Durrës, pezullohet puna te kontejnerët, prishen të gjitha mjetet e ngarkim-shkarkimit

377
Sigal

“KURUM” nuk firmos kontratën për koncensionin e terminalit të mallrave, për 35 vjet! Biznesi, paguan kostot

Prej dy ditësh transporti i kontejnerëve nga Porti i Durrësit drejt destinacionit është pezulluar, si pasojë e daljes jashtë funksioni të 4 mjeteve që bëjnë ngarkimin dhe shkarkimin e kontejnerëve në terminal. Shoferët e transportit deklarojnë se kanë dy ditë në pritje dhe kjo është një kosto e rëndë për biznesin, pasi malli është bllokuar në port. Janë rreth 100 kamionë e trajlera në pritje kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia që presin të ngarkojnë kontejnerët për në këtë vende, ku është porositur malli.

Problematika

Autoriteti Portual i Durrësit në dispozicion ka patur 4 mjete, 3 prej të cilave kanë pësuar defekt prej 4 muajsh ndërsa mjeti i fundit është difektuar një ditë më parë. Kompanitë transportuese të kontejnerëve në Portin e Durrësit shqetësimin që po e paguajnë me një kosto të lartë, siç është vonesa në operacionet e ngarkim shkarkimit, stivosjes dhe zhvendosjes së kontejnerëve me mallra dhe bosh. 2 vjet më parë Autoriteti Portual i Durrësit i dha kompanisë “KURUM” koncensionin për 35 vjet për terminalin e Kontejnerëve, një koncension shumë i debatuar aso kohe. Por çfarë ka ndodhur realisht, dy vjet pasi APD firmosi me turqit e “Kurum”-it, që për 35 vjet shërbimi i kontejnerëve do të kryhej nga kjo kompani? Bizneset që operojnë në transportin kontejnierik, kanë mbetur në mëshirë të fatit, që prej muajit maj, ndërsa viti 2012 ka shënuar rënie drastike të transportit të mallrave nëpërmjet kontejnerëve nga porti i Durrësit. Kjo sepse turqit e “Kurum” akoma nuk e kanë nënshkruar kontratën për të marrë në dorëzim shërbimin që u kryhet kompanive të transportit, ndërsa Autoriteti Portual nga viti në vit e ka ulur shërbimin për të mos thënë që e ka lënë pas dore këtë shërbim që duhet t’ju bëhet operatorëve ekonomikë, që paguajnë tarifa të detyrueshme ndaj APD. Kjo sepse pajisjet që APD vinte në dispozicion të ngarkim shkarkimit dhe transportit të kontejnerëve në procesin nga shkarkimi i anijes, me dy vinçat e mëdhenj,  zhvendosja e tyre, me mjete ristegera, qëndrimi në kalatë, stivimi i tyre, ngarkimi në automjete drejt destinacionit etj., ka hasur në një problematikë të madhe për të gjithë biznesin që operon në këtë fushë. APD fillimisht kishte në dispozicion 4 stegera, por kohë pas kohe ato kanë pësuar defekt e për pasojë edhe i fundit  prej tyre është prishur.

APD

Për të zgjidhur këtë situatë emergjente, Porti i Durrësit ka parashikuar zëvendësimin me pajisje këmbimi të dy mjeteve të ngarkim-shkarkimit e për të zhbllokuar transportin e kontejnerëve. Drejtues të portit thanë se nuk mund të investojnë në blerjen e pajisjeve të reja për shkak se terminali i kontejnerëve është dhënë me koncension 35 vjet kompanisë turke “Kurum”, por kjo e fundit nuk ka nënshkruar akoma kontratën e marrjes në dorëzim të shërbimit të kontejnerëve. Kjo situatë ka bërë që porti të mos mundet dot ligjërisht të investojë në këtë terminal dhe për pasojë kanë ndodhur bllokime të tilla pune.