Foto LESKO/ Ballë për ballë me të vërtetën e hidhur

590
Sigal

Jeta këtu është bërë e pasigurt, në vend të ecim para nga veprimet duket që jemi ende larg

Pak kohë më parë, me një shokun tim të fëmijërisë, u ulëm për një kafe në një lokal diku në Athinë. Kishim kohë pa u takuar dhe siç është e logjikshme në të tilla raste, biseda vërshoi rreth problemeve tona familjare, rreth krizës ekonomike që ka pushtuar këtë vend e që reflektohet dukshëm edhe në jetën tonë të përditshme. Shoku im i fëmijërisë, disi i humbur në vetvete, shprehte ankthin për të nesërmen, veçanërisht për fëmijët. “Ne bëmë si bëmë, e hëngrëm çairin, por këta të rinj qysh do ja bëjnë. Po marrin rrugët pa ditur se ku”. Emigrantë tej emigrantëve, të varfër dhe të zitë e ullirit, por ishim të bashkuar. Tani jemi shpërndarë si kokrrat e tespies. E pashë shokun tim në fytyrë, disi të ngrysur. Në ballin e tij shenjat e torturës komuniste dhe ai në të veten: ishim të varfër por grushtmbledhur, të dashur me njëri tjetrin. Ai, shoku im i fëmijërisë, që pjesën më të bukur të rinisë e kaloi qelive të Spaçit. Dhe përse? Për një fotografi të Hrushovit, që iu gjet në libra, e harruar qysh atëherë kur tërë fshatit iu dha nga një fotografi e tillë për të përshëndetur mikun e dashur nga Bashkimi Sovjetik që do të kalonte nga fshati jonë. Që atëherë kur çdo shtëpi e familje dha qilimat e vet për të shtruar rrugën nga do të kalonte miku i dashur. Ajo fotografi e harruar, por e rënë nga librat gabimisht rrugës, u bë shkak që ky shoku im i fëmijërisë të paditet keq për agjitacion e propaganda. Se kush e vuri re rastësisht, informimi ishte bërë rrufe. Natyrisht nga të edukuarit e sistemit të atëhershëm. Ja kjo ishte e tëra, që ky të vuante vitet pa mbarim në burgje. Tek po bisedonim lirshëm, befas në ekranin e televizorit të lokalit ku pinim kafen, filluan të jepen pamje të çastit nga një protestë e sindikatave të kryeqytetit grek, skena të zakonshme për ne emigrantët shqiptarë. Kur grupe të veçantë protestuesish, kryesisht të rinj, nisën trazirat, shkatërrimet e gjithfarë veprimesh, që vetëm demokraci nuk kujtojnë, shoku im i fëmijërisë shpërthen: “Çfarë faji kanë njerëzit e thjeshtë, që i qëllojnë, ç’punë kanë me vitrinat e dyqanet që i thyejnë e u vënë zjarrin, ç’punë kanë me pllakat e trotuareve që i thyejnë. Le ta vënë me politikanët e pushtetarët. Një Enver Hoxhë deshën këta, vetëm 24 orë pa do shikoje se si do të rrinin, si pula të lagura”. E pashë drejt në sy dhe heshta. Heshta dhe mendova ne vetvete: Si është e mundur që ky njeri, i persekutuar rënde nga regjimi komunist, të përmendë Enver Hoxhën? Nuk m’u durua dhe në koifidencë e ngacmova. Dëgjo, -më tha, -nuk dua ta kujtoj të kaluarën time. Jo vetëm unë, por dhe ti, të gjithë shqiptarët. Ashtu na katandisën. Të mbyllur në guackë, me një fshat të prapambetur, me atë ashpërsinë e egër të luftës së klasave, qe kishe frike se mos të shpëtonte ndonjë fjalë edhe para vëllait apo babait. Ndaj e deshëm dhe e përqafuam demokracinë, që të jemi të lirë. Jo një demokraci ku politikanët e pushtetarët të vijojnë rrugën e Hoxhës, ndryshe le të pranojnë që janë bastardët e tij. Po bëhen gati 25 vjet demokraci dhe demokraci të vërtet nuk po shohim. Dje kishte të tjera fenomene keqbërëse, t’i thashë pak më parë, tani po shohim të tjera edhe më të rrezikshme. Janë këta që të detyrojnë të çosh ndër mend disa gjëra të djeshme, që edhe pse në një sistem të egër, ishin të mirëpritshme nga populli. Sot, me ç’po lexojmë nëpër gazeta apo