Gëzim Llojdia: Çfarë të them më shumë se kaq për shkrimtarin Trebeshina …

231
Sigal

 

1.

Rënqethet njeriu nga era e ftohtë, siç dridhem unë në një ditë emigrimi. Mirëpo kur përpara syve më del pasqyra Kasem Trebeshina është krejt i ndryshëm krahasimi. Shpalosen kalvarët dhe vuajtjet njerëzore, që kanë prekur deri në kockë, që e kanë goditur deri në palcë. Dhe i ziu njeri duron, duron sa mali me dëborë.

Dhe këtë e bën, sepse deshën të rronin një ditë pranvere. Ka një mal me emrin: Trebeshina, ka pasur dhe një shkrimtar që nuk jeton, me emrin: Kasem Trebeshina.

Në të vërtetë malin e Trebeshinës, unë e kam parë dhe në dimër kur barra e dëborës e ka pikëlluar edhe në pranverë.

Ne shkonim në Mezhgoran dhe më thanë:

-E shikon atë mal, e dini kush është ?

-Sigurisht, që jo.

-Është Trebeshina.

-Po për një shkrimtar Kasëm Trebeshina ke dëgjuar?

-Kam dëgjuar.

Maja e malit, sikur u lëkund atje lart dhe gurët ranë përpara këmbëve.

-“U rrëzua plepi, më tha vendaliu, duke nënkuptuar rrëzimin e Kasëmit.

Dhe heshti u mek, sepse ngado mbinin rojtarët e mjegullinave.

-E dini pse dielli është larg, shprehet një poet, për të na ngrohë të gjithëve mirë.

Dhe emri i Kasëm Trebeshinës tek brezi ynë erdhi nga largësia, pra ai vinte nga ajo largësi, që ne e quanim distancë e gjatë kohore dhe vetë ndëshkimi i tij përmbante një mister.

2.

Nëpër labirintet e lidhjes së Shkrimtarëve. Një ndërtesë aty në rrugën e Kavajës, ku të gjithë të atij brezi e kishim ëndërruar. Ne studentët, që vinim pikërisht nga jugu, na shfaqej ajo dhe na rrethonte me mister.

-Çfarë ruante në të vërtetë ajo brendi, ose çfarë kishte parë ndërsa në vite, thinjej ngadalë?

Kur shikonim shkrimtarët e ulur në oborrin e saj, ne zgjasnim kokat për të parë ata, prapa mureve me hekura të saj.

“Ishte ora 22.30 dhe kalendari shënonte minutat e fundit, që ndanin në mes muajin prill të vitit 1980, shkruan publicisti Nuri Dragoi, që nuk jeton më, në hyrje të një libri të mrekullueshëm për Kasem Trebeshinën.

Që prej këtij vargu hyn dhe merr pjesë aktive në çdo moment të jetës së njeriut që ruante mbiemrin e malit Trebeshinë. Ndërtesa vazhdon të jetë atje ku ishte në kohën kur ajo përdorej edhe kundër shkrimtarëve mirëpo tashmë ajo ka ndryshuar bojën, vendet dhe pozicionimin.

-Ku janë zyrat ku u thurën ose u përgatitën sulmet kundër Kasëmit, në kohën e përndjekjes së madhe?

Në të vërtetë, po të zhbirosh këtë godinë në sipërfaqe të saj ngjet si e pafajshme, mirëpo nëpër labirintet e saj janë fshehur sa e sa ndëshkime, janë përgatitur, sa e sa goditje kundër atyre, që kishin në dorë jo me pushkë, por penën. Një ndër ata është Kasemi, njeriu symbol, që vinte nga jugu i vendit në kryeqendrën shqiptare me përfundimin e Luftë së dytë të Përbotshme. Dhe nëpër labirintet e saj do të ngatërrohej letërsia me politikën ose më shkoqur, politika do të shkonte përpara saj dhe letërsia do të ecte pas gjurmëve të saj. Kështu ato u rritën si lisi me kulpurën, ku kjo e dyta gjithë kohën do ta gjente shtrojën të shtruar tek trungu i lisit. Një simbiozë ose bashkëjetesë e lidhur për një qëndrim kohor rreth ose më tepër se 50 vjet. Për Lidhjen e shkrimtarëve sot ka ende gjëra të pathëna, që janë fshehur qëllimisht. Për Lidhjen e shkrimtarëve shqiptarë ka ende shumë gjëra për t’u thënë. Sepse nuk ishte thjesht një mekanizëm, por edhe prishja shpesh herë e politikës së atij realiteti, që sot e quajmë soc-realizëm. Por ajo, që tërheq interes është mënyra se si u trajtuan shkrimtarë,”banorët e saj”.

Prej saj u zbua me heshtje, që nga poeti Ali Asllani, kur shkonte atje, pak muhabet i bëhej nga Petro Marko luftëtari i Spanjës,djaloshi kaçurrel.

Kasemi,dhe ne që e quanim të ikur Lasgushin, yllsorin shqiptar, magnetin, ndriçimin apo të tjerë pena, që fshinë germat ose gjetën mënyra për t’i mbyllur burgjeve, për t’i degdisur fshatrave mes baltës, për t’i shpurë tek hekurat në vrullin e klasës.

3.

Më e pashpirt mbetej mënyra e dënimit të shkrimtarëve, që shpesh rridhte nga gjykimi politik apo edhe nga mllefi për talentin e tyre, ndërsa ndërseheshin mediokrit për t’u bërë gjëmën devijatorëve të kësaj letërsie. Kam lexuar edhe Petron dhe së fundi Trebeshinën .Një hulli e përbashkët i përndiqte .U mohohej kontributi dhe u fshihej talenti. Bënin emër veç ca mediokër, që i nxori koha në breg si:” bëzhdile”, thoshin plakat tona në jug.

-Përse Kasemi u përndoq?

Ka njëmijë e një arsye, që u servilen, ashtu si në rastin e Petro Markos dhe më kryesorja ishte truri dhe zemra e atij pushteti. Mirë, që nuk i linin të botonin, nuk i linin të ushqeheshin, por në burg, përse i mbyllnin ata, që nuk kishin asgjë me ato ndërtesa të brishta dhe me banorët tinzar të tyre. Nuk ishin as kusar dhe me kusëritë, s’kishin asgjë të përbashkët? Dhe nuk u lodh asnjëherë dhe nuk e mposhtën dot.

4.

Ndërsa kemi kufirin kohor, që kapërcejmë dhe analizojmë ngjarjet, vërejmë se diktatorët kudo, që jetuan e shfrytëzuan, emri i tyre kudo po shuhet, deri sa të harrohet në harrim, ndërsa Kasemi dhe Kasëmet e tjerë dhe vepra e tij dhe e të tjerëve ka për të mbetur e freskët. Mes tyre, vepra e Kasemit e sjellë nëpër mënd janë veprat e tij dhe frymëzimi i tij, që nuk sosen.