Frank Shkreli*: 70-vjetori i martirizimit të avokatit Muzafer Pipa

622
Sigal

 

 

Gazeta Telegraf/ “Si asht e mundun zotnij, që
një trup gjykues, i cili për kryetar ka një ish-“teneqexhi”, (ishte fjala për
Koçi Xoxen), e për prokuror një ish-“kafexhi”, (e kishte fjalën për Bedri
Spahiun), të munden sot me gjykue elitën e kulturës shqiptare?”, kështu është
shprehur Avokat Muzafer Pipa më 22 mars të vitit 1946, drejtuar trupit që
gjykonte, ndër të tjerë, At Gjon Shllakun, At Gjon Faustin, At Daniel Dajanin, përfshirë
studentët:
Mark Çuni, Gjergj Bici, Gjelosh Lulashi, Fran
Miraka, dhe Qerim Sadiku, të cilët u dënuan me pushkatim nga trupi gjykues në
Shkodër. Në këtë gjyq, ku Avokat Muzafer Pipa shërbente si avokat mbrojtës i
tyre, ai, sipas dëshmitarëve, me të vërtetë pati treguar një guxim dhe trimëri
të paparë, por edhe altruizmin njerëzor, në mbrojtje të klerikëve katolikë.
Megjithëse ai nuk kishte ndonjë lidhje me jezuitët, françeskanët, ose me
klerikë të tjerë, Muzafer Pipa u shty nga guximi, ndershmëria, nga heroizmi dhe
ndjenja e drejtësisë për të afërmin – si avokat besnik që ishte ndaj
profesionit të tij – për t’u ardhur në ndihmë klerikëve të pafajshëm.

 

Ndërgjegjja e tij nuk e lejonte të rrinte duar kryq
përballë pa drejtësish të tilla, madje megjithëse ishte i vetëdijshëm se një
mbrojtje e tillë e klerikëve katolikë nga ana e tij, mund të çonte edhe në
dënimin e tij me vdekje, gjë që më në fund edhe ndodhi më 30-shtator, 1946. Vëllai
i Muzaferit, Profesor Arshi Pipa më ka thënë se avokati mbrojtës i klerit
katolik, Muzaferi e bëri këtë punë krejtësisht në baza vullnetare, pa u marrë
asnjë lek të akuzuarve për shërbimet e tij. Për më tepër, ai e bëri këtë detyrë
me pasion dhe me bindjen më të madhe, duke dhënë prova të pa-diskutueshme dhe
duke bërë një mbrojtje të jashtëzakonshme me fakte, se akuzat shpifëse të
gjyqeve komuniste kundër klerikëve shqiptarë ishin fals.

 

Disa muaj pas këtij gjyqi dhe pas pushkatimit të
klerikëve katolikë të lartë përmendur, autoritetet komuniste e arrestojnë edhe
Muzafer Pipën duke i mohuar atij të drejtat e tija bazë, si avokat dhe si
qytetar. Ai u torturua nga autoritetet komuniste me një hakmarrje të egër për
kurajon dhe vendosmërinë e tij civile dhe profesionale që ai tregoi në mbrojtje
të të drejtave të klerikëve katolikë shqiptarë.

 

Profesor Arshi Pipa shënon në “Librin e Burgut” se, “Im
vëlla, Muzafer Pipa, avokat, qe arrestue në Shtatuer, 1946 dhe mbasi u torturue
deri në vdekje, u nxuer dhe u vra me një batare automatiku në Degën e Sigurimit
të Shkodrës, kinse kishte dashtë t’ikte”. Arshi Pipa, në “Librin e Burgut”
shënon gjithashtu se vrasjen e vëllait të tij Muzaferit ia kishin mbajtur të
fshehtë dhe se e kishte mësuar vetëm gjatë procesit të dytë kundër tij, në
Prokurorinë e Durrësit. Në “Elegjinë Vëllaznore”, kushtuar vëllait Muzafer, në
lidhje me këtë dëshpërim të thellë, poeti shprehet se:

 

 “Ma thonte zemra e ngrata

 Se jeta t’kishte lanë

 Edhe pse shokët e miqtë

 Nuk dojshin me ma thanë”.

