Engjëll Musai/Politika të respektojë institucionin e Presidentit!

537
Sigal

Afrimi i 23 Qershorit ka bërë që tensionet elektorale të ndihen kudo dhe të përfshijnë detyrimisht një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Por, nga ana tjetër janë po kaq qytetarë, të cilët të zhgënjyer nga pozita aktuale, por edhe pa asnjë shpresë dhe besim tek opozita, preferojnë të qëndrojnë në shtëpi, duke mos patur besim tek partitë për ndryshim të pozitës në vend dhe të halleve të tyre në veçanti. Me këtë mendim dhe për t’i parashtruar problemet dhe hallet e qytetarëve, që i ndeshim çdo ditë në rrugë, vendosëm të jemi pjesë e ftesës së tryezës, në takimin me Presidentin e Republikës. Por çfarë u tha nga kreu i shtetit, i cili, duhet pranuar që në këtë situatë, hapi një risi të tipit presidencial amerikan, në bashkëbisedim me njerëzit e shtypit dhe medias.

   Presidenti Bujar Nishani: Maturia e shoqërisë shqiptare, garanci për zgjedhje të lira e me standarde

 “Mbarëvajtja e fushatës zgjedhore dhe kontributi i medias në procesin elektoral ishin në fokus të takimit që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi me përfaqësues të mediave të shkruara dhe atyre elektronike në vend. Duke e vlerësuar si të pazëvendësueshëm rolin e medias në zhvillimet demokratike në Shqipëri, Kreu i Shtetit u shpreh se, kontributi i saj është parësor, sidomos në momente të tilla,  siç janë zgjedhjet parlamentare. Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit kërkoi nga mediat që, si gjatë fushatës elektorale, ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve, të ndjekin me vëmendje ecurinë e zgjedhjeve, plotësimin e standardeve të tyre, si dhe sjelljen e aktorëve gjatë këtij procesi. Presidenti Nishani bëri apel, që aktorët politikë dhe mediat në veçanti, të bëhen pjesë e frenimit të emocioneve të tepruara dhe të parandalimit të çdo dramaciteti të pabazë, në mënyrë që këto tone të mos kthehen në një kosto institucionale për vendin.”

Ja kjo ishte ajo çfarë u deklarua nga Kreu i Shtetit. Si pjesëmarrës, unë ndoshta nuk do të kisha marrë iniciativën për të shkruar, pasi i thonë të flasësh për vete, njëlloj si dikur Beluli i Estradës së Fierit. Por arsyeja pse më shtyu të them se çfarë u diskutua ishte një deklaratë e Saimirit nga Tepelena (Saimir Tahirit), i cili akuzoi pjesëmarrësit dhe mediat, si të manipuluar dhe shkelës së kodit dhe paanësisë në zgjedhje. Do më duhet të deklarojë se  të gjithë drejtuesit e mediave e konsiderojnë privilegj dhe qytetari  bashkëbisedimin me Presidentin dhe për më tepër, kur President është një mik i shtypit dhe këtë e dimë ne, që jemi të pavarur, por edhe ata që janë të majtë, apo të djathtë. Është për të ardhur keq, që kur ti shoku Saimir, si kreu i PS-së për Tiranës, fshiheshe  në datat e rëndësishme të historisë, si “17 Nëntori” dhe nuk fole një fjalë për heronjtë,  ne shoku Saimir i treguam këtij pushteti, se kriminelet e luftës dhe pinjollët e tyre nuk mund ta bëjnë ujë  gjakun e dëshmorëve, as të heronjve të Vigut. Madje, ju heshtët kur këshilli bashkiak i hoqi emrin rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, të cilët u vranë nga daja i Rugovës, emri i të cilit zëvendësoi pikërisht emrin e këtyre heronjve. Ka dhe të tjera, por dije se po filluam t’i numërojmë skandalet dhe paudhësitë e tua, nuk do ketë listë që t’i mbajë nga Tirana deri në Itali. Personalisht, gjatë diskutimit tim, theksova që anëtarët e KQZ-së duhet të mos propozohen më nga partitë, pasi vetëm në këto zgjedhje kemi 2 ish-kryetar të KQZ-së, një i majtë dhe një i djathtë, që janë në listat për deputetë, duke treguar se ky organ është i politizuar, si në kohën kur e kishte e majta ,edhe sot që e ka e djathta. Do ishte në të mirën tuaj, por edhe të praktikave europiane, që të respektojmë figurën e Presidentit, i cili do të jetë nesër njeriu më i domosdoshëm për opozitën e sotme dhe që pas 23 Qershorit, pretendon të vij në pushtet. Shembulli i Greqisë është modeli më i mirë, ku megjithëse ka krizën politike dhe financiare më të rëndë në historinë e tyre, forcat politike vendosën të ruajnë integritetin e Presidentit. Në fund të fundit edhe zoti Nishani u zgjodh President, sipas Kushtetutës Rama – Berisha dhe votave të zotit Meta. Sigurisht, që do kemi kohë të ridiskutojmë, por mendojë që duhet një pakt ku Presidenti të mos përfshihet në qorrsokakun ku e kanë futur KQZ-në, Kuvendi  dhe Kodi zgjedhor Rama-Berisha-Meta. Politikanët dhe shoku Tahiri duhet të kenë të qartë dhe të mos harrojnë deklaratën e Komisionit Amerikan të Helsinkit, më  7 Majit në Uashington, konkluzionet e të cilës janë: “Polarizimi i brendshëm dhe  bllokimi i KQZ-së kanë çuar në ‘lodhje të Shqipërisë’. Uashingtoni dhe Brukseli do vazhdojnë të nxisin përparimin demokratik dhe se një Shqipëri e qëndrueshme, demokratike dhe e begatë, e ankoruar vendosmërisht në bashkësinë euro-atlantike, është në interesin kombëtar të SHBA-ve”.