Naxhi KASORUHO / Kadare, krenaria e këtij vendi

921
Sigal

Para disa ditësh mediat njoftuan se shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare ishte vendosur ndër dy emrat e parë të shkrimtarëve botërorë, kandidat për çmimin “Nobel” të këtij viti. Natyrisht, ky qe një lajm i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët dhe të gjithë ne urojmë që Kadareja të nderohet me këtë çmim prestigjioz, që është nder edhe për Shqipërinë. Por çfarë ndodhi? Ky lajm u pasua me një sensibilizim negativ të Kadaresë në shtyp me një debat të marrëdhënieve të shkrimtarit me Nexhmije Hoxhën, e cila disponon dorëshkrimin e  romanit “dimri i Madh”, që, sipas saj, autori ia paska  dhuruar në vitet ’70. Nuk do të ndalem të analizoj historinë e këtij dorëshkrimi, pasi nuk e di si ka ndodhur, por nga këndvështrimi i një artisti, do të shprehesha se, pavarësisht nga rrethanat, marrëdhëniet, motivet e gjithçka tjetër, ai dorëshkrim është i shkrimtarit Ismail Kadare, dhe me të drejtën e autorit ky roman në dorëshkrim i takon atij dhe vetëm atij. E përmenda këtë histori, pasi ajo u torr gjatë në shtyp me qëllim jo dashamirës, për të krijuar insinuata për Kadarenë nëpërmjet tymnajës mediatike, pikërisht në një moment krejt të papërshtatshëm, kur ai është pretendent për çmimin “Nobel”. Duke ndjekur këtë atmosferë anti- Kadare, do ta quaja unë, m’u kujtua e njëjta situatë e ndodhur vite më parë pikërisht në prag të ndarje së çmimit “Nobel” dhe ku Kadareja ishte ndër pretendentët kryesorë. Në atë kohë ndodhi më e pabesueshmja. Ambasadori ynë në Suedi i shkroi një letër Jurisë Ndërkombëtare që të mos ia jepnin këtë çmim për disa gjoja konflikte që kishte pasur Kadareja me ambasadorin. Turp! Çfarë ndodh kështu me ne. Në Europën e qytetëruar, ku dëshirojmë të integrohemi, marrim baltë dhe me të bëjnë buste e përmendore për njerëzit e shquar, kurse ne bëjmë të kundërtën, marrim baltë për t’i baltosur, për t’i injoruar ata. Ne ish studentët e viteve ’60 jemi rritur duke lexuar librat e Kadaresë dhe rrinim në radhë për të marrë librat e tij. Duke ndjekur kronikat televizive në ditët e Panairit të Librit që organizohet në nëntor të çdo viti në Pallatin e Kongreseve, tek stenda  e shtëpisë botuese “Onufri”, ku Kadareja takohet me lexuesin, do të shikosh me dhjetëra të rinj e të moshuar që rrinë në radhë për të takuar shkrimtarin e preferuar dhe për t’i marrë autograf atij. Kadareja është ndër personalitetet e shquar të kombit tonë. Ai është shkrimtari që i dha emrin vendit dhe e bëri të njohur në mbarë botën me librat e shumtë që janë përkthyer në shumë gjuhë. Të gjithë u ndjemë krenarë kur Kadare përshëndeti në gjuhën shqipe në ceremoninë kur u nderua me çmimin “Princi i Asturias” dhe kur u përshëndet edhe nga mbretëresha Sofia e Spanjës. Jo vetëm për Kadarenë, por për çdo figurë të shquar të kombit tonë, aq më tepër në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë, ne jemi krenarë dhe i nderojmë e respektojmë për atë që kanë bërë për Shqipërinë. Mendoj se, të paktën në këtë kohë të këtij jubileu të lavdishëm t’i lëmë mllefet, xhelozitë, smirat dhe denigrimet dhe të shfaqim sa më shumë tolerancë, dashuri, mirëkuptim dhe respekt dhe të bëjmë gjëra të mira. Për të gjitha këto, më lejoni të drejtohem: “Mos e prekni Kadarenë”!…

NOA