Kastriot MYFTARAJ/Dosja më sekrete e Fatos Lubonjës

2003
Sigal

Arrestimi i Fatos Lubonjës në 25 korrik 1974 shkaktoi një habi të përgjithshme dhe u bë shkak për shumë hipoteza mbi domethënien e tij. Në korrik 1974, që prej më tepër se një viti, domethënë që prej Plenumit IV të Komitetit Qendror të PPSH pritej arrestimi i të atit të Fatosit, Todi Lubonjës, i cili ishte shpallur armik prej Enver Hoxhës, madje duke u quajtur prej tij si bashkëpunëtor në përgatitjen e një agresioni ushtarak ndaj Shqipërisë, që sipas tezës së Enverit parapërgatitej nga agresioni ideologjik, që në këtë rast qenë ndikimet liberale në jetën e vendit, të cilave u kishte hapur rrugën Todi Lubonja. Me këtë teori konspiracioni (Enveri në mënyrë kërshërore parapëlqente fjalën franceze “komplot”) Todi duhej të dënohej me vdekje, por ai megjithatë ende nuk qe arrestuar një vit pas akuzave ndaj tij. Tani befas arrestohej i biri. Ishte hera e parë dhe e fundit që arrestohej për motive politike djali i një anëtari të udhëheqjes komuniste para se të arrestohej i ati. Todi, si anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe drejtor i Radiotelevizionit të vetëm në vend ishte padyshim anëtar i udhëheqjes. Në vendet komuniste, ndonëse propaganda ishte parësore, nuk kishte një Ministri të Propagandës, dhe kjo me siguri ndodhte për shkak se një ministri të tillë kishte pasur Gjermania naziste. Por drejtori i Radiotelevizionit të vetëm në vend, mund të quhet, për nga rëndësia, si ekuivalenti i Ministrit të Propagandës, dhe ishte praktikisht po aq i rëndësishëm sa një anëtar i Byrosë Politike. Arrestimi i Fatosit ndodhi pikërisht në ditën kur nisi Plenumi V i Komitetit Qendror të PPSH (25-26 korrik 1974), ku ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku do të shkarkohej nga të gjitha postet partiake dhe shtetërore, dhe do të shpallej armik. Në atë kohë u përhapën fjalë, me siguri nga vetë Sigurimi i Shtetit, se arrestimi i Fatosit kishte lidhje me çështjen e ushtarakëve, se Todi e kishte dërguar djalin, Fatosin që të studionte për fizikë bërthamore, që t’ i jepte në dorë çelësat e arsenalit bërthamor të Shqipërisë, si kryeinxhinier i raketave bërthamore. Me të sabotuar Fatosi armët bërthamore të Shqipërisë, do të niste agresioni ushtarak sovjeto-amerikan ndaj Shqipërisë, për përgatitjen e të cilit kishte punuar dhe babai i Fatosit Todi, sipas tezës së Enverit.

      Legjenda e Fatosit si “Rozenberg” shqiptar qartësisht është përhapur me dijeninë e Enverit (kjo ishte në stilin e Sigurimit të Shtetit për t’ u thënë shqiptarëve tërthorazi se Shqipëria ishte e pajisur me armë bërthamore), por ai nuk kishte ndërmend ta konvertonte atë në akuzë penale. Enveri e mbante mend mirë se ç’ shqetësim shkaktoi në Perëndim çështja e raketave bërthamore ruse për të cilat Kruschevi (Hrushovi) shpalli se do të vendoseshin në Shqipëri, gjatë vizitës së në vendin tonë në vitin 1959. Armët bërthamore qenë “vija e kuqe” tek e cila Enveri ndalej. Por Enver Hoxha nuk kishte kundërshtim që fjalët të qarkullonin brenda për brenda vendit, duke u thënë tërthorazi shqiptarëve se “kalaja e kuqe” ishte e armatosur me bomba atomike. Që të mos i biem në qafë kot Sigurimit të Shtetit, edhe kjo legjendë, kishte në origjinë një shaka të vetë personit, pra Fatosit, e cila i ishte raportuar Sigurimit të Shtetit dhe ishte përdorur prej tij. Në një bisedë mes shokësh, kur Fatosi kishte nisur studimet universitare për fizikë bërthamore, dikush e pyeti se përse nuk kishte shkuar të studionte për gjuhë-letërsi, meqenëse e kishte pasion letërsinë dhe aspironte të bëhej shkrimtar (në atë kohë Fatosi kishte nisur të botonte poezi dhe tregime në shtypin letrar). Fatosi iu përgjigj si me shaka: E ashtu do të kisha dashur dhe unë, por çfarë t’ u bëj atyre të mëdhenjve atje lart, që kanë mendim tjetër dhe thonë se na duhet fizikan djali i Todit, që të mbajë çelësat e arsenalit atomik të Shqipërisë!

