Prof. Dr. Myslym Pashaj/Demokracia rrëshqet në diktaturën “berishiane”

506
Sigal

Partia në pushtet nuk mund të pranojë rotacionin, sepse filozofia e saj nuk është demokracia, por Sundimi ( kupto : Tirania ), sepse ajo në mënyrë harmonike, në këto tetë vjet, ka bërë gjithçka për të gjymtuar demokracinë dhe për të shenjtëruar Sali Berishën në përjetësinë e tij sundimtar. Kjo duket sheshit, edhe këto ditë e para të vilave ai është ngjitur në Murin e Madh Kinez, duke dhënë mesazh, në Sarisalltikun Bektashi, për të dhënë sërish një kumt shenjtërimi, në Dajt pas 21 Janarit të përgjakshëm, për t’iu drejtuar trojeve të Arbrit dhe tre vera të notimit të tij në Dhërmi… Shqiptarë, dëgjoni, dhe vështroni me kujdes, se si përgatitet një skenar i Sundimit “demokratik”. Pas gjithë këtyre shenjave, diktati i urrejtjes ndaj opozitës, kapja e të gjithë pushteteve në të njëjtën dorë, trysnia ndaj popullit të varfër, me këtë administratë, që i ka ngulur kthetrat vendit dhe s’bën asnjë hap për lëshim, por do që të mos largohet, po i hasim për ditë dhe jemi mësuar me to. Por shenja të tjera vijnë njëra pas tjetrës, siç është mbetja ulok e KQZ-së, çka është një aset tjetër floriri në përgatitjen, që me “ligj” të fitohen  ( vidhen …) zgjedhjet, zymtësia dhe karshillëku që i bëhet SHBA në dritë të diellit, rrëfen se mendësia që e ka pushtuar këtë qeveri të Sundimit është manifesti dështimor i rrëshqitjes së butë ligjore në diktaturë. Pse pak iu duket që këto ditë punohet në rrugë të pambaruara ditë e natë, që nxirren fonde për mashtrim e fushatë, që përdoret ushtria për qëllime elektorale, që shkarkohen nga detyra gjeneralë të rangut të lartë, se nuk janë dakord me shërbëtorin e Sundimit siç është aktori grotesk Arben Imami, që gjymtohet Instituti Gjeografik Ushtarak për të krijuar pranë Kryeministrisë agjenci gjeo-informacioni, etj., janë fakte kokëforta, të cilat duhen vlerësuar, po aq sa edhe trafiku i deputetëve të majtë në sy të njerëzisë demokrate e socialiste nga një kamp në një tjetër, se edhe opozita nuk po di se si t’i kundërpërgjigjet këtij përfytyrimi të mbrapshtë diktatorial. Bashkësia obligo-berishiane, politikanë që kanë një çerek shekulli, dhe që nuk përfaqësojnë asnjë elitë të re,  asnjë ndryshim dhe risi, veçse një gërhamë e vjetër një rrjet të madh nëpunësish, në administratën shtetërore, që për tetë vjet, nuk ka ngrohur vetëm vezë, por ka bërë vend për kthina të mendësisë së moslargimit nga këto vende pune,  të cilat janë një flori i vërtetë i pasurimit dhe përfitimit që fillon me dogana, tatime, taksa, e përfundon në tendera të ligjëruar.  Vijon një Polici e gjithëpërfshirë në militantizëm, polici paternale, e krijuar me një filozofi sundimi dhe sejmenësh të pushtetit, e krimit shtetëror, e familjeve të mëdha e nepotizmit skajor, e krahinarizmit të pashoq, e borgjezisë së re dhe oligarkisë financiare shqiptare, e FA të Shqipërisë, të cilat në këto tetë vjet nuk iu largua politikës, por është bërë pjesë jetësore e standardit anti-NATO, e një morie nëpunësish vendorë kudogjendur, të cilët të mbushur me urrejtje dhe konflikt e kanë thelluar dhe më shumë hendekun me pjesën tjetër të shoqërisë.  Dhe mos harroni, se në krahun kundruall të gjithë kësaj bashkësie, është një Botë e Biznesit shqiptar që është në dorë të krahut pushtetar “demokrat”, të cilët i kanë futur kthetrat ekonomisë dhe po i thëthijnë si shushunja gjigante, gjakun.. Pra: vini re!  Është një armatë e tërë, e ngritur mbi baza të një filozofie sundimi, klientelizëm dhe nepotizëm,  për të mos ikur, për të mos u shkulur, por për të shkuar deri në fund dëshirës për kullufitje të re, në Projekte postelektorale të shenjtërimit e të kultit, që po i ngre vetes, Sali Berisha i mallkimit kombëtar. Sundimi “demokratik” ka arritur kulme. Kulme të blerjes në tregun “komedian” të deputetëve, nga krahë skajorë të politikë,s pa shtrat ideologjik, si rrëfim i degjenerimit moral të elitës së vjetër të politikës e shndërrimit në mercenarizëm rutinorë, që i vijnë si  tagji  Grazhdit të Legjislativit Shqiptar. Ne nuk e dimë se si quhen ata Kaçi i Z,i apo kaçi i Bardhë, As Meta apo Metastaza, por po duket qartë që ata po futen në laboratorin e klonimit të Sali Berishës. Ju po i shihni se si janë shpërndarë me një rregull të përpiktë, zyrash elektorale , flamujsh pafund,  data base të mirëfilltë studimore për rrënjët e votuesve, të cilët këto ditë të gjithë qenkan aq të mirë… ( Oh sa xhan u kemi!). Shteti i organizuar,  i ngulur,  i fiksuar, i ideuar prej filozofisë së Sundimit, ndodhet në një mësymje të madhe ndaj opozitës me një fushatë Zgjedhore të gënjeshtrës të marshimit “urdhëror”   me ngjyrime trysnore,  në çdo kënd, në një  prani të  frikshme. Ky është ai shteti  i kapur, që dikton si në diktaturë dhe e shet për demokraci gjithë këtë maskaradë zhurmatore dhe kaq të kushtueshme,  që parakalon dhimbshëm mbi shpinën tonë. Kurse ne jemi vetëm në lista, (jemi apo s’jemi ne!). Se  ne jemi në një ngatërrim të madh dhe s’dimë se kujt krahu i përkasim,  aq shumë trazim kanë sjellë, ustallarët e zgjedhjeve, që dinë se ku i kemi koordinatat,  ku i kemi bindjet. Ndaj  bëjnë llogari natë e ditë, që të na i blejnë këto bindje, se ndryshe do të dilnin se janë mosbindje.