Durrës, Këshilli Bashkiak favorizon banorët që jetojnë në shtëpi ish-pronarësh

558
Sigal

Këshilli Bashkiak i Durrësit, ka favorizuar me 20 pikë familjet që aktualisht banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve. Pas katër orë debatesh, mes akuzash e kundër akuzash mes këshilltarëve të dy kampeve politike, është vendosur që t’i kërkohet Bankës së Këshillit të Europës që, të ndryshojë kriteret për personat që aplikojnë për banesë sociale, duke u dhënë më tepër prioritet familjeve që jetojnë në këto banesa. Kështu brenda 50 ditëve të ardhshme pritet përgjigja nëse institucioni monitorues i shpërndarjes së banesave sociale do ta aprovojë apo jo kërkesën e Këshillit Bashkiak të Durrësit. Replikat janë zhvilluar ndërmjet kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak, Armand Teliti. Këshilltarët e djathtë kanë kërkuar që banesat sociale tu jepen personave që jetojnë në shtëpi ish-pronarësh, por kjo procedurë, nuk është e parashikuar nga financuesit e projektit që është Banka Botërore dhe monitoruesit e Bankës së Këshillit të Europës, ndërsa kreu i bashkisë ka kërkuar që për banorët që jetojnë në shtëpi ish-pronarësh, qeveria të gjejë zgjidhje konkrete, sepse banesat sociale janë ndërtuar për shtresat në nevojë dhe në pamundësi ekonomike. Në këtë mënyrë vijon të mbetet pezull shpërndarja e 125 apartamenteve sociale të përfunduar së ndërtuari 18 muaj më parë. Kreu i Këshillit Bashkiak në Durrës, Indrit Hamiti, ka pohuar se shkak i mosmiratimit janë procedurat dhe kriteret e vendosura, e të ndryshuara disa herë për përfitimin e këtyre banesave sociale në qytetin bregdetar. Në Bashkinë e Durrësit, Banka Botërore nëpërmjet një kredie të butë, ka projektin për ndërtimin e 300 apartamenteve me qira sociale. 125 apartamente kanë përfunduar dhe pritet të shpërndahen ndërsa 175 të tjerat janë në fazë projektimi për ndërtim.