Çapajev Gjokutaj: Fëmijët e sotëm dhe trysnia e shoqërisë

925
Sigal

Nuk e kishit gabim ju që i rritët fëmijët me moton ‘krahas shokëve’, por nuk janë gabim as prindët e sotëm që synojnë t’u ngrenë vetëbesimin dhe një e dy u thonë ‘Ti je më i miri’, ‘Je bota’, ‘Njësh të kam’ etj.

Kështu më shkruan një mik dhe vazhdon:Në shoqëritë që nuk janë shkëputur tërësisht nga stadi tradicional mbisundojnë lidhjet e gjakut, të fisit, klanit etj. Një pjesë të mirë të reputacionit femija a i riu e trashëgojnë nga familja a fisi: i biri i filanit, nipi i fëstekut.

Jo vetëm kaq. Ato lloj shoqërish priren nga ruajtja e hierarkive, ndaj individi qysh fëmijë mësohet të jetë i bindur, kokëulur, modest. Për më tepër se forca e kamja burojnë e trashëgohen, më shumë nga fisi e klani, se sa nga përpjekjet individuale.Ndryshon puna sot. Lidhjet e gjakut nuk kanë më peshën e dikurshme, dalin në plan të parë lidhjet e punës, të interesit. Nuk është fisi a klani që të gjenden kur ke nevojë, të vijnë në ndihmë rroga, marketi, kursimet, kredia. Dhe të gjitha këto sigurohen me përpjekje individuale.

Një i ri, që s’ka besim te vetja, vështirë se ia del.

Janë tregu, ekonomia ato që e shtyjnë prindin e sotëm të përpiqet me përparësi, që t’i ngjallë femijës besim tek vetja. Por ka edhe një faktor psikologjik që ndikon në këtë zgjedhje.Fëmija i djeshëm i gjente modelet në një hapsirë relativisht të kufizuar, tek fëmijët e lagjes a të shkollës, shumë shumë tek ata pak që dilnin në radio a në televizionin e mekur të kohës.Fëmija dhe sidomos i riu i sotëm e vuan shume me tepër trysninë e modeleve. Nuk përballet me më te mirët e shkallës a të mëhallës, por me më të shquarit e botës. Per më tepër se këto modele të përbotshme i vijnë si imazhe të përpunuara nga mediat, rrjedhimisht edhe paksa të sheqerosur e të hiperbolizuar.Në këtë trysni mbase nuk është keq që prindi dhe të afërmit të perpiqen me përparësi që t’i ngjallin fëmijës besimin tek vetja, t’i zbulojnë dhe inkurajojnë gjithçka të mirë që ka brenda vetes.Mund ta teprojnë, do thuash ti dhe harxhet do i paguajë fëmija, jo sot po nesër kur të rritet e t’i dalë pija e lavdërimeve boshe. Dhe do të kishe të drejtë, por vetëm me një kusht: nëse edukimi i fëmijve do të ishte akt dhe jo proces që zhvillohet e korigjohet në rrugë e sipër.

( Nga cikli ‘As për mua, as për ty’ )