Nikolin Gurakuqi/ Blendi Fevziu falsifikoi dokumentet si Enver Hoxha

1066
Sigal

Gënjeshtra e tretë është kur thotë se Luigji ishte vendosur në Bari, nën kujdesin e italianëve

Ka disa ditë që ka dalë në treg libri i Blendi Fevziut “Presidenti që u bë mbret, Ahmet Zogu”. Në këtë libër, vetëm në kapitullin për kundërshtarët e tij politik, kur flet për Luigj Gurakuqin, ai mashtron disa herë opinionin publik, duke falsifikuar dokumentet historike, ku më flagranti është dokumenti që e implikon Zogun në vrasjen e Luigjit, që është letra e vrasësit Stambolla drejtuar Zogut, Ceno Beg Kryeziut dhe Catin Saraçit, ku vrasësi kërkon ndihmë e të holla për të shpëtuar. Fevziu se ka fare problem ta rishikojë dokumentin, duke e hequr emrin e Zogut, njësoj siç bënte Enver Hoxha duke lënë vetëm emrat e Catin Saraçit dhe Ceno Beg Kryeziut. Në gazetën “Novosti” të Beogradit, me 15 gusht 1925, Ceno Begu do të deklaronte se Luigjin, Zija Dibrën dhe Bajram Currin i vrava unë për qetësinë e Serbisë dhe të Shqipërisë, pra kunati i Zogut e pohon me gojën e tij se është organizatori i vrasjes, ndërsa Catini është zbatuesi me dorën e Baltion Stamollës. Fevziu gënjen kur thotë se shtypi italian zbuloi gjatë hetimeve se Stamolla është kushëriri i Catinit. Këtë e bën vetëm se do të fajësojë Catinin e të shfajësojë Zogun Për Vrasjen. Përkundrazi, Baltion Stamolla është kushëriri i Luigjit dhe jo i Catinit. Gënjeshtra e tretë e Fevziut është kur thotë se Luigji ishte vendosur në Bari, nën kujdesin e italianëve. Përkundrazi ai kishte marrë nga kuestura e Barit një fletë espulso (përzënie)së bashku me njerëzit e tij që e shoqëronin në ekzil, në Itali. Raportet e tij të këqia me italianët i vërtetojnë zgjedhjet për deputet në 1921, ku italianët dhe anglezët bënë fushatë kundër Luigjit që ai të mos zgjidhej deputet. Stavro Vinjau shkruan në gazetën “dielli” me 14.07.1925 në Boston, pas vrasjes së Luigjit se “një mot e gjysëm më parë, qeveria italiane ku u bënë zgjedhjet për Asamblenë, i dha Zogut 700.000 lireta në formën e një kapari të blerjes së disa pyjeve, por në të vërtetë për ta ndihmuar në zgjedhje, dhe me këto të holla u luftua Gurakuqi” ndërsa anglezët e luftuan Gurakuqin për shkak të koncesionit të vajit të gurit që Luigji e kundërshtonte. Në një dokument tjetër të datës 9 mars 1925,  Catin Saraçi deklaron në komisariatin e Barit se nuk e kam kushëri Stamollën, dokument i botuar në librin “Vrasja politike e Luigj Gurakuqit” botuar në universitetin e Barit, nga Fakulteti i Jurispudencës në vitin 1988. Gënjeshtra e fundit e Fevziut është kur thotë se Gurakuqi nuk ishte ndër drejtuesit kryesorë të opozitës. Këtë nuk e beson as vetë Fevzoja sepse e dimë mirë nga shtypi i kohës se kur Gurakuqi u sëmur dhe mungoi një muaj në parlament, shtypi shkruante çfarë ka opozita që hesht? Është Gurakuqi i sëmurë.

Gjithashtu janë të botuara në shtyp fjalimet e famshme të Luigjit në Parlament, ku ai kritikon ashpër qeverinë e Zogut dhe polemizon në vetë të parë me të. Në librin me kujtime të Sejfi Vllamasit, flitet për një takim midis Zogut dhe Gurakuqit në një hotel në Shkodër, para zgjedhjeve të vitit 1921, ku Zogu i propozon Gurakuqit të mos e vërë kandidaturën për deputet në Shkodër në këmbim të një posti ambasadori në një vend europian ku të dëshironte ai, çka tregon se Zogu nuk e donte nëpër këmbë Luigjin sepse e njihte mirë intelektin, kulturën e gjerë dhe elokuencën e tij, por mbi të gjitha ndershmërinë dhe pakorruptueshmërinë e tij, tipare që për Zogun ishin krejt të huaja. Imagjinoni që vetëm në paragrafin për kundërshtarët e tij politik, Fevziu gënjen vetëm për Luigjin 4 herë, imagjinoni se ç’ bëhet në tërë librin, por kështu është tani në shoqërinë teknologjike, sapuni shitet lehtësisht për djathë, populli i ha të gjitha gënjeshtrat alla Fevzi, madje edhe pjesëmarrjen e Zogut në shpalljen e Pavarësisë e ha ky popull, pavarësisht se Zogu 17 vjeçar nuk ka marrë pjesë në asnjë nga mbledhjet e bëra ato ditë nëntori dhe nuk e ka firmosur dokumentin e pavarësisë, bile as Ismail Qemali nuk e ka pritur kur ai ka arritur në Vlorë, disa ditë pas shpalljes së Pavarësisë. Kalemxhiu i Zogut dhe ata që e paguajnë atë, kanë 20 vjet që qahen se i ka persekutuar diktatura e Enverit por ata harrojnë krimet dhe vrasjet që kanë bërë, harrojnë persekutimin që i kanë bërë klerit katolik në kryengritjen e vitit 1926 në veri, ku dallohet vrasja e dom Gjon Gazullit, e shumë klerikëve të tjerë, harrojnë persekutimin e Dom Lazër Shantojës, i cili sa qe Zogu në fuqi e kaloi jetën në ekzil se ishte i dënuar me vdekje, por në 1945 u pushkatua barbarisht nga regjimi i Enverit, harrojnë se me shpalljen e Zogut mbret, qeverisen si diktatorë pa opozitë, e cila ndodhej në ekzil, harrojnë se kryeministri francez e quante Zogun banditi i Tiranës.

Përpjekjet e dëshpëruara të zogistëve për të rishkruar historinë dhe aktet kriminale të Zogut kanë vetëm një qëllim: ta bëjnë të pranueshme figurën e Zogut për kohën e sotme, duke i hequr krimet që ai ka bërë gjatë sundimit të tij. Për këtë atyre i duhet fshehja e gjurmëve të krimeve e midis tyre edhe vrasja e Gurakuqit dhe e shumë patriotëve të tjerë, por gjaku i tij ka 90 vjet që i ndjek nga pas dhe këta makbethianë i ka zënë makthi i krimeve zogolliane dhe gjakun që kanë në duart e tyre nuk ka Fevzi që tua heqë sado para që të paguajnë.