Agim JAZAJ/Vota qorre, vota e arsyes dhe vota përcaktuese…

748
Sigal

 Fushata e basteve ka nisur shumë më herët se të çelej fushata e zgjedhjeve të qershorit 2013.  Militantët e thekur që kanë mbaruar shkëlqyeshëm “Kursin e Ulërimës”, kanë ndezur motorët me xhirot maksimale, nëpër rrugë, lagje të qyteteve dhe në fshatra. Ata po shkelin derë me derë me “tabaka” në dorë,  për të mbledhur vota për partitë e tyre të zemrës! Edhe pas kaq vitesh, Lider-Kalanderë po bëjnë fushatë elektorale, shpalosin në programin e tyre edhe sot: “Do tu kthejmë pronat pronarëve”!  Ju rëntë pika mu në kokë dhe në parti! Jo atyre që mashtrojnë trashë, po atyre që i hanë më trashë! Nëpër lokalet e qytetit, po dhe të lokaliteteve, bastexhinjtë e njohur, kudo po mbushin skedat, kanë hedhur zaret se kush do të fitojë zgjedhjet, kush do ti qeverisë për 4 vjetët e ardhshëm. Shumat e vëna në dispozicion të tyre thuhet me rezerva nga brenda kupolës së basteve, arrijnë deri në shumat 6 shifrore, me 5 zero nga pas! Në debatin plotë zallamahi vetëm një klient i përditshëm mund të orientohet pa u qederosur se çfarë po ndodh. Klasifikimi i votuesve në tri kategori, i bërë ngas vet zgjedhës të zakonshëm, por edhe nga stafet e bastexhinjve ngjan si i ri dhe jo i pa pritur. Zgjedhjet pluraliste të 22 viteve, (lexohen vjedhje) kanë rezultuar më shumë zgjedhje dhe aspak zgjidhje. Ky është konstatimi, matës i vet gjendjes politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit. Vota dhe votuesit, klasifikohen në tri kategori të përfillshme, në skedinat përkatëse:

1. VOTA QORRE                 :   40 %

2. VOTA E ARSYES            :   30 %

3. VOTA PËRCAKTUESE  :    25 %

Përllogaritësit kanë bërë arsyetimet, madje dhe kalkulimet e tyre:

Vota Qorre, përfshinë dhe përqindjen më të madhe, gati 40 %  të votuesve.

Vota e Arsyes, përfshin në sondazhet e basteve rreth 30 % e zgjedhësve.

Vota Përcaktuese, e vlerësuar dhe Vota e Artë, parashikon rreth 25 %  të zgjedhësve.

Ndërsa Vota e të pa Vendosurve ( e papërfillshme) deri në 5 %  e votuesve: Trafikantët deputet nga e majta tek e djathta dhe nga e djathta tek e majta, nuk janë ekspozuar në skedat e bastexhinjve!

Vota Qorre: Përfshihet ajo kategori votuesish, me kufizim niveli, të cilët votojnë me zemër, sipas traditës. Vetëm për partinë e tyre, apo njeriun, qofshin dhe pa bukë për darkë, dhe në qiell të hapur. Për hatër të gjyshit e stërgjyshit, krahinës, bollë të fitojë ajo, ai që u ka plasur dhe buzën. Ose siç i quajnë dhe, “votuesit refraktar”! Pjesë e kësaj kategori vote janë dhe ata votues, të cilët votojnë pa analizuar e llogaritur votën me sistemin, do të numërohet apo do të humbas.

Vota e Arsyes: I quajnë dhe  karakterizojnë pjesën luajale, ajo pjesë votuesish me një nivel intelekti mbi të tjerët, votojnë me arsye për nesër, mbi të djeshmen, bazuar tek e sotmja. Maten dhe llogarisin të ketë efekt vota për të nesërmen. Shohin tek vota e dhënë përligjen e saj. Për të votuar ata që e meritojnë, jo ata që kërkojnë. Kjo kategori votojnë për shtetin e shërbesave, dhe jo për njeriun qoftë edhe i tyre.

“Vota Përcaktuese: Hyjnë ajo pjesë elitare që midis dy të këqijave, të këtyre 22 viteve do të mundin me “Levën e Arkimedit”, me fuqinë e votës, të nxjerrin vendin nga fund gremina, rrënimi i këtyre vjetëve, me synimin fondamental për të zgjidhur dhe jo për të zgjedhur. Gjithashtu po dhe për të nxjerrë përgjegjësinë e këtij rrënimi përgjatë këtyre viteve. Çmojnë dhe parashikojnë aleancat para e pas zgjedhore, etje.

 Vota e Artë, e cila (po)  do të mund të numërohet, do të jetë dhe përcaktuese se: Kush do të qeverisë pas 23 qershorit. Zgjedhësit e “Votës Përcaktuese” do të kushtëzojnë se si do të qeveriset Shqipëria, në krizën që ka mbërthyer vendin, për të ngritur dhe funksionuar shteti në shërbim të qytetarëve shqiptarë dhe të qytetërimit evropian! Kjo pjesë e koncepton dhe voton: Politikën si shërbim, dhe jo si rrëmbim, politikën që udhëheq, dhe jo politikën që sundon, pragmatizmin dhe prognozën! Bën bilanc në inkursionet politike; midis subjektit dhe liderit,  gabimit dhe dështimit.