbi rê e perfrigueshëm gjimon toka nën kambë. Gjaku rrymben rrëkajë. Frota aziatike shuhet përdhe. Habitë pushtuesi i rreptë i Stambollit, prej hidhnimit grisë buzen me dhambë, dhe nis me u pendue pse ia kishte hy luftës me Shqiptarët. Rrafsh njëzet vjet ndej tue u pre Shqiptari me turk, per me i dalë zot lirisë e pamvarsisë së vet. E në njëzet vjet lufte të tmerrshme, me sa Leka i Madh, me sa Jul Çezari, Skenderbeu s’ mujt me u thye prej ma të rreptit mbret t’ atyne kohëve.

Vijon…

Nga Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë