Bashkim Koçi/ Qemal Bego, njeri stoik dhe burrë i shquar

619
Sigal

Kam lexuar diku, në një libër të një filozofi të lashtësisë, ku gjatësia e jetës nuk matet me vitet që njeriu ndjehet “gjallë”, por  nga çka ai lë mbrapa, nga çka ka kryer si qytetar i këtij vendi, se sa ai “ka jetuar vërtetë” në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Mbushi 90 vjeç, dëgjojmë të thuhet për një person, me mendimin që ai i ka shijuar aq sa deshi  të mirat e kësaj Bote, pa bërë asnjë “bilanc”, asnjë “inventar” të punëve të mira që la prapa për brezat që vijnë. Qemal Bego nga fashati Çepan i Skraparit edhe pse i ka kapërcyer të 86-tat, ma thotë zemra ta radhis në listën e burrave të shquar, tek ata që meritojnë të nderohen si të tillë. Ai, ashtu si gjatë gjithë jetës, është plot vitalitet, me shpirt të plotpushtetshëm për ta bërë jetën “që të mbahet mend” e të mos dëgjojë të thuhet “ai ka filluar të vdesë prej kohësh”. Është një ndër figurat e shquara të këtij vendi, i cili, edhe pse në moshë të thyer, përpiqet ta bëjë jetën ashtu si di ai, ashtu sikundër “ia ka bërë nderin” që kur ishte çilimi, atëherë kur ndërgjegjja e tij mori flakë për shkak të përfshirjes të Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore. Ai nuk meriton kurrë t’i thuhet “nuk ka jetuar, është i vonuar në jetë”. Përkundrazi, Qemal Bego, nëse “haku shkon tek i zoti”, e gjithë kohëzgjatja e jetës së tij mbetet aset i çmuar, “bankë” ku është depozituar mundi i një jete të tërë, ndoshta dhe punë e papaguar për një gjysmë shekulli. Ishte vetëm 15 vjeç. Ky, djali i Beut të fshatit Çepan, i Hysenit, e ndiu fati të përfshihej në luftë, sepse ia ndillte zemra të bëhej edhe ai “si partizani i vogël Velo”, dëgjuar s’dihej nga kush, për historinë e tij të pashembullt. Në fillim si korrier i Grupit Partizan të Skraparit. Dhe jo thjesht nga ata korrierë që çojnë diku “një copë kartë”, si “amanet luftarak”, të urdhrave e porosive në front ku të rrezikohej koka. Shumë më shumë. Transportues municioni, fishekë armësh të llojeve të ndryshme të kohës së Nemces, të cilat ua dinte zananë, mësuar nga luftëtari i thekur i po atij fshati, emërmadhi Vaip Gogo. Në një rast ai hodhi mbi kurriz një thes të linjtë të mbushur me fishekë dhe, ashtu si një çamarrok i kohës, i duhej ta transportonte, jo pak larg, por deri në fshatin Nishicë, më shumë se katër orë për të mbërritur deri atje ku e prisnin luftëtarët. Ai mban mend të na thotë se e mori këtë rrugë i papërgatitur për rrugë të gjatë. Ishte fëmijë, axhami, nuk dinte të llogariste dot se mund të mbetej në rrugë edhe nga mos ngrënia, nga uria. Aty, në të dalë të fshatit, rasti ia solli të merrte një copë bukë të gatuar me urof, bluar në mokra të gurta. Ia dha, si për të mos i rënë zalia për bukë, plaka i vuajtur File, e cila i lut si ta kishte fëmijën e saj: “mere të keqen nëna, ta kesh me vete se je për udhë të gjatë!”