Hyqmet Zane: Kthimi në identitet… si kthim në diktaturë me asistencë ndërkombëtare ?!

333
Sigal

Dita- ditës po bëhemi dëshmitarë të atyre ngjarjeve që kanë ndodhur në 45 -vjet të diktaturës dhe ndjejmë keqardhje dhe trishtim për ato krime që i ka bërë shqiptari shqiptarit, në skutat e hetuesisë dhe birucat e burgjeve famëkwqinj. Ndërsa me propogandën e hapur dhe të shfrenuar që bëhej nga makineria marksiste-leniniste, shkonim nga “fitorja në fitore” me humbje pas humbje në çdo sektor të jetës dhe nga pesëvjeçari në pesëvjeçar.

Më shumë se kaq, humbjet njerëzore në tërësi dhe atyre intelektuale në veçanti, kanë qenë të pallogaritshme dhe si një humbje kombëtare me asistencë UDB-je përmes emisarëve jugosllavw dhe më ndërkallje me  asistencë KGB-je dhe më tej me “asistencën” e atyre që u bënë ustallarë të krimit njerëzor, deri në zhdukjen e çdo investimi ndër intelektualët shqiptarë.

Tanimë jemi në një mendje, se diktatura ishte prodhim tipik shqiptar, me asistencë ndërkombëtare të vendeve të Lindjes dhe me “taban” identiteti popullor  siç thuhej shpesh “me propozim nga poshtë dhe orientim nga lart”. Publikisht ishim internacionalistë në fasadë dhe nuk u bëmë një herë nacionalistë brenda vendit tonë, ishim me të gjithë ata që bënin diktatura, por nuk donim të ishim me demokracinë e botës perëndimore, ashtu siç ishte edhe parrulla e Luftës antifashiste, “Për Shqipërinë e Lirë dhe demokratike”, për të cilën luftuan ata, djemtë e popullit, dhanë jetën bijtë e nënave, dolën kryelartë për kontribute ndaj nazifashizmit. Kemi bërë e çfarë nuk kemi bërë në “emër të popullit”.

Makbethizmi u bë teori dhe praktikë e suksesshme e udhëheqjes që përdorte njerëzit e saj me kontribute të larta dhe mandej ndaj atyre binte shpata e dënimit për agjentë e superagjentë, për poliagjentë dhe sabotatorë të vijës së parties, a thua se nuk ishte partia dhe udhëheqja e saj, që jepte orientimet dhe zbatimet i bënin viktimat e mëtejshëm! Një ditë mbetëm të vetëm me disa koka “udhëheqëse”, që veç udhëheqësi nuk bënë.

Vitet kaluan dhe në një kohë tranzicioni për demokraci kaluam në “revolucionin e vonuar demokratik” të pasardhësve të diktaturës. Ndër të tjera u vu edhe një ministër kulture që, sa erdhi në postin e propozuar nga kryeministri  Fatos Nano, shpalli “kthimin në identitet” të godinave të kryeqytetit dhe kudo në çdo qytet u impelementua ky model. E gjitha ishte një bojatisje e fasadave  me ngjyra ylberi, për të marrë mendjen e njerëzve që e duan fasadën, se u pëlqen të gënjehen, se shtyjnë ditët e jetës së tyre. Më pas, ky ministër mori bashkinë e Tiranës dhe nisi nga punët si një brigadier, edhe me swpatë në dorë. Kinematë na u kthyen në “Milleniume” dhe u bë e çfarë nuk u bë, dhe votat rridhnin lumë për Edin e gjatë dhe trim me fletë.

Koha e solli Edi Ramën në postin e kryeministrit dhe kemi 7 vjet që shohim e shohim se si identiteti i tij u kthye në shkatërrim. Ato shtëpi të bukura tiranase u rrafshuan, sipërfaqet e lira mes pallateve u betonizuan me pallate shumëkatëshe dhe nuk u la hapwsirë e lirë dhe e gjithë kjo nuk ishte interes identiteti, por në emër të identitetit u bë shkatërrimi i gjthçkaje me identitet. Ky është identiteti i propoganduar, ku janë fasadat e reklamuara, ku janë pedonalet e kujt i vlejnë në një kohë, që përballë tyre po shihet e gjithë histeria e ndërtimeve pa kriter, me sisteme planesh studimi të huaja me asistencë kryeministri ?