      Këto lloj shakash qenë në natyrën e Fatosit. Sipas praktikës së kohës, Sigurimi bënte sikur nuk i vinte re fjalët që lëshonin lart e poshtë fëmijët e udhëheqjes, por i regjistronte të gjitha, me porosi të Enverit, se mund të vinte dita që të shërbenin, siç edhe ndodhi në shumë raste.  Çfarë ka menduar Fatosi kur atë e arrestuan para të atit? Nuk mund të mos ketë menduar se arrestimi i tij ishte një shenjë e sigurt se të atin e tij do ta akuzonin për komplot dhe atë Fatosin me siguri që do ta akuzonin si pjesëmarrës në komplot. Kjo do të thoshte se do ta dënonin me vdekje, me pushkatim. Në vetminë e qelisë, truri i djalit njëzetetrevjeçar nisi të kërkonte rrugë shpëtimi. Duke qenë se kishte nisur të lexonte filozofi atij i erdhi në mendje ideja e atëvrasjes. Kjo është një nga idetë qendrore të Fatosi të cilën ai e ka shtjelluar në shumë artikuj të botuar në shtyp. Në një artikull të botuar në 24 shkurt 2011 në gazetën “Panorama”, Fatosi shkruan: “Atëvrasjen’, për të cilën po flas (pa hyrë në thellësinë e kësaj teme qendrore të psikanalizës së shekullit XX dhe me plot interpretime) e kuptoj simbolikisht, si çlirimin e bijve vëllezër nga figura autoritare e atit të dhunshëm që u rrëmbente gjithçka për vete, edhe gratë, derisa një ditë e vranë, e hëngrën dhe vendosën një rend tjetër të gjërave, me ‘totemin’ që zëvendësoi atin dhe ‘tabutë’, që metaforikisht këtu do t’i quaja rregullat e një bashkëjetese ndryshe. (‘Totem dhe Tabu’, Sigmund Freud). Frojdi shpjegon nëpërmjet këtij miti lindjen e religjioneve. Gjithë simbolikisht kompleksin e Edipit, që çon në atëvrasje, Jungu e interpreton si një dëshirë transformimi, rilindjeje, të tjerë si një dalje  nga stadi i kafshës në stadin njerëzor social etj.”.

      Kështu shkruan Fatosi. Sipas tij, edhe gjeneratat e reja shqiptare duhet të kryerjen “atëvrasjen”, domethënë të rrëzojnë kultet e paraardhësve. Pasioni me të cilin Fatosi e zhvillon idenë e atëvrasjes, duke e projektuar atë te të gjithë shqiptarët, të bën të dyshosh se ai kërkon të çlirohet nga ankthi i atyre netëve të para në qeli në vitin e largët 1974, kur atij i lindi ideja e atëvrasjes. Ati i tij do të vdiste gjithsesi, ka menduar Fatosi, për shkak se pritej që ai të akuzohej për komplot, por së paku vdekja e tij të shërbente për shpëtimin e djalit. Atëherë qarkulluan fjalë, të përhapura me siguri nga policia sekrete e regjimit, se djali i arrestuar i Todit i kishte dërguar një letër Enverit, ku i shkruante se i ati i tij e kishte detyruar që të studionte për fizikë, që të depërtonte në sekretet bërthamore të shtetit. E vërteta është se Fatosit nuk i pëlqente fizika por letërsia. Ai zgjodhi që të studionte për fizikë vetëm se me këtë diplomë mund të shkonte për studime në Perëndim në Francë, ku regjimi çonte një numër të vogël studentësh të përzgjedhur, që të studionin për shkenca natyrore. Pra, Fatosi e donte diplomën në fizikë për të bërë turizëm arsimor, duke përfituar nga pozita e tij si djalë i një anëtari të udhëheqjes komuniste. Fatosi nuk i ka komentuar kurrë më pas fjalët që qarkulluan pas arrestimit të tij, ndonëse kur i intereson komenton shumë fjalë që qarkullonin në atë kohë. Gjithsesi, thelbi i fjalëve që qarkulluan pas arrestimit të tij është në logjikën e idesë së atëvrasjes, të cilën aq fort e ka për zemër Fatosi. Në 1 mars 2010 në emision e Fevziut me temë “Vrasësi serial”, Fatosi, sipas stilit të tij, përdori një ndodhi kriminale të ditës për t’ u atribuuar shqiptarëve në tërësi veti kriminale. Paradoksale, kur mbi atë vetë rëndon një krim atëvrasjeje që sa i përket atij, mund të quhet si i kryer. Përse Enveri e arrestoi Fatosin para të atit?