. Qemal Bego nuk i mori asnjëherë dekoratat e luftës. Partizani i Brigadës së X-të Sulmuese mbeti i tillë, pra “partizan”, edhe pse bashkëluftëtarët, ashtu  si ai, u graduan e u madhuan në njësi të ndryshme ushtarake. Ashtu rrodhën ngjarjet, ashtu do të vlerësohej apo “harrohej” sakrifica e djalit të Beut të Çepanit. Diku një letër anonime, diku një pësh-pësh në “organet kompetente”, e hodhën Qemal Begon në fronte të tjerë, ato të punës, aty ku edhe atij ia thoshte zemra: “Këtu po! Këtej nuk dua të më luajnë! Do ta kenë të vështirë të gjejnë shkas për të bërë  letra anonime”. Çuditërisht, por shpesh në jetë një padrejtësi i hap rrugën një përparimi më të madh. Pra shumë gjëra rrëzohen që të mund të ngrihen më lart. Dhe Qemali, si rrallëkush, e kishte mendjen “për tu ngjitur lart” veçse me punë, veçse duke i qëndruar besnik këshillës të dëgjuar nga të parët e tij: e përpjeta të lodh, të mundon, të duhet të djersitesh, e mbi të gjitha kërkohet ndershmëri. Në të gjitha këto kërkesa ai mbeti në nivelet e njeriut të përsosur, ashtu si përkthehet në shqip nga arabishtja emir i tij Qemal: përsosmëri.  Punët më me përgjegjësi i kreu në fushën e bujqësisë. Dhe të gjitha në rrethin më të vështirë të vendit, siç ishte Berati. Kudo, pa përjashtim, në brigadë, sektor, kooperativë, nuk i doli një i dytë “që ti ngjante”, duke mbetur i paarritshëm në drejtimin e organizimin e punëve bujqësore. Në Kurtalli, një ndër ekonomitë më të mëdha në shkallë vendi, ai arriti të katërfishonte të ardhurat, të detyronte organet më të larta të pushtetit për ti dhënë dekoratën më të lartë të asaj kohe, “Hero i Punës Socialiste”. Ishte viti 1975.  Njerëzit e mirë e të drejtë u ngjajnë pemëve të mëdha, që lëshojnë hije për të tjerët, ndërsa vetë përvëlohen nga rrezet e diellit. I tillë është edhe heroi ynë i këtyre radhëve, Qemal Bego. Kur ishte drejtor i SMT-së në Urën Vajgurore, ndër më të mëdhatë e ndër më problematiket, arriti të bënte çudira. Punët, bëmat, të cilat edhe sot e kësaj dite mbeten e mbahen mend  “si në kohën kur drejtonte Qemal Bego”, lartësojnë figurën e tij si një drejtues e burrë i shquar, si një personalitet që në asnjë kohë nuk i humbet shkëlqimi. Këto ditë këshilli bashkiak në Bashkinë e Urës Vajgurore e shpalli “Qytetar Nderi”, nder ky që i ka rrënjët e hedhura tre-katër dekada më parë, por që asnjëherë nuk e bënë “të harruar” portretin dhe punët e mëdha të këtij heroi të gjallë. Lumturia nuk mund të gjejë strehëz, as në prona e as në thasët me para. Ajo banon në shpirt. Nëse dikush, qoftë dhe lexuesi i këtyre radhëve do të pyes në Berat, në të gjithë qarkun e Beratit e më gjerë për Qemal Begon, jam plot siguri se do të dëgjojë ngjarje të rralla, të pa përsëritshme, ashtu si të një Heroi. Të gjitha kanë lidhje me këtë emër, me vitet që janë pjesë e “epokës” kur ai punoi e drejtoi, me shpirtin nga ka buruar e buron ajo çka atë e ka bërë “njeriun e zemrës” për mijëra e mijëra njerëz të thjeshtë, të atyre me të cilët la vitet e një jete të tërë.  -Më ndihmo të më gjesh një punë të lehtë, i pat thënë një mik Qemalit. – Nuk mundem, ia pat kthyer ai. Të gjitha punët janë të vështira. Ky ishte dhe është Qemal Hysen Bego nga fshati Çepan i Skraparit.