Ajo histeri kryeministrore që u manifestua në Shqipërinë e pas 2013-ës, në emër të Rilindjes mavi, dha frytet e veta në çdo sektor jetik, në papunësi, në mbushjen e vendit me drogë, në përhapjen e kriminalitetit dhe vrasjeve në çdo cep të vendit, me mbjelljen e varfërisë në çdo shtëpi, me zaptimin e çdo institucioni shtetëror,  veç Presidencës, me mbylljen e gojës së medieve të lira, me ikjen e trurit nga Shqipëria, e sa e sa të tjera, tamam si shprehja “nga fitorja në fitore”- tipike diktatoriale.

Në të gjithë këtë panoramikë zullumesh kryeministri,  personalisht ai, ka pasur asistencë të mrekullueshme  ndërkombëtare. Nuk kanë qenë institucionet  euro-atlantike,  por përfaqësuesit e tyre në Shqipëri, që me forma absurde dhe tipike të dala boje, i thanë një populli të tërë se “ju jeni popull injorant dhe na dëgjoni ne, se kryeministri po bën çudira”. Çfarë gjëje ishte ajo që i detyroi këta të quajtur ndërkombëtarë që të bënin një sy qorr, e një vesh shurdhët për të evidentuar të gjitha paudhësitë dhe zullumet e këtij kryeministri ? Korrupsion nga ata që japin asistencë antikorrupsion ? Apo interesa gjeostrategjike ? Një herë të vetme ky kryeministër, nuk ka bërë transparencë të veprimeve të tij brenda dhe jashtë vendit, ikën e ku nuk ikën dhe kryeministri  flet si njeri privat, e jo si kryeministër i një vendi. Në cilin vend euro-atlantik mund të ndodhë një gjë e tillë?

E gjithë asistenca që i është dhënë kësaj qeverisje nga ndërkombëtarët, duket si një marrëveshje e dakordësisë së tyre me Edi Ramën kryeministër të Shqipërisë,  për të kapur pushtetet e këtij vendi si një kthim në identitetin e së shkuarës diktatoriale me miratim ndërkombëtar. Duket sheshit, që periudha komuniste ndaj shqiptarëve, do t’i torturojë ata për një kohë të gjatë. Gjithnjë  me asistencë ndërkombëtare me diktaturë tipike nga një njeri që vjen si pinjoll i asaj kaste që shkatërroi të gjitha identitetet e këtij vendi, dhe Edi Rama,  po e çon deri në fund Katovicën e regjimeve të Lindjes.

Është e qartë se kombet, të cilët e paguajnë (e blejnë) ҫdo orë të jetës së tyre me gjak dhe me ankth, pasurohen me dhunimin shpirtëror të një populli, hiret dhe mirësitë e të cilit janë të panjohura për popujt e tjerë, për fatin e keq dhe me asistencë ndërkombëtare euro-atlantike, populli shqiptar do të jetë i “varfër” nga thesare shpirtërore e njerëzore, sepse jetesa pa vuajtje e “dhjamos”  botën shpirtërore të njeriut. Ndërsa dhimbja i kalit njerwzit  dhe i pastron, sikundër  pastrohet floriri në zjarr brenda në qymyrin që digjet. Lind pyetja, nëse do ketë vend për një asistencë ndërkombëtare, për të mos e viktimizuar këtë popull  me paudhësitë e një njeriu që kthimin në identitetin e diktaturës e paska kauzë?

Këto ditë të fundit kryeministri është shprehur në poltronin e Parlamentit se do t’i grisë marrëveshjet për reformën zgjedhore. Ndoshta është vazhdimësia e grisjes që ai i bëri drejtësisë me një reformë që së fundmi po del boje edhe nga Venecia. Kujt ambasadori euro – atlantik nuk i ka shkuar në vesh fjala e kryeministrit shqiptar?  Ndoshta po presin t’i japin asistencë për të vazhduar marrëzinë e tij?!

Mua dhe shuma analistëve na kujtohet Lenini me atë shprehjen e tij në fundin e jetës që thoshte “Do i zhys njerëzit në varfëri ekstreme që t’i bëj të harrojnë Zotin!” thuhej se në vitet e fundit lideri komunist  V. I. Lenin u zhyt në sëmundje të rënda të cilat e bënë të harrojë veten dhe gjithçka tjetër. Në këtë rast thuhet se “Zoti e toleron jobesimtarin dhe gjynahqarin dëmi i të cilit kufizohet vetëm tek vetja e tij, por nuk e toleron zullumqarin i cili merr në qafë njerëzinë”. Mos qoftë e thënë se edhe në këtë pikë ka pasur asistencë ndërkombëtare. Besoj se ky nuk është kthim në identitet, por identitet i vërtetë tipik diktatorial me asistencë ndërkombëtare që heshtin dhe bëjnë sehir këtë realitet.