Dantes DYLGJERI / Ministri Edmond Haxhinasto fsheh biografinë

694
Sigal

Nëse lexoni jetëshkrimin zyrtar të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, njëherësh dhe zëvendëskryeministrit, Edmond Haxhinasto, do të shikoni se, megjithëse atje thuhet që ai i ka përfunduar studimet e larta për anglisht në 1989, si kohë e parë e punësimit jepet viti 1991, kur z. Haxhinasto ka nisur punë në Kuvendin Popullor, në zyrën e marrëdhënieve me jashtë, apo sektorin siç thotë Haxhinasto në CV e tij. Por Haxhinasto nuk ka qëndruar pa punë në periudhën që prej diplomimit në vitit 1989 dhe deri në shtator 1991 kur nisi punë në Kuvendin Popullor, si shef i zyrës së marrëdhënieve me jashtë. Edmond Haxhinasto, me t’u diplomuar në 1989 nisi punë në Komitetin e Marrëdhënieve Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme, një institucion në rang ministrie  atashuar pranë qeverisë së kohës.  Ishte vetëm në sajë të eksperiencës së Haxhinastos në këtë dikaster që ai nisi punë direkt si shef i sektorit të jashtëm të Kuvendit Popullor. Këtë gjë e di shumë mirë edhe kryetari i atëhershëm i kryesisë së Kuvendit Popullor, Kastriot Islami, që firmosi për ta marrë në punë Haxhinaston, në mënyrë konsensuale me nënkryetarin e kryesisë së Kuvendit Popullor, nga opozita, Aleksandër Meksin. Për lexuesin e thjeshtë të CV-së së Haxhinastos është e vështirë që të kuptohet se përse ministri nuk e ka shënuar në CV-në e tij një vend pune që është dinjitoz për një njeri të sapodiplomuar, në moshën 23 vjeç, siç ishte Edmond Haxhinasto. Edmond Haxhinasto ndoshta do të kishte arsye që ta fshihte në CV-në e tij vendin e punës që kishte pasur në vitet 1989-’91 nëse do të kishte punuar fjala vjen në sektorin e jashtëm të Sigurimit të Shtetit, domethënë në katin e katërt të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por jo në Komitetin e Marrëdhënieve Kulturore dhe Miqësore me botën e Jashtme, pra nëse do të kishte qenë vartës i Hekuran Isait dhe jo i Jorgo Melicës. A thua ta ketë lënë kujtesa Edmond Haxhinaston? Nëse Haxhinaston e ka lënë kujtesa mund t’i themi se ishte koha kur kolegu i tij i partisë, Ylli Dylgjeri, instruktor i Komitetit Qendror të Rinisë i dukej atij si perëndi, dhe e kishte për nder të madh të pinte kafe me të.

Nejse. Ajo që duam të dimë është se përse i vjen turp Haxhinastos të shkruajë në CV-në e tij se ka qenë punonjës i dikasterit të sipërpërmendur? Ministrin Haxhinasto e shohim me shaminë e kuqe partizane në festat e përkujtimit të datave të shënuara të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Një njeriu të tillë nuk duhet t’i vijë turp të thotë që në moshën 23 vjeç, në 1989 ka punuar në një dikaster të pushtetit që doli nga lufta partizane. Përkundrazi, mund të krenohet duke thënë se ai në vendin e ri të punës u përpoq të ruante frymën e atyre të rinjve që mbanin shaminë e kuqe në qafë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe luftonin për ideale të pastra. Nëse Haxhinastos i vjen turp nga pushteti i dalë nga lufta partizane, kjo do të thotë se i vjen turp nga shamia e kuqe. Por duke u thelluar më tepër, pyetja që lind është nëse Haxhinasto ka turp nga pushteti i dalë nga luftëtarët me shami të kuqe, apo nga bëmat e tij në zyrat e këtij pushteti, që do ta bënin këtë pushtet të kishte turp që kishte në radhët e tij njerëz si Haxhinasto? E sigurt është që Haxhinasto nuk ka arsye që të ketë turp nga Komiteti i Marrëdhënieve Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme dhe as nga Jorgo Melica, se ai nuk ka qenë në këtë dikaster në 1979 kur qetheshin në aeroportin e Rinasit të huajt me flokë të gjata që vizitonin Shqipërinë. Në 1989 Haxhinasto ka qenë një punonjës trendi i dikasterit në fjalë, me syze dielli të huaja, të cilat i kishte siguruar nga udhëtimet e tij jashtë vendit si punonjës i këtij dikasteri. Nëse Mehmet Shehu do ta kishte parë nga dritarja e zyrës në 1973-n, Haxhinaston e vitit 1989, do të kishte zbritur me vrap shkallët me gërshërë në dorë dhe do ta kishte qethur që nga këmbëzat e pantallonave dhe flokëve. Prandaj Haxhinastos së vitit 2012 nuk ka arsye që t’i vijë turp për dikasterin ku punoi në vitet 1989-1990. Se kjo është njëlloj sikur Edmond Haxhinastos t’i vijë turp nga të rinjtë antifashistë partizanë me shami të kuqe në qafë, të cilët ai i nderon në festat partizane. Kur Edmond Haxhinasto mohon punësimin e tij në dikasterin në fjalë, është njëlloj sikur ai ta zhysë shaminë e kuqe në grykën e WC-së së Ministrisë së tij dhe pastaj ta lidhë në qafë për të shkuar në ceremonitë e ditëve përkujtimore partizane.