      Ndryshe nga ç’ mund të mendohet, Fatosi nuk e pësoi se i ati i tij Todi u shpall armik nga Enveri dhe priste të arrestohej. E kundërta është e vërtetë. Todi e pësoi për shkak të të birit. Ose më saktë, si Todi, ashtu dhe Fadil Paçrami e pësuan për shkak të fëmijëve të tyre, Todi të djalit dhe Fadili të vajzës. Todi dhe Fadili nuk u dënuan për shkak se- po të flas në gjuhën e kohës- u hapën rrugë ndikimeve liberale, perëndimore në kulturë dhe mënyrën e jetesës. Todi dhe Fadili, nuk kishin mundësi që ta bënin këtë gjë as për 24 orë, duke ditur mekanizmin e kontrollit që ekzistonte në atë kohë. Atë që është quajtur periudha e liberalizimit të jetës së vendit, e lejoi Enveri, për shkak se e kuptoi që u teprua me zbatimin në Shqipëri të modelit të Revolucionit Kulturor maoist kinez në Shqipëri, gjë që bëri që Shqipëria të shihet nga të dy blloqet kundërshtare të Luftës së Ftohtë si një provincë kineze në Europë. Nëse Todi dhe Fadili do të kishin qenë përgjegjës për atë që u quajt si liberalizimi i jetës së vendit, ata me siguri që do të qenë dënuar si komplotistë, sipas formulës së Enverit se agresioni ideologjik, domethënë liberalizimi i jetës së vendit, i paraprinte agresionit ushtarak ndaj Shqipërisë komuniste. Sipas kësaj formule, Todi dhe Fadili duhet të qenë pushkatuar, ashtu siç ndodhi me “komplotistët” e tjerë në ushtri dhe ekonomi. Por Enveri, megjithëse e zhvilloi tezën e komplotit në kulturë, nuk e materializoi atë me një gjyq komplotistësh në këtë fushë. Madje Todi dhe Fadili nuk dolën së bashku në gjyq si grup i organizuar, ashtu siç pritej të ndodhte nisur nga fjalët e Enverit, por patën procese të veçuara, ku Todi u dënua për agjitacion e propagandë (dhjetë vjet) dhe për armëmbajtje pa leje (pesë vjet). Pse ndodhi kështu?

      Todi dhe Fadili nuk do të qenë dënuar fare dhe e ashtuquajtura çështje e liberalizimit të jetës së vendit do të ishte mbyllur pa bujë, kur Enveri ta gjykonte të nevojshme, siç vepronte regjimi në raste të tjera, nëse dy fëmijët e tyre Fatosi dhe Zana nuk do të bënin gafën që të martoheshin të dy. Them gafën se Enveri qe shumë i ndjeshëm ndaj martesave që bënin me njëri-tjetrin fëmijët e rrethit të udhëheqjes komuniste. Për fejesa dhe martesa të tilla ishte praktika që merrej leja tek ai dhe gruaja e tij Nexhmija. Merret vesh, Enveri i trembej krijimit të klaneve. Fatosi u martua që në vitin e tretë të studimeve universitare, në moshën 21 vjet dhe po atë vit, në 1972, i lindi dhe fëmija i parë. Sikur të mos mjaftonte martesa pa leje brenda rrethit të udhëheqjes, Todi pranoi një veprim servil të drejtuesve të kohës të Kombinatit ushqimor “Ali Kelmendi” në Tiranë, i vetmi në vend, të cilët me rastin e kësaj martese i vunë emrin “Zana”, një lloji të ri karamelesh të shtrenjta që dolën në atë kohë. Drejtuesit e Kombinatit e bënë këtë gjë që Todi t’ u bënte publicitet atyre në televizionin që drejtonte dhe që ishte i vetmi në vend. Karamelet me emrin e nuses qenë një gjë që ndodhte vetëm me rastin e martesave mbretërore. Fati i Todit dhe i Fadilit u vulos kur Nexhmija i hodhi mbi tryezën e punës Enverit një grusht karamelesh të mbështjella me letër të kuqe ku shkëlqente me germa të arta emri “Zana”. Këtu u vulos dhe fati i Fatosit, duke u bërë ai i urryer për Enverin. Kur u lirua Todi nga burgu në 1987, ai i shkroi letër Ramiz Alisë dhe i kërkoi që t’ i lironte të birin. Ramizi natyrisht e pyeti Nexhmijen nëse ajo kishte kundërshtim që të falej djali i Todit. Nexhmija, siç tregojnë dëshmitarët, gati kërceu përpjetë duke thënë: “Kush, ai princi për dasmën e të cilit dolën karamele firmato me emrin e nuses së tij? Jo, atë jo!” Kështu që Fatosi për shkak të karameleve me emrin e gruas qëndroi në burg deri në mars 1991.

