Spiro Mani: Si e ngritëm Enverin në skenë me vallen “Jam fatos nga Labëria”

1877
Sigal

 Mjeshtri sarandjot rrëfen ngjarjen e rrallë të 26 marsit 1978, kur udhëheqësi komunist hodhi valle me fëmijët

Në fakt të mbushet plotësisht mendja tek uniteti kompakt i fshatit Senicë të krahinës së Rrëzomës në rrethin e Delvinës, tek i sheh përditë të mbledhur tek kafe “Senica” në Sarandë. Këtu gjejmë edhe një intelektual, mes të shumtëve të këtij fshati. Quhet Spiro Nani. I njohur ky për vallen e famshme të vogëlushëve të fshatit Fushë-Vërri në Rrëzomë, fshat ku Spiro punoi rreth 30 vjet si mësues, pikërisht nga viti 1962 e deri më 1991, vite ku përveç respektit si mësues, la dhe gjurmët e pashlyeshme në memorien e kulturës jugore, grupin e valltarëve të valleve tradicionale të Labërisë me fëmijët e Fushë-Vërrisë. Mësues Spiro Nani, para se të flasë për lexuesin e “Telegraf” për krijimin e këtij grupi të famshëm të valltarëve të vegjël, dëshiron të flasë edhe disa fakte dhe situata të fshatit të tij të lindjes, Senicës.

PAK HISTORI

Senica është e përmendur për kuvendin e saj mbarë jugor të pagëzuar si”Kuvendi i besës”, dhe kjo jo pa qëllim në fshatin Senicë. Senica gjeografikisht ndodhet në krahinën e Rrëzomës së Delvinës dhe është i vetmi fshat që nuk tradhtoi besën kristiane dhe kjo ka qenë nga arsyet që kuvendi i Besës u mbajt në Senicë. Ky fshat, sipas dokumenteve të arkivuara në Janinë e Stamboll, rezulton në këto troje  aty rreth viteve 1468 me 28 familje, ku shumica e banorëve ishin  gra , pasi burrat për arsye sociale, ekonomike dhe politike qenë të detyruar të emigronin. Që nga ky vit, Senicën nuk e shpërnguli asnjë gjë, përveç viteve të demokracisë, ku sot është një fshat i rrënuar e i braktisur dhe me prona të përvetësuara. Senica, nga pozicioni gjeografik, ka qenë dhe mbetet pikëlidhja e zonës me trevat e tjera fqinje. Andej shkonte rruga e karvaneve të zonave dhe në fund të këtij fshati qe edhe hani ku udhëtarët tregtar kalonin natën e të nesërmen shkonin në Delvinë e Vurg për blerje e shkëmbime mallrash. Por siç thamë që në fillim , është i vetmi fshat që nuk ndërroi besën dhe sot ka gurin e besës dhe shpellën e besës. Por për ndërrimin e besës dhe besimit fetar ka edhe një ndodhi që ja vlen ta përmendim: Qe koha kur Ali Pasha i myslimanizoi fshatrat e jugut dhe në Rrëzomë u myslimanizuan të gjitha. Mbeti vetëm Senica. Ali Pashai u egërsua jashtë mase, nuk e pranonte sfidën dhe dërgoi  tri herë emisarët e tij, jo vetëm me premtime, joshje e kërcënime, por edhe me arrestime. Senica nuk u dha. Të tri herët emisarët morën përgjigje negative. U dha urdhri të arrestohet kryeplaku Gjik Gjini dhe disa anëtarë të pleqësisë. I çuan në burgjet e Janinës, ku nuk munguan joshjet me para  e çifliqe, por senicjotët nuk pranuan. U përdorën deri torturat ç’njerëzore si paraqitje e njerëzve të mbytur në liqen të lidhur pas trungut e deri tek gropa e gëlqeres së pashuar, me mesazhin se edhe këta, këtë fat do të kenë po nuk pranuan kushtet e Aliut. Seniciotët nuk u dhanë. Ali Pasha po çuditej. Vendosi të provojë zarin e fundit: i thërret në zyrë dhe i thotë kryeplakut, Gjikë Gjini se ka parë një ëndërr dhe po ja shpjegoi, është i falur. Kryeplaku Gjikë pranoi. Pashai i tmerrshëm foli:-10 nishane, 20 dyfeqe, 30 ujqër, 40 kandar, 50 dhelpra, 60 dele, 70 qen, 80 zogj, 90 klloçka dhe 100 vezë. Ik mendohu dhe më kthe përgjigje për këtë ëndërr. Kryeplaku Gjikë nuhati hilen e luanit të Janinës dhe i kthen përgjigje se nuk ka pse të largohet, pasi përgjigjen e ka gati se këta janë nga më të thjeshtat. Habia e Ali Pashait kaloi kufinjtë. Dhe kryplaku i Senicës foli: kur fëmija vete 10 vjeç ka interes tek pushka, merr shkopinj e vë nishan. Kur vete 20 vjeç bëhet për pushkë e vete ushtar. Në moshën 30 vjeç vërtetë ka fuqinë e papërmbajtshme të një ujku. Në moshën 40 -vjeçare peshohet se sa vlerë i ka mendimi. 50 vjeç fillon hilet se, nuk ka fuqi dhe vë pjesëtarët e familjes në punë… Zbardhet  nga flokët në moshën 60 vjeç dhe në 70 vjeç nuk e dëgjon njeri për ato që thotë. 80 vjeç mbledh nipër e mbesa rreth vetes, se 90 vjeç zogjtë e trurit kanë fluturuar dhe 100 vjeç është si veza që qëndron në çdo pozicion. Kaq tha Gjikë Senica, kryeplaku historik dhe proverbial dhe Aliu u habit nga zgjuarsia e këtij njeriu, që ndonëse i pa arsimuar, në heshtje Aliu pranonte se e kish sfiduar. Ngrihet padishahu i frikshëm në këmbë dhe ju drejtua me këto fjalë:-Dëgjo!Do të fal!Po një gjë mos harro, atë fshat në qafë e paçi! Kaq është kjo ndodhi dhe mësuesi Spiro Nani thotë se, vërtet ashtu ndodhi si tha Aliu. Senica jetoi gjithë jetën nën frikë se qe i rrethuar nga myslimanët dhe si pikë lidhëse  e udhëtarëve e tregtarëve të zonave të ndryshme fqinjëtare edhe e sulmuar nga hajdutët….