Por Haxhinastos nuk i vjen turp nga Komiteti  Marrëdhënieve Kulturore Miqësore me Botën e Jashtme dhe Jorgo Melica, por i vjen turp nga bëmat e tij në këtë dikaster si dhe nga keqpërdorimi që i ka bërë atij. E thënë më qartë, Haxhinasto do që të mbetet e errët kjo pjesë e karrierës së tij, se ai në këtë dikaster punonte për llogari të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjë që vërtetohet edhe nga fakti se ai qëkur ishte student, filloi punë si shoqërues i të huajve që vizitonin Shqipërinë, duke u paguar dhe me honorare. Një nga operacionet speciale të Haxhinastos në këtë dikaster ishte ai që kishte të bënte me marrëdhëniet e shtetit shqiptar me Hajdin Sejdinë. E thënë më qartë, Haxhinasto, si punonjës i këtij dikasteri ka qenë njeriu i ngarkuar me kontaktet me Hajdin Sejdinë në Zvicër dhe në Tiranë, si shoqërues i tij. Atëherë, në prag të ndryshimeve politike në vend, shteti shqiptar nisi një partneritet me Hajdin Sejdinë edhe në fushën kulturore, që u shpall me bujë në fillim të vitit 1991. Të gjitha projektet qenë përgatitur nga zyra e Haxhinastos në Komitetin e Marrëdhënieve Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme. Në radhë të parë Haxhinasto punoi për përgatitjen e bashkëpunimit të kompanisë së Hajdin Sejdisë me Bashkimin e Rinisë (BRPSH). Atëherë BRPSH nënshkroi një marrëveshje me kompaninë mashtruese të Hajdin Sejdisë, të krijuar posaçërisht për të bërë mashtrime në Shqipëri, dhe të quajtur “Iliria Holding”. Sipas marrëveshjes, për të cilën Haxhinasto dhe Sejdia kishin punuar prej kohësh në Zvicër, në zyrat e Hajdin Sejdisë, ky i fundit do ta shndërronte BRPSH-në në një lloj fondacioni modern të problemeve të rinisë që do të nxirrte të ardhura të mëdha financiare që do t’i përdorte për rininë. E gjithë kjo histori përfundoi me krijimin e skemës së parë piramidale financiare në Shqipëri nga Hajdin Sejdia. Haxhinasto, u gjend si padashur në pozitën e punonjësit të aparatit të Hajdin Sejdisë. Them si padashur se Haxhinastos atëherë nuk i dukej gjë e keqe të qenët në borderonë e Hajdin Sejdisë se merrte një pagë 100 herë më të madhe se ajo shtetërore si punonjës i dikasterit të Melicës, ku pagën e kishte nja 800 lekë të reja, domethënë me çmimin e dollarit në treg, nja 24 dollarë. Pa llogaritur shpërblimet që merrte dhe dietat e udhëtimeve në Zvicër.

Në Zvicër, në atë kohë, Edmond Haxhinasto njohu dhe Edmondin tjetër, me të cilin sot janë të dy ministra të LSI, Edmond Panaritin. Ky i fundit në atë kohë studionte në Zvicër për veterinari i dërguar nga regjimi komunist në vitin 1989, falë një burse studimi të OKB. Edmond Panariti kishte marrë si detyrë speciale nga Tirana që të kujdesej edhe për qentë dhe macet e shtëpisë së Hajdin Sejdisë, i cili ishte shumë i lidhur me regjimin komunist. Në këto rrethana u njohën dy Edmondët, të cilët sot i kemi ministra. Sot Hajdin Sejdia e kalon një pjesë të madhe të kohës në Tiranë dhe ata të dy kur e takojnë e përshëndesin me një përulje më të madhe se ajo që tregojnë ndaj kryetarit të LSI-së.

Duke ditur se si përfundoi historia e konsorciumit BRPSH-Iliria Holding, që siç dihet përfundoi me Hajdin Sejdinë që u ekstradua në Zvicër me pranga, për llogari të autoriteteve zvicerane, është e kuptueshme që Haxhinasto nuk parapëlqen ta përmendë në CV-në e vet vendin e punës që e vuri në kontakt me Hajdin Sejdinë dhe e shndërroi, nga punonjës i shtetit shqiptar, në punonjës të “aparatit” të skemës së parë piramidale në Shqipëri. Kjo është një nga arsyet që na jep të drejtën që CV-në e ministrit Haxhinasto ta quajmë më tepër VC (WC) se CV. Kjo CV-VC mund të shpërthejë nga çasti në çast duke përmbytur zyrën e tij qeveritare dhe partiake. Se Haxhinasto e di mirë se çfarë ka në këtë CV-VC. Ne nuk mund të lejojmë që Haxhinasto ta përdorë shaminë e kuqe me të cilën del në përkujtimet e datave të shënuara partizane në shtupë për të mbajtur të mbyllur CV-VC-në e tij, që të mos shpërthejë.

