Eduard Halimi, Ministër i Drejtësisë / Ligji i Avokatisë reformon procesin disiplinor të avokatëve

615
Sigal

Reforma në drejtësi, shërbimi më i mirë që i bëjmë shqiptarëve dhe perspektivës europiane të Shqipërisë

Flasim për Reformën në Drejtësi, me bindjen dhe vendosmërinë se kjo reformë është shërbimi më i mirë që i bëjmë qytetarëve shqiptare dhe perspektivës europiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Gjatë këtij viti, së bashku në Kuvend kemi diskutuar dhe reformuar aktorë të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë. Miratuam këtu paketa të rëndësishme ligjore të sistemit të drejtësisë që reformuan sistemin e dënimeve alternative, mbikëqyrjen elektronike të të dënuarve, reformuan sistemin e përmbarimit, reformuan tërësisht regjistrimin e pronave, reformuan noterinë, miratuam ngritjen e Gjykatave Administrative, miratuam ligjin për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, si dhe është në pritje të votës së deputetëve të këtij Kuvendi reformimi i organizimit dhe funksionimit të Gjykatës së Lartë. I morëm me radhë të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, për ta reformuar dhe përmirësuar sistemin, e unë ju falënderoj për mbështetjen, që, jo rrallë, i është dhënë këtyre nismave edhe nga ana e opozitës. Sot, është radha për të reformuar një aktor që është në qendër të sistemit të drejtësisë, avokatinë. Ky aktor i rëndësishëm i sistemit ka rol kyç në mirëfunksionimin e shtetit ligjor dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Sigurisht, që edhe ky aktor i sistemit të drejtësisë ka disa probleme, tek të cilat  jo rrallëherë vëmendja e publikut, e medias por absolutisht dhe vëmendja e Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë është fokusuar shpesh.  Zvarritja e pajustifikuar dhe e përsëritur e seancave gjyqësore si pasojë e mungesës së avokatëve, sjellja joprofesionale në disa raste e tyre, janë të papranueshme në një shtet ku sundon ligji. Për këtë qëllim, nën asistencën e vazhdueshme të Misionit EURALIUS, Projektit të Binjakëzimit të Ambasadës Britanike, që ka asistuar Dhomën Kombëtare të Avokatisë, Projektin JUST të USAID-it, si dhe në bashkëpunim të ngushtë më Dhomën Kombëtare të Avokatisë, Ministria e Drejtësisë përgatiti projektligjin për shtesa dhe ndryshime në ligjin për profesionin e avokatisë. Organizuam së bashku me partnerët tre takime konsultative me aktorët e sistemit të drejtësisë, duke sjellë para jush sot një draft final si produkt i përbashkët i Ministrisë së Drejtësisë, Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Misionit EURALIUS dhe ekspertëve britanik.  Ndaj dhe gjej rastin t’i përgëzoj ata publikisht për ndihmën që na kanë dhënë në këtë proces si dhe  disa deputetëve të parlamentit, të cilët unë i falënderoj për  pjesëmarrjen dhe kontributin në këto takime. Unë jam i bindur se me ekspertizën e partnerëve tanë ndërkombëtare, dhe me vullnetin e hekurt për t’i dhënë fund problemeve të hasura në praktikë, sot shqyrtojmë dhe miratojmë një draft që përmbush të gjitha standardet ndërkombëtare dhe që kontribuon në përmirësimin e performancës së trupës së avokatëve. Risitë që prezantohen në këtë projektligj, mund të përmblidhen në tre drejtime kryesore: Së pari, projektligji ka reformuar tërësisht procesin disiplinor ndaj avokatëve, duke përcaktuar afate dhe procedura të qarta për shqyrtimin e ankimeve ndaj avokatëve, duke shkurtuar hallkat procedurale të shqyrtimit të ankesë – kërkesave të paraqitura, si dhe duke bërë më transparente strukturat përgjegjëse të procedimit disiplinor. Sipas projektligjit, në rast se procedura disiplinore do të dështojë, duke mos u marrë në shqyrtim ankesa brenda afateve nga strukturat disiplinore, përgjegjësinë për t’ju drejtuar gjykatës që trajton çështjet administrative e merr Ministri i Drejtësisë, apo ankuesi. Është gjykata ajo që shkon deri në heqjen e licencës së avokatit, pra merr ndaj një profesionisti të ligjit, siç është avokati, masën më drastike. Ky reformim i ligjit, do të rrisë përgjegjshmërinë e avokatëve, si dhe do të forcojë respektimin e ligjit nga ana e tyre, duke shmangur sjelljet devijante dhe joprofesionale. Së dyti, ka parashikuar rregulla të reja për licencimin e avokatëve. Në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, avokatët nuk do të marrin licencë në mënyrë të menjëhershme, sapo të mbarojnë fakultetin juridik, por do t’i nënshtrohen trajnimit fillestar. Do të jetë një shkollë e njëjtë, si ajo për gjyqtarët, të cilës do t’i nënshtrohen të gjithë kandidatët për avokatë dhe, më pas, pas përfundimit të kësaj shkolle dhe