
Mbi 10% e popullsisë që jeton në Shqipëri është në vështirësi shumë të mëdha për të përballuar jetesën e përditshme sipas të dhënave nga databaza e INSTAT të rishikuara me censin e ri të popullsisë 2023.
Sipas të dhënave zyrtare të Anketës së Të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, përqindja e familjeve që deklarojnë se e sigurojnë jetesën me shumë vështirësi ka rënë nga 18.0% që ishte në vitin 2021, në 10.2% në vitin 2024.
Ky përmirësim statistikor nuk erdhi nga niveli i jetesës, po nga kalibrimi i të dhënave bazuar mbi strukturën e re demografike të Censit. Duke iu referuar të dhënave të reja aktualisht në Shqipëri janë rreth 245,015 individë që vuajnë nga varfëria e skajshme.
Këta individë përjetojnë një pamundësi totale për të përballuar qoftë edhe një shpenzim minimal të papritur, siç mund të jetë një emergjencë shëndetësore apo një defekt i thjeshtë shtëpiak, duke qenë se nuk zotërojnë asnjë lloj kursimi.
Ky grup karakterizohet gjithashtu nga vonesa të vazhdueshme dhe të përsëritura në pagimin e faturave të detyrueshme utilitare si energjia elektrike, uji apo qiraja e banesës, duke bashkëjetuar vazhdimisht me ankthin dhe rrezikun e ndërprerjes së këtyre shërbimeve jetike për shkak të pamundësisë për të shlyer detyrimet në kohë.
Përtej faturave, varfëria e skajshme prek në mënyrë të drejtpërdrejtë cilësinë e ushqyerjes dhe shëndetit, ku familjet e këtij grupi shpesh detyrohen të kursejnë në nevojat më elementare biologjike.
Kjo do të thotë se ata e kanë të pamundur të sigurojnë një vakt të plotë me mish, peshk ose ekuivalentë të paktën një herë në 2 ditë, duke u mjaftuar me një dietë të varfër ushqimore. Gjatë muajve të dimrit, ky presion financiar transferohet te pamundësia për të mbajtur shtëpinë ngrohtë mjaftueshëm, çka ndikon direkt në shëndetin e fëmijëve dhe të moshuarve që jetojnë në këto mjedise.
Kjo pjesë e popullsisë e ka mjaft të vështirë të përballojë zëvendësimin ose blerjen e pajisjeve elektro-shtëpiake më bazike si një lavatriçe apo një frigorifer funksional.
Sipas të dhënave 245,015 shqiptarët shumë të varfër kërkojnë ndërhyrje të targetuara, pasi kjo shtresë e ka të pamundur të përfitojnë nga rritja e përgjithshme ekonomike e vendit pa pasur politika specifike mbështetëse.




















