Pali Nito: Kam mall e nostalgji të shoh një oficer me rrip kraqafë, të kopsitur e me çizme të llustruara!

33
Sigal

Ushtaraku i karrierës e ka në gen dhe natyrën e vetë rregullsinë dhe disiplinën korrekte në paraqitjen e jashtme dinjitoze e shëmbullore. Ushtaraku është figura, nderi dhe krenaria e shtetit dhe kombit. Gjithashtu kam mall e nostalgji të shoh parakalimin e kuadrateve të oficerëve në bulevardin Dëshmorët e Kombit, që ishin aq kompaktë e të fiksuar, a thua se i kishe salduar aq kompaktë, të rregullt e të disiplinuar parakalonin duke përcjellë mesazhin te qytetarët se ky vënd ka zot dhe ka siguri të lartë, sepse ka ushtri dhe kuadro të pregatitur ushtarakisht dhe politikisht . Personalisht sugjeroj që politika dhe media e shkruar dhe ajo elektronike duhet të ndikojë e të nxisë e të prevalojë ndjesinë dhe dëshirën për pregatitjen ushtarake të mbarë qytetarëve e sidomos në radhët e të rinjve. Nuk e teproj aspak të sugjeroj se edukimin ushtarak duhet ta fillojmë qysh herët, qysh në klasën e 7-të, ashtu si e kemi patur në të kaluarën dhe ashtu si e ka dhe sot shteti Izraelit. Mendoj se një masë e tillë është e domosdoshme, sepse nëse nuk mbron veten do të ishte një gabim fatal dhe i pafalshëm duke shpresuar se do të na mbrojnë të tjerët. Të mendosh kështu as më shumë e as më pak do të thotë të jesh pacifist, naiv, i cekët dhe aspak objektiv e serioz. Në lidhje me këtë problem një strateg i madh ushtarak, George Ëashington ka thënë: se metoda më e mirë për të mbrojtur paqen është të pregatitesh për luftë. Dhe natyrshëm vjen pyetja: Po si do të pregatitemi ne me një grusht ushtarësh dhe oficerësh , pa asnjë strukturë ushtrake rezerviste dhe për më tepër kur nuk kemi asnjë shkollë ushtarake të mesme e të lartë për asnjë nga llojet e armiqve dhe për pregatitjen dhe diplomimin e aspirantëve për oficerë karriere? Në retrospektivë kujtoj se para viteve 90-të ne kishim disa shkolla ushtarake si: shkollën Skënderbej, që ishte fidanishtja dhe e ardhmja e ushtrisë, kishim shkollën e Bashkuar të oficerëve “Enver Hoxha”, akademinë e shtatëmadhorisë “Mehmet Shehu”, Shkollën ushtarake të Zallherrit që pregatiste dhe diplomonte, kuadro rezervistë të të gjitha llojeve të armëve, kishim gjithashtu shkollat ushtarake të korpuseve e të grupimeve luftarake në rrang korpusesh. Kishim shkollën e Marinës luftarake, që pregatiste dhe diplomonte oficer për marinën luftarake si dhe kuadro për marinën tregtare, kishim shkollën e aviacionit, që pregatiste dhe diplomonte pilotë për mbrojtjen e hapësirës ajrore. Kishim gjithashtu disa shkolla instruksioni për pregatitjen e nënoficerëve e të specialistëve të fushave të ndryshme. Do të përmënd këtu shkollën e instruksionit të marinës në bazën e Pashalimanit, që pregatiste radiografistë, centralistë, fillrojtës, elektricist, motorist, mekanikë, agustikë, boçmanë, profesione këto që ushtroheshin në fusha të ndryshme të ekonomisë. Dhe çdokush jo pa trishtim dhe dëshpërim pyet: Po sot? Dhe përgjigja është lëre, lëre mos e pyet, jemi ibret e mysybet e keq e mos më keq. Dhe së fundi do të theksoja dhe njëherazi do të nënvizoja një çështje tepër të rëndësishme. Sa herë që ndodhin konflikte dhe luftra sikundër është rasti i luftës në Ukrainë, si SHBA- ja dhe Bashkimi Europian kontribojnë në ndihmë të shtetit që sulmohet me dollar dhe euro, por asnjëherë dhe asnjë rast me trupa ushtarakë pasi nuk mund të vriten kurrsesi për të tjerët. Populli ynë punëtor e patriot ka një shprehje të mënçur ku thotë: Gomarin e nxjerrë nga balta i zoti”. Pra prej këtej nxjerrim konkluzionin se në rast se sulmohemi nga ndonjë agresorë vëndit duhet që vetë neve t’i dalim për zot jo me mendime pacifiste, por me masa dhe pregatitje ushtarake.