Dr. Sulo Hadëri: Shqipëria dhe transparenca e buxhetit

936
Sigal

 

Anketa e Buxhetit të Hapur/Open Budget Survey (OBS) 2019, gjen një përmirësim modest në rezultatet e transparencës së buxhetit globalisht, duke zmbrapsur  rënien e vëzhguar në raundin e fundit, (OBS 2017), dhe duke rikthyer trendin rritës të treguar që nga fillimi i anketimit në 2006. Tiranë, Shqipëri, 02/05/2020 – Indeksi mesatar global në OBS 2019, është 45 nga 100, kur një rezultat prej 61 pikësh, konsiderohet  pragu minimal, për të nxitur një debat të informuar publik mbi buxhetet. Shqipëria është ndër ato vende që rritën transparencën  rreth buxhetit të tyre, gjatë dy viteve të fundit, sipas rezultateve të Anketës së Buxhetit të Hapur 2019 (OBS) , i kryer nga Partneriteti Ndërkombëtar i Buxhetit (IBP). Shqipëria ka qenë pjesë e OBS-së që nga viti 2006, dhe sondazhi i vitit 2019,  konstaton se është përmirësuar,  për sa i përket renditjes së tij në Indeksin e Buxhetit të Hapur, ose OBI, i cili përdor kritere të njohura ndërkombëtarisht, për t’i dhënë secilit vend, një rezultat të transparencies  në një shkallë prej 100 pikësh. Rezultati i OBI-së në Shqipëri u rrit nga 50 në vitin 2017,  në 55 në vitin 2019,  duke e bërë më të lehtë për qytetarët  të marrin informacion për atë që po bëhet me paratë publike dhe për të mbajtur qeverinë më përgjegjëse. “Shqipëria ka përmirësuar  transparencën  duke publikuar në internet  të gjitha dokumentet, (8 në total) që shqyrtohen gjatë anketës, (OBS), duke përfshirë këtë raund  edhe raportin e rishikimit të buxhetit në mesin e vitit. Po ashtu, ajo ka rritur informacionin në deklaratën para-buxhetore (kuadri makroekonomik dhe fiskal),  dhe në dokumentin “buxheti i miratuar” “-tha Sulo Hadëri, i cili kreu kërkimin për Shqipërinë.  -“Megjithatë, ka ende vend për përmirësim duke bërë më të plotë Projektbuxhetin, si dhe duke rritur informacionin mbi Raportin në fund të vitit.” Nga ana tjetër, Shqipëria shënoi vetëm 7 pikë, (nga 100), mbi mundësitë që qeveria ofron për pjesëmarrjen e publikut në proceset buxhetore. Ky është një fenomen i vazhdueshëm, i cili vihet re edhe në anketat e kaluara duke ofruar një mundësi shumë të kufizuar për pjesëmarrje aktive të qytetarëve gjatë procesit të buxhetit. Përveç vlerësimit të transparencës dhe pjesëmarrjes, OBS-ja gjithashtu, vlerësoi rolin e institucioneve formale të mbikëqyrjes, siç janë institucionet e auditimit, (KLSH)  dhe legjislatura. Sa i përket forcës së institucioneve formale të mbikëqyrjes në Shqipëri, rezultati për legjislativin ishte 61 dhe rezultati për KLSH-në, ishte 72.  Ndërsa Shqipëria ka ndërmarrë hapa për t’u përmirësuar, ky progres duhet të vazhdojë.  “Qeveria është në një trend rritës dhe ka bërë shumë për të hedhur themelet për një buxhet të vërtetë të hapur,” -tha Sulo Hadëri.   -“Hapat e ardhshëm drejt një sistemi të tillë, duhet të përmirësohen dhe të bëjnë më gjithëpërfshirës Projektbuxhetin, dhe në të njëjtën kohë, të krijojnë mekanizma për pjesëmarrjen e publikut gjatë fazës së formulimit të buxhetit”. Për raportin e plotë, duke përfshirë rekomandimet dhe resurset e tjera, të tilla si rezultatet specifike për vendin, ju lutemi vizitoni: www.openbudgetsurvey.org