 

Fatkeqësisht, Muzafer Pipa si shumë intelektualë patriotë shqiptarë të
kohës së tij e pësoi jo vetëm nga komunizmi por edhe nga fashizmi. Me okupimin
e Shqipërisë nga Italia, Muzafer Pipa, së bashku me shumë studentë të tjerë
shqiptarë dërgohet në kampe përqendrimi në Itali, ndërkohë që lirohet pas dy
vjetësh dhe i jepet mundësia të vazhdonte studimet që përfunduan me diplomimin
e tij në universitetin e famshëm të drejtësisë në Padua. Profesor Arshi Pipa, në
lidhje me vuajtjet dhe mundimet e të vëllait gjatë kësaj periudhe mundimesh për
mbarë familjen Pipa, ka shënuar se, “Im vëlla pat qenë burgosë nga autoritetet
fashiste italiane në ishullin Ventottene, afër Gaeta-s, më 1940 dhe ma vonë qe
internue në kampin nazist të Prishtinës, më 1944”, duke u shprehur në poemën
Elegjia Vëllaznore, kushtuar vëllait të vrarë se:

 

 “Ti vuejtje, ti rreziqe

 Durove simbas stinës

 Nga ishulli i Ventottenës

 Ndër telat e Prishtinës”

 

Në fund të vitit 1944, Muzafer Pipa lirohet nga kampi nazist i përqendrimit
në Prishtinë dhe kthehet në Tiranë për të ushtruar detyrën e avokatit. Me gjithë
aftësitë dhe edukatën e tij si avokat i diplomuar në Itali, Muzafer Pipa
refuzon t’i bashkohej regjimit komunist të posa vendosur në Tiranë, pasi kishte
venë re qysh herët shkeljen brutale të të drejtave bazë të shqiptarëve nga
regjimi i ri komunist i Enver Hoxhës.

 

Në vitin 2008 Shkodra e tij i akordoi titullin
“Qytetar Nderi”. Ndërkohë që ish-Presidenti i Shqipërisë Topi e ka
dekoruar Muzafer Pipën me Urdhrin, “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) me
motivacionin: “Patriotit dhe intelektualit të shquar, që gjithçka që pati, dijen,
kulturën dhe jetën e tij të re ia kushtoi çështjes së lirisë, drejtësisë dhe
demokracisë, duke kundërshtuar deri në flijim vendosjen e diktaturës në
Shqipëri”.

 

Në kujtim të vëllait të martirizuar nga regjimi komunist,
megjithëse poeti nuk dinte për veten e tij nëse do të dilte i gjallë nga
burgjet komuniste të asaj që ai e ka cilësuar si “kohës së robnisë”, i betohet
vëllait të vet të vrarë, Muzaferit se:

 

 “Kur ndofta nga mizori

Po përgatitet ura,

 Për mue këtë herë, e kanga

 E mbramë asht kjo që thura.

 Me gjakun tand deshmori

 Vulosi sot nji be

 Përbuzi komunizmin

 E truhem për atdhe”.

 Avokati Muzafer Pipa sakrifikoi jetën e vet me dinjitet dhe ndershmëri, duke
luftuar për kauzën e drejtësisë dhe në mbështetje të të drejtave të njeriut për
bashkatdhetarët e tij, pa marrë përsyshë përkatësinë e tyre fetare dhe as
dallimeve të tjera. Prandaj, është me vend që në këtë 70-vjetor të martirizimit
të Avokatit Muzafer Pipa – këtij, “Armiku të shtypjes e bir besnik i Atdheut” –
jo vetëm katolikët, por mbarë kombi shqiptar ta kujtojë me nderim dhe respekt, ketë
hero të kombit, me shpresën që gjaku i tij të mos jetë derdhur më kot dhe që
shembulli i altruizmit të tij human, guximi, trimëria dhe vendosmëria e tij, në
mbrojtje të drejtësisë për bashkëkombësit e vet, të frymëzojë brezat e rinj të
shqiptarëve.