certifikimit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ata do t’i nënshtrohen zhvillimit të konkursit dhe marrjes së licencës për ushtrimin e profesionit. Gjithashtu, parashikohet se avokatët që janë të pajisur me licencë të ushtrimit të profesionit, në mënyrë të detyrueshme, të ndjekin trajnimet vazhduese, mbi zhvillimet e reja të legjislacionit, që do të organizohen nga Shkolla e Avokatisë. Kjo risi e projektligjit shkon në drejtim të rritjes së profesionalizmit të avokatëve në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Është një reformë shumë e rëndësishme që ka të bëjë me rritjen e profesionalizmit dhe cilësisë së shërbimi ndaj qytetarëve. Risia e tretë ka të bëjë me përgjegjësinë që avokatët duhet të kenë në rast se u shkaktojnë dëm klientëve. Sipas projektligjit, avokatët janë të detyruar të sigurohen pranë kompanive të sigurimit, të cilat do t’i përgjigjen klientëve në rast se avokatët do t’u shkaktojnë dëm atyre. Edhe kjo është një risi shumë e rëndësishme dhe reformim thelbësor në institucionin e avokatisë, sepse garanton qytetarët që mbrojtja e tyre është efektive, e dobishme dhe, sigurisht, e suksesshme. Veprimet apo mosveprimet në kundërshtim me ligjin dhe misionin e avokatisë në një shtet të së drejtës, nuk i shërbejnë gjykimit sipas standardeve kushtetuese për një proces të rregullt gjyqësor dhe për këtë arsye duhen eliminuar. Qytetarët gëzojnë të drejtën themelore të mbrojtjes ligjore dhe për pasojë mosparaqitja e përsëritur e avokatëve mbrojtës nëpër seanca gjyqësore përbën një abuzim me funksionin në çdo sistem drejtësie.  Kjo është një situatë e cila  duhet të marrë fund! Duhet të marrë fund, jo vetëm për shkak se është një praktikë në kundërshtim me ligjin, por mbi të gjitha sepse është një praktikë që dëmton në mënyrë të pakthyeshme interesat e qytetarëve shqiptarë, duke cenuar parimet themelore të një shteti ligjor. Së fundi, nuk mund të lë pa evidentuar faktin se miratimi i këtij projektligji është një tjetër masë e përmbushur nga ana jonë, e parashikuar në Planin e Veprimit për adresimin e 12 Rekomandimeve të Komisionit Europian. Reformimi i sistemit të drejtësisë është një proces i gjatë, i vështirë e kompleks. Sistemi i drejtësisë sulmohet shpesh, edhe për arsyen se ai është një shënjestër e lehtë dhe gjah i lehtë, për shkak të gabimeve që jo rrallë herë i ndodhin. E lehtë është të sulmosh  e anatemosh, por pa kuptuar se aty ka edhe gjyqtarë të ndershëm, të cilët preken dhe demotivohen, ka dhe noterë të ndershëm, përmbarues të ndershëm e avokatë te ndershëm gjithashtu. Ka ndodhur shpesh që ne politikanët të ndjekim rrugën më të lehtë, sulmin ndaj sistemit, sesa të ndjekim rrugën e vështirë, atë të reformimit. Por brenda kësaj legjislature, ne vendosëm të ndjekim rrugën e vështirë, atë të reformave. Ne reformuam pothuajse gjithë aktorët e sistemit. Trokitëm tek të gjithë aktorët, reformuam noterinë, duke e kthyer institucionin më lider në rajon për performancën, reformuam regjistrimin e pasurive, duke kaluar në sistem dixhital, reformuam sistemin e ekzekutimit të vendimeve civile nëpërmjet përmbarimit privat dhe monitorimit elektronik të të dënuarve, aplikimi i të cilit pas pak javësh vjen në Tiranë, duke na kthyer sërish në vend lider në rajon. Ne po ecim në rrugën e reformave, por nuk mund të ecim vetëm. Këto reforma kanë nevojë edhe për opozitën. Këto nuk janë reforma që i krijojnë favore politike PD, as qeverisë, dhe as maxhorancës. Këto janë reforma që i interesojnë qytetarëve, ndaj dhe ata paguajnë taksa, para të fëmijëve të tyre, që ne të hartojmë ligje dhe të reformojmë sistemet, për t’ju lehtësuar jetën dhe për t’u shërbyer më mirë. Pak muaj më vonë të gjithë ne këtu, do zbresim sërish për ti takuar ata, qytetarët, për t’u thënë se duam votën e tyre, duam një mandat tjetër, duam sërish të ulemi në këto karrige si përfaqësues të tyre. E besoj të vështirë do ta kemi t’u dalim para nëse nuk kemi kryer shërbimin ndaj tyre, miratimin e ligjeve, reformimin e institucioneve. Të vështirë do ta kemi t’i bindim, se ne ndoqëm rrugën e lehtë, sulmin ndaj drejtësisë, në vend të reformimit të drejtësisë. Ndaj ju ftoj të gjithëve që të përkrahim drejtësinë dhe jo ta sulmojmë atë,  të përkrahim reformat, dhe jo të anatemojmë sistemin, të nxisim përgjegjshmërinë, dhe jo të jemi kritizerë të gjithçkaje, të votojmë pro të ndershmëve e kundër devijantëve, pro profesionistëve të ligjit dhe kundër të paaftëve në drejtësi, pro të përgjegjshmëve në drejtësi dhe kundër abuzuesve të ligjit kudo qofshin. Kjo është rruga e reformave, kjo është rruga e qytetarëve.