      Që të mos e ngarkoj Fatosin më tepër se ç’ e meriton ai u nda nga miti nacional-komunist “Zana” me t’ u liruar nga burgu, domethënë divorcoi gruan (Kam dëgjuar se Fatosi nuk pranon as në Facebook miqësi nga persona me emrin “Zana”, por nuk ka çfarë bën kur ndonjë e tillë bën “like” faqen e tij). Atë grua e cila ishte kujdesur për të gjatë shtatëmbëdhjetë viteve që ai kishte qenë në burg, i kishte shkuar ta takonte rregullisht dhe i kishte dërguar ushqime, të cilat i siguronte duke bërë punët e vështira ku e kishte çuar regjimi. E megjithatë Fatosi në asnjë nga librat e shumtë që ka shkruar, nuk ka thënë dy fjalë mirënjohjeje për këtë përkushtim të gruas së tij. Në librat e tij, Fatosi ndonjëherë e përmend gruan, kur flet për kohën e burgut, por vetëm si shoqëruese të fëmijëve në takimet me të në burg. Vetëm nëna e Fatosit, Liria, thotë fjalë të mira e të ndjera në kujtimet e saj, për përkushtimin e nuses, Zanës ndaj djalit të saj. E pastaj Fatosi ka guximin që të dalë në emisionin “Opinion” të Fevziut dhe të ligjërojë për problemet e familjes shqiptare, të divorceve, të keqtrajtimit të grave nga burrat etj. Arsyeja kryesore që Fatosi u arrestua para të atit është se Enveri e përdori këtë arrestim për t’ u dhënë një kumt të qartë njerëzve të udhëheqjes komuniste: “E patë se çfarë ndodhi me dhëndrin e një martese brenda udhëheqjes të bërë pa lejen time? Kush të dojë le ta provojë!”

      Por Fatosi lëndoi edhe sedrën intelektuale të Enver Hoxhës me një veprim të vetin. Në 8 korrik 1974, saktësisht 17 ditë para se ta arrestonin Fatos Lubonjës, i cili në atë kohë gjendej në Lezhë me familjen e tij të cilën e kishin dëbuar nga Tirana, i lindi një vajzë të cilën ai e quajti me një emër shumë të rrallë, Tetis, që ishte një emër mitologjik. Tetisi ishte një nimfë, nëna e Akilit. Siç na thotë në kujtimet nëna e Fatosit, Liria, emrin vajzës ia vuri pikërisht Fatosi: “Emri Tetis iu vu pas një diskutimi në familje. Tetis-hyjnesha e detit- qe zgjedhur nga Fatosi”. (Liri Lubonja, “Larg dhe mes njerëzve”, Botime “Fjala”, Tiranë 2007, f. 44)

