Alimadhi: “Asnjë ballist të mos votojë PD-në e Kastriot Islamit”

575
Sigal

Kryetari i Partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi u ka bërë thirrje gjithë ballistëve, që edhe mund të jenë në PD, të mos e votojnë më PD-në, pasi ajo, siç tha Kryeballisti Alimadhi,  është bërë PD-ja e Kastriot Islamit. Këtë thirrje, Alimadhi e bëri teksa mblodhi shtabin e tij elektoral për kryeqytetin. U ngritën 40 shtabe elektorale dhe kryetarët e shtabeve u zotuan për një punë të vendosur për të marrë mandatin e deputetit në kryeqytet me gjithë luftën e ashpër elektorale. Takimi u bë në praninë e anëtarëve e simpatizantëve në kryeqytet, ku Kryetari i Partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi, që kryeson listën e kandidatëve në Tiranë dhe shtabin qendror të partisë në kryeqytet ftoi të gjithë ata që ndjehen shqiptarë të votojnë Partinë e Ballit Kombëtar me numrin 57 në fletën e votimit. “I ftoj të gjithë të bëhen kontributorë me votën e tyre për Ballin Kombëtar. Të gjithë ballistët kanë shkuar tek PD-ja dhe e mbajnë në këmbë dhe te të gjitha partitë e tjera, por unë nuk besoj të ketë më ballist në Shqipëri që të votojnë Kastriot Islamin. Ka ardhur koha që të gjithë ballistët të votojnë vetëm e vetëm Partinë Balli Kombëtar. Është koha o sot o kurrë të marrim mandatin. Më votoni, sepse bashkë gjërat do t’i çojmë përpara. Votoni Partinë Balli Kombëtar, votoni numrin 57, me kryetar Adriatik Alimadhi. I ftoj të gjithë të bëhen mbështetës me votat e tyre, që të bëhen kontributorë, që të përfaqësohemi me mandat në Parlament. Të gjithë partitë, që po krijohen sot duan të marrin kauzën e bashkimit kombëtar dhe ta përvetësojnë. Por kjo kauzë është e asaj, që tha e para e Ballit Kombëtar “Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri”.