shohim në televizor, del në mëngjes nga shtëpia dhe nuk e di në kthehesh i saktë. Mbizotëron frika e paniku. Dje nënat tona në mes të natës i ngjiteshin të vetmuara Llogarasë për çaj e sherebel. Mund ta harrosh këtë? Dritë elektrike kishim ditë e natë tërë vitin, tani është bërë e zakonshme që të ndërpriten edhe tri e katër ditë radhazi, pale në qytet me orar ku gjeneratorët nëpër trotuare të zhurmojnë gjithë ditën. Sot në demokraci mungon energjia elektrike, dje Shqipëria nuk kishte fshat pa dritë, i jepte edhe Greqisë, Bullgarisë etj.. Sot vritemi me gjitonin për pak ujë për të pirë, me orar këtu, me orar në qytet, kur vendi ynë ka aq pasuri ujore sa të mbysë të gjithë Ballkanin. Mos të çoftë fati të shtrohesh në spital se e paguan shtrenjtë, duhet të shpërngulësh gjysmën e rrobave të shtëpisë pasi nuk ka kushte. Ja, këto e shumë të tjera më çojnë tek e djeshmja, të përqafoj ato të mira që kishte. Mirë bëjnë këta kryedemokratë që shajnë të djeshmen e egër, por akoma më mirë do të bëjnë sikur të merren më seriozisht me të sotmen, me jetën e popullit që i vuri aty lart. Deviza e tyre për fat të keq ka qenë karrikja, lavdia, pasuria, paradat me helikopter mbi kokat tona gjatë verës, sharjet pa etikë në parlament, mburrjet para mikrofonave etj, etj. Diktatura nuk është demokraci, demokracia nga ana e saj është zbatim ligjesh, por ligje që janë në interesat e popullit e jo zhvatëse të popullit të thjeshtë. U hapën piramidat fantazmë, ku përfunduan paratë e popullit? Nuk është e vështirë të kuptohet se me ç’qëllim u hapën. Ligji për tokat shkatërroi çdo gjë të ligjshme e mori jetë njerëzish edhe pse tani nga ‘demokratët e flaktë’ të demokracisë pranohet si i paligjshëm. E ç’rëndësi ka kjo tani kur është bërë çorbë ky problem. Mburren për suksese të mëdha të vendit gjatë viteve të demokracisë dhe nga ana tjetër nga media mësojmë se Shqipëria është e mbytur në borxhe. Si do të shlyhen këto? Po nga populli, nga ne vetë. Ajo që po ndodh vitet e fundit në Greqi, ku njerëzit shtrëngojnë gjithnjë e më shumë ‘rripin’, kam frikë se do të ndodhë edhe tek ne. Sepse ata që japin borxhe, nuk i preu barku për ne, kanë qëllimet dhe interesat e tyre. Kanë filluar kambanat e para, jo me ndalimin e rritjes së pensioneve, jo me rritjen e moshës së pensionit, me rritjen e pagesës së energjisë elektrike etj.. Kam frikë se do të dëgjojmë të tjera mandate më vonë. Ja pse po humbet besimi për autoritarët e mëdhenj të kombit. Njëri gozhdës e tjetri patkoit. Dëgjova ditët e fundit për shfaqje të malarjes në disa zona të vendit, e tmerrshme. Vërtet diktaturë e egër komuniste ajo e Enver Hoxhës, por malarja ishte një ëndërr e keqe e së kaluarës. Toka e moçale të bonifikuara e të kulluara, të sistemuara, edhe pse u bënë jo me djersë, por me gjakun e njerëzve të përvuajtuara nga regjimi. Tani në shekullin e 21, kur Shqipëria përgatitet të futet në familjen europiane, na shfaqet kjo fantazmë vdekjeprurëse. Të dalin zotërinjtë politikanë e pushtetarë të flasin për arritjet e 25 viteve demokratike, të mburren sa njëri e tjetri, që e kthyen këtë periudhë në regjim të tyre, por më parë le të dalin e japin llogari para popullit për këto bëma dhe këto ecje prapa. Autoriteti i politikanit dhe qeveritarit, mbahet gjallë në shpirtin e popullit kur ai nuk i mbulon e i fsheh gabimet me disa suksese, por me fytyrën e pastër për t’i ndrequr ato. Për fat të keq nocioni autoritet për ‘kapodemokratët’ e 25 viteve ka humbur. Është një e vërtetë kjo, një e vërtetë e hidhur.