      Enveri, i cili kishte nxjerrë rregullore të posaçme për emrat që kishin të drejtë t’ u vendosnin shqiptarët fëmijëve, e kishte në praktikën e tij që të informohej për emrat që u vendosnin fëmijëve në familjet e anëtarëve të udhëheqjes komuniste. Todi tani nuk mund të quhej më pjesëtar i udhëheqjes, por ishte në fokusin e Enverit, për shkak se nuk kishte mbaruar ende punë me të. Prandaj është e sigurt se që ditën kur Fatosi e quajti vajzën e tij “Tetis”, Dega e Punëve të Brendshme të Lezhës dhe Komiteti i PPSH i rrethit informuan Tiranën, për emrin e çuditshëm që i kishte vënë vajzës djali i “armikut”. Dhe Fatosi e dinte këtë gjë. Normalisht, në një rast tjetër, nëpunësit e gjendjes civile nuk do ta kishin pranuar këtë emër Fatosit, por me sa duket kishin porosi që ta bënin këtë në rastin e familjeve të “armiqve” të dëbuar nga Tirana, që pastaj emrat që u vinin fëmijëve të përdoreshin si prova shtesë kundër tyre. Enveri, i cili duhet të jetë informuar që atë ditë ose të nesërmen, është ndjerë dyfish i prekur. Enveri e njihte mitologjinë greke dhe përdorte shpesh figura prej saj në fjalimet e tij. Ai e dinte se Tetis ishte vajza e Nereut, një titan-hyjni i detit, i cili kishte aftësinë e profecisë, dhe këtë ua zbulonte atyre që arrinin ta gjenin në shpellën e thellë nën det ku jetonte. Enver Hoxha e ka kuptuar kumtin e figurshëm që ishte duke i dërguar Fatosi. Shkurt, Fatosi, me atë që mund ta quajmë Kodi “Tetis”, ishte duke i ofruar Enverit shërbimet e tij si atëvrasës. Mua më kanë ndryrë në një “shpellë të errët” ishte duke i thënë Fatosi, i cili nuk mund të mos e perceptonte kështu vendin ku e kishin dërguar bashkë me familjen në Lezhë, duke e hequr nga vila në Tiranë. Por ti, shoku Enver mund të më gjesh këtu ku jam dhe do të shërbej për të thënë se çfarë do të bënin “komplotistët”, domethënë im atë. Nëse Enveri do të kishte vendosur që ta dënonte Todin si komplotist, ai me siguri që do t’ i mirëpriste shërbimet e Fatosit.

      Kodi “Tetis”, ndonëse nuk ndikoi në llogaritë e Enverit për dënimin e Todit, megjithatë lëndoi ndjenjën e vanitetit intelektual te Enveri. Nga të gjithë njerëzit që kishin fatin të gjendeshin pranë Enverit, ai kishte një mospëlqim të menjëhershëm ndaj atyre që kërkonin të tregonin erudicion në prani të tij. Në bisedat ku ishte i pranishëm Enveri vetëm ai kishte të drejtë të tregonte erudicionin e tij dhe të tjerët mund ta bënin këtë gjë vetëm kur i pyeste ai për diçka. Enveri acarohej sidomos kur në prani të tij flisnin me figura mitologjike, duke hyrë kështu në fushën e tij të parapëlqyer. Pikërisht në 26 korrik 1974, një ditë pas arrestimit të Fatosit, Enveri tha në fjalimin e mbylljes në Plenumin V të KQ, që u mblodh për dënimin e ushtarakëve: Ky vrull i përngjan rrymës së atij lumi të tërbuar që në mitologji flitet se shërbeu për të pastruar hauret e Avgjisë. Kështu mund ta kuptojmë luftën e klasave te ne”.(Enver Hoxha: Vepra, vol. 53, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1987, f. 58)

      Domethënë se në llogaritë e Enverit Fatosin e kishte marrë lumi, por jo për ta mbytur. Ky “lumë” i luftës së klasave do ta kishte mbytur Fatosin vetëm nëse i ati Todi, do të ishte dënuar si komplotist. Por Enveri  nuk mund t’ i lejonte vetes luksin juridik që ta çonte Todin në gjyq të akuzuar si komplotist. Se në një proces të tillë duhet të evidentoheshin shumë detaje të cilat Enveri nuk donte të dilnin në dritë në një proces të tillë. Në një proces të tillë nuk mund të mos thuhej se gruaja e Todit kishte një vëlla në SHBA, i cili vërtet kishte ikur nga Shqipëria që para ardhjes së komunistëve në pushtet, por ai kishte qenë një veprimtar fashist, dhe kishte botuar artikuj në shtypin fashist. Gjithashtu, nuk mund të mos përmendej edhe historia e kushërinjve të parë të gruas së Todit, të cilët qenë arratisur nga Shqipëria komuniste dhe kishin emigruar në Zelandën e Re, ku jetonin në atë kohë. Njërin prej këtyre kushërinjve, Fatosi e përmend në librin e tij “Nëntëdhjeteshtata”, ku thotë për vetveten se: “Po merrej me synopsisin e një romani që mendonte ta titullonte Vapori me sheqer. Romani ishte ndërtuar mbi historinë e një piramide të vogël financiare që kishte hapur një kushëriri i tij. Rënia e saj kishte ndodhur më herët se të tjerat, pa bujën që bënte ato ditë rënia e të mëdhave… Përshkrimi i shtëpisë së Lulit dhe i ardhjes së tij në Tiranë pas 44 vjetësh… Kështu e gjeti Luli në vitin 1990, shtëpinë e babait që e kishte lënë më 1947 kur ishte arratisur nga Shqipëria… E priti gjithë fisi si të ishte një perëndi… Flitej se suksesin e parë në biznes e kishte pasur në Zelandën e Re, por tashmë tregtia e tij ishte shtrirë në të gjithë botën”. (Fatos Lubonja, “Nëntëdhjeteshtata”, Shtëpia botuese “Marin Barleti”, Tiranë 2010, f. 11-12)