ENVER HOXHA NË VALLE

Por duke lënë këto ndodhi historike, me mësues Spiron  vijojmë bisedën për grupin e famshëm të valltarëve të vegjël, ku ideator dhe realizues qe vet ky mësues i apasionuar. Valle që ngriti në podium vet kreun e shtetit komunist, Enver Hoxhën. Mësues Spiro Nani tregon se, grupi që Enver Hoxha  hodhi valle qe si vijimësi e një grupi të mëparshëm, por ata qenë rritur dhe u krijua ky grup me 6-vjeçarë, të gjithë në klasë të parë. Ky grup u krijua më 1978, vit kur koincidoi që udhëheqësi i kohës, Enver Hoxha bëri vizitat në jug të Shqipërisë. Ka qenë data 26 Mars, kur dhamë koncertin në shtëpinë e kulturës Sarandë për nder të udhëheqësit të madh. Grupi valleve tradicionale të fëmijëve të Fushë-Vërrisë luajti vallen ”Jam fatos nga Labëria” Pas koncertit Enveri u ngrit dhe u ngjit në skenë, hyri në paradhomë. Artistë e këngëtarë  e rrethuan. Fëmijët humbën në këtë situatë të krijuar. Unë fillova të mblidhja festet e fëmijëve. Nuk po orientohesha dot se ç’po ndodhte. Enver Hoxha tha  se donte fëmijët vallëtar. Erdhën e më thanë ku janë fëmijët se i kërkon shoku Enver. U hutova, e humba fare, madje… Nga kjo situatë që nuk zgjati shumë më nxori  vet shoku Enver duke mu afruar dhe më përqafuar. Kish hije, por edhe pamje madhështore. Pas kësaj, edhe unë e mora disi veten, më tha që ti vë fëmijët në valle, pastaj më pyeti se ku duhej të futej ai. I thashë pas heqësit të valles dhe ashtu ndodhi, por u krijua një si incidenti vogël se në këto momente nuk qe kamera dhe ai pyeti për këtë. Më pas ajo erdhi dhe u filmua. Enver Hoxha hodhi valle me fëmijët valltar të Fushë-Vërrisë dhe në fund i përqafoi, por fëmijët me naivitetin e tyre e pyetën që xhaxhi Enver, ti do ikësh , apo do rrish me ne!Ai i puthi dhe u tha se përherë jam mes jush. Më pas më falënderoi për punën time dhe porositi të ruhet tradita dhe të pasurohet folklori dhe kjo të përcillet me besnikëri tek brezat e ardhshëm. Por si një mësues me përvojë, Spiro Nani flet edhe për gjendjen aktuale të arsimit në zonat rurale, por edhe atë kulturore, ravijëzohet në fytyrën e tij shqetësimi intelektual për këtë situatë dhe mjaftohet me një retrospektivë si për parantezë, apo përballje:-Në atë kohë qe punë e lodhshme, me sakrifica, por nuk mungonte suksesi. Pas mësimit merreshim me aktivitete dhe përgatitje aktivitetesh si jashtëshkollore edhe sociale. Kemi fjetur edhe mbi banka të shkollës. Sot nuk e shoh këtë interes të mësuesit tek nxënësi. U përpoqa para disa vitesh të ngrija ca grupe vallesh në shkollat e qytetit, po nuk pashë reagim pozitiv nga arsimi. E lashë! Po mbase bëhet më e mira! Duhet të ketë përgjegjësi e gjithë shoqëria për edukimin e brezit të ri, ajo është garancia se si do të jetë nesër shoqëria. Ku vemi pa ruajtur traditën?! Kështu përfundon mësuesi Spiro Nani, nga Senica dhe krijuesi dhe realizuesi i valles së famshme të fatosave të Fushë-Vërisë, valle që ngriti Enverin në valle.