Familjarët e të pushkatuarve nga diktatura komuniste: “Armiq”, në diktaturë, të diskriminuar në “Demokraci”

895
Sigal

Kryetari: Ndoc

Diskriminimi vazhdon…..

Ky është titulli i një shkrimi që kam botuar në gazetën “Telegraf” me datën 20 mars 2018. Tani unë dua ta zbërthej pak këtë botim, duke e parë në kushte të tjera:

Këtë rradhë dua t’i referohem përvjetorit të 45-të të burgut të Spaçit, ku edhe unë pata fatin të vuaj një pjesë të dënimit tim, megjithëse isha minoren. Kam pasur nderin që të marr pjesë si i ftuar në dy raste përkujtimore të kësaj ngjarjeje.

Tani të vijmë te data, 23 maj 2018: Këtë rradhë organizimi ishte brenda në Spaç dhe ishte i mirë organizuar, pjesëmarrja e personaliteteve ishte e realizuar, sigurisht edhe media ishte prezent. Pjesëmarrësit folën për rastin, por ata që kanë vuajtur nuk u lejuan pothuajse fare të thoshin fjalën e tyre dhe të lind pyetja: PSE?

Unë veç të tjerave kam njohur 4 nga të vrarët e kësaj kryengritjeje, përveçse shumë të tjerëve, të dënuar për këtë rast dhe, sipas meje, duhet të lejoheshin të flisnin 2 fjalë në kujtim të atyre ngjarjeve dhe atyre vuajtjeve dhe ajo që është më kryesorja: 4 viktimave, jo vetëm nuk iu njihet e drejta e të pushkatuarit politik, kjo sipas meje, është jo vetëm e padrejtë, por e papranueshme, sepse ata ende kanë status “terrorist”. Mua si përfaqësues i Shoqatës së Trashëgimtarëve të të Pushkatuarve Politik më lind e drejta që para atyre personaliteteve të bëja pyetjen legjitime: ”Çfarë terrori kanë ushtruar 4 viktimat dhe jo vetëm ata?” Pse nuk jepen varret e tyre? Fjala se nuk dihen (si tezë) unë them se nuk qëndron. Dhe ja një argument: Aty u tha lutja për shpirtin e vuajtjet e tyre. Dhe ja po e citoj lutjen: “Lutemi edhe për ata që nuk patën një vend të denjë ku të prehen që u groposën si sende në këto shpate, me një shishe në gjoks e një numër mbi kokë. AMEN” . Pra lutja tregon se, jo vetëm dihen,por edhe munden që të identifikohen, sepse paskan një shishe mbi gjoks dhe një numër mbi kokë dhe, për sa i përket më sipër, e doja fjalën që t’ia bëja pyetjen ambasadores Vllahutin që ishte presente dhe peërfaqësues gjermane, por edhe presidentit të Republikës gjithashtu: -A është e pranueshme për Europën ose për Gjermaninë në veçanti një proçes i tillë dhe e dyta, si është vepruar në vendet e tyre dhe me çfarë ligji kombëtar ose ndërkombëtar quhen terrorist personat që nuk kanë kryer dhe nuk kanë bërë asnjë vepër terroriste?

-Pse qeveria shqiptare shkel ligjet e veta, që do të thotë përse dëmshpërblimi i të dënuarve apo të pushkatuarve nuk jepet, pse nuk bëhet fjalë për kthimin e pronave, pse nuk flitet për internimet? Atëherë a nuk është ky një zbatim i përpiktë i programit Katovica, a nuk është program që po e zbaton njeriu i ri që e rriti Partia (pra Sigurimi i Shtetit). Edhe diçka tjetër që mua si vuajtës i atij kampi (por ju lutem mos më trajtoni si nostalgjik apo ekstremist) është diçka tjetër: Aty, pra në Spaç, u shfaq një i ashtuquajtur dokumentar i ndërtuar nga TVSH dhe, madje u bë dhe një falënderim të gazetarëve të “Zërit të popullit” për kontributin që paskan dhënë për këtë dokumentar, sigurisht aty kishte edhe intervista të ish-të dënuarve (sipas meje për ilustrim) por nuk ka asnjë justifikim, që ata që na dënuan dhe na vranë, përfshi këtu edhe ato media dhe ato gazetarë që nuk lanë pështymë pa hedhur mbi shtresën tonë, të marrin lëvdata dhe elozhe dhe ne që lamë jetën, rininë dhe gjithçka të vlefshme në këtë jetë, të mos lejohemi të flasim, e thënë troç: ZBATIM I KATOVICAS PIKË PËR PIKË

Shoqata Kombëtare e Trashëgimtarëve të të Pushkatuarve Politikë, Malësi e Madhe