      Ky Luli për të cilin flet Fatosi është Lulzim Pogoni, djali i Pertef Pogonit, i cili kishte qenë ministër në qeverinë e parë fashiste që u krijua në Shqipëri pas 7 prillit 1939. Pertef Pogoni ishte daja i gruas së Todit dhe ishte pikërisht ai që ndihmoi familjen e Lirisë që të vendosej në Tiranë, pas fatkeqësisë që pësoi kur i ati i Lirisë dhe gjyshi i Fatosit, Ibrahim Ftera (nga Ftera e Sarandës), vrau veten në Durrës, në 1928, në rrethana të cilat sot e meritojnë që të bëhen të ditura vetëm se Fatosi i lejon vetes të përzihet edhe në vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Lulzim Pogoni u arratis nga Shqipëria në 1947, ose më saktë u legjendua arratisja e tij nga Sigurimi i Shtetit që të dërgohej për të krijuar bazën e Sigurimit të Shtetit në Zelandën e Re. Lulzim Pogoni ka shkuar në Zelandën e Re që në 1951 me të njëjtën anije (“Goya”) me të cilin shkoi dhe Halit Bajrami, i cili më pas doli se ishte i infiltruari i Sigurimit të Shtetit në komandon e Xhevdet Mustafës. Në Zelandën e Re u krijua baza më misterioze e Sigurimit të Shtetit, i cili e përzgjodhi atë, për shkak se Zelanda e Re ishte një vend i pasur, i largët, një copëz Perëndim në fund të botës. Në Zelandën e Re, u dërguan nga Shqipëria persona të legjenduar si të arratisur, siç thuhej në gjuhën e Sigurimit të Shtetit për të arratisurit e rrejshëm, të cilët qenë të pajisur me shumë para për të blerë prona të patundshme, ferma, hotele, restorante, dyqane etj., të cilat do t’ i shërbenin Sigurimit të Shtetit. Këtu ishte dhe çelësi i suksesit në tregti të Lulzim Pogonit. Me të ardhur në Shqipëri, në 1991, Lulzim Pogoni shkoi të takonte… Ramiz Alinë. Fatosi shkruan në librin e përmendur më lart: “Lulin e priti edhe vetë Presidenti i fundit komunist, Ramiz Alia… E dha edhe televizioni lajmin e takimit të tij me Presidentin”. (Fatos Lubonja, “Nëntëdhjeteshtata”, Shtëpia botuese “Marin Barleti”, Tiranë 2010, f. 11-12)

      Me këtë takim Lulzim Pogoni e dekonspiroi veten të kishte qenë agjent i Sigurimit të Shtetit, se Alia në atë kohë nuk priste në takime publike të arratisurit politikë, dhe as këtë nuk shkonin te ai, nëse nuk kishte pasur fije të tjera që i lidhnin me regjimin e vjetër. Lulzim Pogoni kishte pasur dhe një vëlla tjetër, Bardhyl Pogonin, i cili pasi qe arratisur nga Shqipëria komuniste kishte emigruar në SHBA, ku punoi si gazetar te “Zëri i Amerikës”. Nëse Todi do të ishte akuzuar si komplotist, edhe juridikisht përveçse politikisht, atëherë emrat e kushërinjve të parë të gruas së tij, si dhe i vëllait të gruas, i cili gjendej në SHBA, do të përmendeshin patjetër në gjyq, ndryshe diaspora antikomuniste do të niste të pyeste Lulzim Pogonin dhe vëllain e tij se përse Enver Hoxha i kishte kursyer ata. Enveri nuk i leverdiste kjo gjë se kompromentohej baza shumë e rëndësishme e Sigurimit të Shtetit në Zelandën e Re. Nëse Todi akuzohej si komplotist, atëherë duhej të arrestohej edhe gruaja e tij, gjë që nuk ndodhi kurrë. Për shkak të këtyre lidhjeve, Enveri me siguri që nuk do ta kishte dënuar kurrë Todin dhe nuk do ta kishte ngritur atë zhurmë ndaj tij, nëse Fatosi nuk do të kishte bërë gafën që të dashurohej dhe martohej me vajzën e Fadilit.