Në respekt të atyre veteranëve që mallëngjehen duke e parë Haxhinaston me shaminë e kuqe partizane në qafë, ne nuk do të lejojmë që ajo të përdoret si shtupë për të bllokuar CV-VC-në e tij që të mos shpërthejë, duke e përlyer atë, partinë e tij, dhe zyrën e tij qeveritare. Ministri Haxhinasto edhe mund të mos përgjigjet. Ai natyrisht që është i zënë me punë të tjera të mëdha në ministri dhe parti, të cilat e pasurojnë përmbajtjen e CV (WC) të tij me bëma për të cilat ai duhet të përdorë më tepër shamira të kuqe si shtupa që ta mbyllin që të mos shpërthejë. Por eksperienca e tranzicionit tregon se CV (WC-të) e bllokuara shpërthejnë dhe shtupat fluturojnë andej këtej si “bomba” duke goditur ata që janë përreth tij. Këto lloj bombash nuk janë aspak të këndshme. Shkurt, ministrit Haxhinasto, nëse zgjedh heshtjen mund t’ i ndodhë që ditët kur është personazh tek “Antena brenda familjes” e Mero Bazes t’ i ngjajnë me ditët kur i merr intervistë kryeredaktor Shabani i gazetës së partisë.

Ministri Haxhinasto e shijon evolucionin e karrierës së tij në personin e vartësit të tij në ministrinë që drejton, Ylli Dylgjerit. Në 1989, Haxhinasto i thoshte “shef” Ylli Dylgjerit. Në 2012 Ylli Dylgjeri i thotë “shef” Haxhinastos. Kjo natyrisht nuk është një gjë që thellë-thellë i pëlqen Ylli Dylgjerit, i cili e di se e meriton më shumë se Haxhinasto që të jetë ministër. Nëse atyre të cilët i kanë njohur Ylli Dylgjerin dhe Edmond Haxhinaston në 1989 do t’ u kishte thënë dikush se 23 vjet më pas ata do të qenë në të njëjtën ministri, njëri ministër dhe tjetri drejtor, të gjithë do të besonin, jo pa habi sidoqoftë, se ministri do të ishte Ylli Dylgjeri dhe drejtori Edmond Haxhinasto. Por ja që ka ndodhur e kundërta. Prandaj, thellë-thellë Dylgjeri e ndjen veten si një lloj  “Dantesi” ndaj shefit të tij, ministrit Haxhinasto. Prandaj këtë shkrim e kemi bërë ashtu siç vartësi Dylgjeri do të kishte dashur t’i fliste ministrit Haxhinasto. Ky është një zhanër shkrimesh që praktikohen në Perëndim, për raportet shef-vartës, siç e dinë mirë të dy, Edmond Haxhinasto dhe Dantes, më falni, Ylli, Dylgjeri. I pari e di mirë se e ka shëtitur Perëndimin dhe pretendon se ka kryer edhe studime e atje. I dyti e di se është marrë me gazetari, sidomos të këtij zhanri.

Ky shkrim është si të thuash një paradhënie në “franga zvicerane” për Edmond Haxhinaston, nga ato me të cilat e paguante dikur Hajdin Sejdia. Këstet e ardhshme do t’i marrë në monedha të ndryshme, duke përfshirë edhe “dinarë” serbë, të kohës kur ishte i ngarkuar me punë i Shqipërisë në Serbi, në 2001-2002 dhe kur u mor më tepër me biznese fitimprurëse se me diplomaci.

(Fundi i pjesës së parë)

VEPRIMTARIA

Qershor 2012- në  vijim

Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës

2011 – 2012

Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme

2010 – 2011 Ministër i Punëve të Jashtme

2009 – 2010

Zëvendësministër i Transportit dhe Punëve Publike

2004

Sekretar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare,  në (LSI)

2004 – 2005

Këshilltar pranë Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin

2002 – 2003

Shef Kabineti në Ministrinë e Punëve të Jashtme

2001 – 2002

I Ngarkuar i Përhershëm me Punë në Ambasadën e Shqipërisë në Beograd

2000 – 2001 Këshilltar Diplomatik pranë Kryeministrit

1997 – 1999

Shef i Departamentit të Koordinimit pranë Zyrës së Kryeministrit

1993 – 1997 Në Sektorin Privat ?????????

1991 – 1992 Shef i Marrëdhënieve me Jashtë në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë

1989 – 1991 ?????????

1989 Diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja Dega Anglish

(www.mete.gov.al)