Bajram Ajazi/ Kolonja ka qenë vatër e patriotëve dhe Luftës Nacional Çlirimtare

    799
    Sigal

     Historia ngriti në piedestal Luarasin, Veqilharxhin, Butkën e deri tek trimat e batalionit “Hakmarrja”

    *Ish-ushtarak 

     Krahina e Kolonjës, ka qenë vatër e përhershme e veprimtarive patriotike, qysh nga koha e Rilindjes kombëtare e deri në luftën Nacional Çlirimtare, që çliron përfundimisht vendin nga pushtuesit e huaj. Kolonjarët kurrë nuk kanë reshtur së punuari, mësuari dhe luftuari për liri e përparim të kombit. Patriotët e vërtetë kolonjarë, duke nisur nga rilindësit si: Petro Nini Luarasi, Naum Vegjilharxhi, Spiro Ballkameni, Shahin Kolonja e Sali Butka, punuan e dhanë gjithçka kishin për Shqipërinë. Më pas edhe periudha e lavdishme e LANÇ, i vuri në prove kolonjarët. Ata i kthyen kurrizin qysh në fillimet e luftës,  organizatave që punuan dhe tradhtuan çështjen kombëtare si Ballit Kombëtar, dhe ju bashkuan luftës për çlirim. Kolonja e Petro Nini Luarasit, dhe e shumë e shumë rilindësve të tjerë, edhe gjatë luftërave për liri e çlirim do të jepte shembullin e vet, dhe ka nxjerrë trima luftëtarë, që mbushën radhët e Batalianit “Hakmarrja”, por edhe shumë brigadave të tjera partizane duke luftuar në gjithë vendin , madje edhe  jashtë kufijve tanë shtetërore. Kolonja  nuk u bashkua dhe nuk i shërbeu Ballit Kombëtar, por djemtë e saj nga  Luarasi, Gostivishti, Blushi, Barmashi, Starja, Novosela, Qafëzezi, Psarri, Erseka, do të mbushnin  radhët e çetave, batalioneve dhe  brigadave partizane, duke u bashkuar me PKSH. Kolonja  ka me qindra dëshmorë, por edhe aktivistë të LANÇ, me qindra djem dhe vajza, madje në moshën e re fare, që dhanë kontribute dhe jetën e tyre në çlirimin e vendit nga  çetat e Ballit, dhe pushtuesit e huaj. Askush nuk mund ta njollosë Kolonjën,  me libra të mbushura me përralla që tregojnë dhe që duan ta njollosin LANÇ dhe PKSH, e cila udhëhoqi me nder e lavdi Ushtrinë Partizane deri në çlirimin e vendit. Kolonja ka kontributet e veta edhe  pas çlirimit, në rindërtimin e vendit, vendosjen e shtetit ligjor, mbrojtjen e kufijve tanë, duke nxjerrë nga gjiri saj Gjeneralët e komandantë , kuadro që kontribuuan. Djemtë e vajzat e Kolonjës do të mbaronin shkollat dhe të mbushnin radhët e administratës në arsim, kulturë, art, sport, industri, polici, ushtri, ekonomi, apo edhe në poste të larta të shtetit. Kontributet e Kolonjës gjithmonë janë vlerësuar nga ajo që ne sot e quajmë “diktatura komuniste”  përgjatë 50 viteve, duke i  dhënë  asaj krahine vendin që meriton në historinë e Shqipërisë. Kolonjarët sot janë më të nderuar se kurrë, edhe   kur kontribuojnë në  Organizatën e Veteranëve të LANÇ, kudo që janë, në çdo  qytet të vendit, duke mos harruar vlerat e asaj epoke gjakun e 28 mijë djemve dhe vajzave që  dhanë jetën për liri. Të nderosh Dëshmorët e Lirisë, mbetet detyrim para Atdheut, t’i mohosh ata është  tradhti para tij, dhe  brezat nuk ta falin kurrë. Kjo pasi, nuk mund të nderosh dhe dekorosh “martirë” ata që u zinin pusinë  luftëtarëve partizanë, dhe që bashkëpunuan me italianët dhe gjermanët duke kryer krime. Ishte forca dhe guximi mijëra partizaneve që atyre u dha dënimin e merituar, dhe që shpëtoi Shqipërinë nga regjimi kuislingëve dhe tradhtarëve, duke nderuar dhe lartësuar emrin dhe veprën e LANÇ.