      Kur Fatosi përmend firmën piramidale të krijuar në Shqipëri nga kushëriri i tij, Luli, nuk thotë se një nga njerëzit e parë që humbi paratë në këtë piramidë financiare ishte dhe vetë ai. Fatosi që në 1991 filloi të merrte shumë para nga Fondacioni “SOROS” dhe pjesën më të madhe të tyre ai ia jepte kushëririt të tij tregtar, Lulit, që t’ i shumëfishonte. Por një ditë Luli u zhduk nga Shqipëria, së bashku me paratë, dhe bashkë me të u zhdukën edhe ëndrrat e Fatosit se do të bëhej milioner në dollarë, apo miliarder në lekë, siç i pëlqente t’ u thoshte kushëriri i tij Luli, kreditorëve të tij. I rrëmbyer nga ethet e tregtisë, dhe më pas i tronditur nga falimentimi, Fatosi nuk mendoi për të marrë diplomën universitare, e cila i kishte mbetur pa marrë për shkak se e burgosën dikur. Kur e arrestuan Fatosi kishte përfunduar vitin e pestë të studimeve universitare dhe sipas rregullave të kohës do të bënte një vit praktikë, apo stazh, siç quhej, kohë kjo gjatë së cilës studentët do të përgatiteshin për diplomim. Por Fatosi e arrestuan pak ditë pas përfundimit të vitit të pestë, kështu që ai në 1991 doli nga burgu si i padiplomuar. Në 1991, pas shtatëmbëdhjetë vitesh qëkurse ishte shkëputur nga fizika, duke menduar dhe zhvillimin që kishte pasur kjo shkencë që nga ajo kohë, Fatosi, i cili kishte qenë një student mesatar, nuk mund të arrinte të merrte diplomën. Kështu që ai e la këtë historinë e diplomës, dhe nuk e di nëse e ka blerë më vonë me para sorosiane. Nuk është ironi e vogël nëse ka ndodhur kështu se Fatosi flet shpesh në televizion dhe në shtyp kundër universiteteve private që bëjnë tregti me diploma, si dhe kundër atyre që i blejnë këto diploma. Kur vetë Fatosi nuk ka arritur dot që të marrë as një diplomë universitare në moshën 62 vjeç, dhe nëse e ka bërë këtë gjë me siguri që e ka blerë diplomën. Por në të vërtetë Fatosit nuk i duhet diploma universitare, se ai ka marrë një dëshmi nga SOROS-i që në 1991, sipas së cilës ai është një njeri i përshtatshëm për të bërë dekonstruktorin e “miteve” nacionaliste në Shqipëri.

      Ndonëse Fatosi ka shkruar disa libra ku flet për kohën e burgut, ai në to flet gjerësisht për dënimin e tij të dytë, në 1979, kur ishte në burg dhe jo për dënimin e parë, në 1974. Fatosi në librat e tij ka botuar vetëm vendimin e gjyqit të dytë, por jo atë të gjyqit të parë. Fatosi ka shkruar një libër me titullin “Ridënimi”, por jo një libër me titull “Dënimi i parë”. Ky paradoks ka ndodhur se personazhet kryesore të tragjedisë që luhet te “Ridënimi” kanë vdekur që në atë kohë, si të pushkatuar nga regjimi. Por personazhet kryesore të dramës “Dënimi i parë”, nëse mund ta quaj kështu, kanë qenë gjallë gjatë krejt kësaj kohe, madje janë ende gjallë. Kështu që Fatosi pret vdekjen e tyre që të shkruajë, apo më saktë të botojë librin “Dënimi i parë”, duke i treguar gjërat ashtu siç i pëlqen atij.