Pinjolli i fisit Sharra, tregon foton e rrallë të Ismail Qemalit, duke firmosur aktin e Pavarësisë

677
Sigal

INTERVISTA/ Ekskluzivisht për “Telegraf”, Besnik Sharra: “Të interesuar ministri Bumçi, Kryebashkiaku Basha dhe gazetarët”

Ka qenë krejt i rastësishëm takimi me Besnik Sharrën, nipi i patriotit Hasan Sharra, që vlerësohet si një nga mbështetësit e Ismail Qemalit, që prej vitesh ka emigruar në Bruksel. I mbushur me krenarinë e vlonjatit, ca më tepër si pinjoll i fisit patriot të Sharrajve në Vlorë, Besniku rrëfen se familjarisht do të vijë të festojë 100- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë në qytetin e lindjes, në Vlorë. Më bëri përshtypje një dosje me ngjyrat kuq e zi, nga ku ai vendosi dhe nuk e shkëputi për asnjë çast dorën e majtë. Të krijohej përshtypja se ruante diçka të shtrenjtë. Ishte pikërisht ky gjest, që na detyroi të zgjasnim më tej bisedën dhe të mësonin “misterin” e dosjes kuq e zi. Sigurisht, duke shfrytëzuar njohjen dhe respektin reciprok, e pyeta për të.

Çfarë ruani në atë dosje?

Nëse nuk do ta kishe vënë re këtë detaj, nuk do ta kisha treguar. Këtu kam një foto të Ismail Qemalit, që ia ka dhënë gjyshit, Hasan Sharrës, ky i fundit ia la amanet të birit të tij Astritit dhe unë nipi, e kam ruajtur si sytë e ballit për ta prezantuar në ditën e 100 -vjetorit të Pavarësisë. Do të dëshiroja që këtë foto të rrallë, të veçantë, e vetme e këtij lloji, të zërë vend në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë, por interesi është i gjithanshëm, madje janë një grup kosovarësh që ngulin këmbë për ta ekspozuar në Prishtinë në ditën e madhe të Kombit, 100 vjetorit të Pavarësisë.

Kujt ia keni treguar këtë foto?

Janë të interesuar që nga ministri i Kulturës Rinisë e Sporteve z. Aldo Bumçi, Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, madje janë “në sherr” gazetarët Fevziu dhe Arian Çani, që janë vënë në garë se kush do ta publikojë i pari këtë foto.

Si e kanë vlerësuar specialistët?

Po, ma kërkoi drejtore e arkivit të shtetit Nevila…, që me specialistët kompetentë, veçoi faktin që unë e di: Kjo është një foto e rrallë e Ismail Qemalit, e vetmja, ku duket qartë Ismail Qemali duke firmosur Aktin e Pavarësisë, në ditën e firmosjes së aktit, që në këtë 28 nëntor mbush plot 100 vjet.

 Si është ruajtur fotoja?

Gjyshi Hasan Sharra, ia ka lënë amanet të birit, Astritit duke i thënë: Këtë fotografi ma ka dhënë me dorën e tij Ismail Qemali, që është fiksuar duke firmosur aktin historik: Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Ta ruani brez pas brezi. Im atë e ka zbatuar amanetin duke e ruajtur si sytë e ballit në këtë dosje kuq e zi, për të ma dorëzuar mua amanetin, që e sjell deri në ditën e 100 -vjetorit të Pavarësisë. Kam lëvizur shumë shtëpi në Vlorë e Bruksel, kam lënë plaçka e gjithçka, por këtë foto e kam konsideruar thesarin më të madh.

Kujt mendoni t’ia lini foton?

Sigurisht si një relikë e rrallë, e vetme, që ruhet për 100 vjet, ajo do të shoqërohet edhe me një faturë financiare, qoftë edhe simbolike. Mbi të gjitha mua do të më mungojë shumë atje në Bruksel pasi me të shuaja mallin e gjyshit dhe frymëzohesha nga ai çast historik: Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë.

E VEÇANTA E FOTOS

Duke e parë me vëmendje këtë foto, së bashku me drejtorin e Muzeut të Pavarësisë, historianin Agron Shehun, veçohen vlerat historike të saj. Vlera më e madhe tek kjo foto është se është fotografuar Ismail Qemali, që mban stampën studio “Kosturi”, në çastin solemn, kur themeluesi i shtetit shqiptar po firmoste Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Jo vetëm kaq, dizenjoja që shërben si kornizë e saj, nuk është parë në asnjë foto tjetër të ekspozuar të Ismail Qemalit për gjatë një shekulli.

FLET HISTORIANI AGRON SHEHU

Vlerat e kësaj fotoje janë në shumë plane. Vlera historike qëndron në faktin se është fiksuar nga studio “Kosturi” çasti solemn, ku Ismail Qemali po firmos Aktin e Pavarësisë. Po kështu të tërheq vëmendjen, korniza, nëse do ta quanim kështu në formë katërkëndëshi, që rrethon foton. Në një gjerësi  prej 1 cm, foto rrethohet me shqiponjën, simbolin e flamurit, të porsa ngritur në Vlorë. Kjo ka domethënien e saj dhe i shumëfishon vlerat fotografisë.