Mblidhet sërish sot Këshilli Politik për “Zgjedhoren”, diskutohet propozimi i tretë i PD për KQZ-në

316
Sigal

Sot në orën 17:00 mblidhet sërish Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore, ndërkohë që kanë mbetur edhe 6 ditë kohë nga afati përfundimar për përpilimin e drafit, i cili do të dërgohet më pas në Kuvend për t’u miratuar.

Ditën e sotme pritet që të diskutohet propozimi i radhës i opozitës jashtëparlamentare për formulën sesi do të zgjidhen anëtarët e KQZ-së. Edhe pse maxhoranca ka refuzuar dy herë propozimet e tyre dhe u ka garantuar se në Kuvend do të kenë votat për të zgjedhurit e tyre, sërish opozita kërkon tjetër formulë, e cila sipas tyre ka “bekimin” e ndërkombëtarëve.

Sipas propozimit te opozitës përzgjedhja e kandidateve bëhet në një komision parlamentar, ku opozita jashtëparlamentare do të ketë një përfaqësues të vetin me të drejtë vetoje. Ky përfaqësues zgjedh 2 nga 5 anëtarët të Rregullatorit dhe 2 nga 5 anëtarët e Komisionit të Apelimit e Sanksioneve, ndërsa shumica zgjedh 3.

Më pas Kuvendi miraton ose rrëzon në bllok të 5 të përzgjedhurit.  Sa i takon Komisionerit Shtetëror të zgjedhjeve opozita propozon që Partia Socialiste të zgjedhe 4 kandidatë, përfaqësuesi i opozitës politike përjashton 2 dhe Kuvendi zgjedh 1 nga 2 të mbeturit.

Ndërkohë që pjesëmarrja e tre prej anëtarëve të KP-së, nuk dihet nëse edhe mbledhja e sotme do të bojkotohet nga bashkëkryetarja Rudina Hajdari, e cila mungoi herën e shkuar.

Deri më tani palët kanë bërë me dije se janë dakordësuar në dy pika; identifikimin biometrik dhe financimin e partive politike.

Palët arritën një marrëveshje për ‘Zgjedhoren’ më 5 qershor me bekimin e ndërkombëtarëve. Kjo marrëveshje do të lejë të pandryshuar administratën Zgjedhore deri në dy palë zgjedhje, ndërsa më 2021, zgjedhjet do të jenë për herë të parë edhe me identifikim biometrik.

Por “ujrat” nuk janë trazuar vetëm nga anëtarët e Këshillit Politik, pasi në loja ka hyrë edhe opozita e re, që kërkon heqjen e koalicioneve, lista të hapura dhe votën e emigrantëve për të dhënë OK në Parlament për marrëveshjen. Madje ata kanë kërkuar edhe largimin e Hajdarit dhe zëvëndësimin e saj me deputetin Myslim Murrizi.