Çamëria s’është më një Gur Sizifi mbi shpinë

926
Sigal

Dikur për çamët diskriminim, nofka dhe situata të pakëndshme, sot “Unë e dua Çamërinë!”

Para disa kohësh, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në kuadër të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe “Javës Çame” në përkujtim të 27 qershorit 1944, ditës së gjenocidit grek kundër popullatës shqiptare të Çamërisë, në shenjë mirënjohje, dekoroi me titullin e lartë “Nderi i Kombit” tre personalitete të shquara nga treva e Çamërisë: Filozofin dhe ideologun e shquar të Rilindjes Kombëtare Hasan Tahsinin; patriotin dhe politikanin Musa Demi dhe poetin disident Bialal Xhaferri. Është një veprim i pëlqyer, por disi i vonuar dhe i pamjaftueshëm. Çamëria dhe çamët meritojnë shumë më tepër.

Këto që do të rrëfej…
Në këtë shkrim, si pjesëtar i këtij komuniteti, i lindur në Çamëri, dua të sjell disa kujtime dhe përjetime vetjake për të rrëfyer se Çamëria, për mua dhe të tjerët me prejardhje nga ajo krahinë, në vend që të ishte bazë vlerësimi e burim krenarie, ka rënduar mbi shpinat tona si guri i Sizifit, për të mos thënë si pesha e kryqit në rrugën e Golgotës së jetës. Këto që do të trajtoj, janë vetëm disa thërrime përjetimesh vetjake të jetës time, nga shumë të tjera, të cilat për mbi 60 vjet, u janë shtuar problemeve të tjera (që si për këdo nuk kanë qenë të pakta) dhe që shpesh më kanë krijuar, mua dhe familjes, gjendje të rënduara psikologjike, pasoja e strese dhe se, si mua,apo edhe më keq, kanë pësuar me mijëra të tjerë bashkëkrahinarë të mi.
Nofka për çamët, peshqesh grek…
Isha ende fëmijë, kur gjërat nuk arrija t’i kuptoja si duhet. Luaja me bashkëmoshatarët. Në lojë e sipër, ose në çdo rast tjetër kur zemëroheshin (fëmijët zemërohen dhe gëzohen lehtë) më fyenin duke më quajtur “Çam i pabesë” dhe “Çam i djegur”. Nga kjo fyerje edhe kam qarë. Mendja ime prej fëmije nuk arrinte të kuptonte pse më quanin ashtu. Pyesja më të mëdhenjtë. Më thanë se ne ishim muhaxhirë,ardhacakë dhe ende nuk na shihnin me sy të mirë. Më pas, pleqtë tanë, më thanë se grekët përveç, që na vranë e prenë, na dogjën dhe rrënuan,me veglat e tyre filo greke e ortodokse, përhapën si një mallkim që do të na ndiqte pas edhe ato fyerje, që njerëzit të besonin se çamët ishin vetë fajtorë për ato që kishin pësuar dhe hequr!
…që na u ngjit pas gjithë jetën
Në shkollë mësoja mirë, nuk isha i pari i klasës, por ndër të parët. Kisha dhe disa çam të tjerë. Sa herë që vinte rasti, epiteti çam, gjithmonë në formë rënduese nuk na ndahej. Kjo ndodhi edhe me shkollën, megjithëse kërkoja degë tjetër, më dhanë bursë për në Institutin e Lartë Bujqësor. Në ato vite, për djemtë e vajzat çame, me përjashtim të rasteve shumë të veçanta, nuk jepeshin bursa apo të drejta studimi për fakultete të pëlqyera si mjekësia, juridiku etj., por i çonin në bujqësi, miniera e naftë.
Një episod i pakëndshëm
Viti 1960 ishte një katastrofë. Inteligjencia dhe ata pak funksionarë të lartë të administratës shtetërore të atëhershme, morën goditje të rënda, asgjësuese. Fjala çam qarkullonte si armik, si i pabesë, si tradhtar. Isha në vitin e dytë të studimeve. Bëhej gjyqi i Teme Sejkos. Bashkë me shokun tim të klasës, Alush Manen, e ndiqnim zhvillimin e gjyqit nga radioja, në oborrin e konviktit. Në një çast një grup i eksituar, na u turr dhe na shau ne dhe gjithë çamët kudo që ishin me rrënjë e degë. Ishin gati të na linçonin, por si thonë fjalës dy duar për një kokë .Edhe ne u treguam dhëmbët dhe “trimat” u larguan me bisht në shalë. Megjithatë, të indoktrinuarit, vazhdonin të na shihnin shtrembër. Kjo më la shije të hidhur dhe më detyroi të mendohesha gjatë. Çamët trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë. Dikush në ato vite hodhi në qarkullim tre “Ç-të” më të këqija të botës: Çifutët, Çekët dhe Çamët! Kur dikush, më shante Çamërinë, më dukej sikur më shante nënën.
Emërimi, dihej se ku…
Në pranverë të vitit 1963 u diplomova me rezultate shumë të mira. Në atë kohë emërimet në punë i bënte Ministria e Bujqësisë. Bashkë me dy shokë, na zgjodhën për të filluar punë në fidanishtet e ullirit për të zëvendësuar mjeshtrit e vjetër që po plakeshin. Mua në Berat. Më pëlqeu,në aspektin Professional e të specialitetit, por edhe se Berati ishte afër Fierit ku kisha familjarët e mi. Ende pa nisur punën nisën zhgënjimet. Komiteti i Partisë që kishte të drejtë t’i ndryshonte emërimet, pasi kishte parë në dosjen time prejardhjen nga Çamëria, e lanë bosh për atë vit vendin tim deri sa të gjenin “Një më të besuar” dhe më degdisën në një kooperativë bujqësore që nuk e dija, ku binte. Gjeta një kamion, hipa në karroceri dhe u nisa për të filluar “detyrën”. Pas disa muajsh, i humbur se i humbur, dërgova një letër ankesë për ndryshimin e emërimit në organet e larta. Për fat apo për çudi letra ra në dorën e një personi të lartë që dha porosi të më kthenin në NB Berat, në fidanishten e ullirit.
Një çam jashtë shtetit? Në asnjë mënyrë!…
I përkushtuar pas punës dhe zbatimit të teknologjive të reja që kishin filluar të zbatoheshin në perëndim, (të cilat i njoha nga literatura) arrita t’i ndryshoj pamjen sektorit dhe puna filloi të tërhiqte vëmendjen e autoriteteve. Erdhën dhe i panë funksionarë të lartë dhe më ngarkuan me një detyrë projektimi që nuk u zbatua asnjëherë. Në këtë kohë, FAO, Organizata Botërore për Bujqësinë dhe Ushqimin dha bursa për kualifikim në Francë. Isha kandidat. U pyet drejtori. Ai tha se nuk merrte përsipër që çami (unë), pasi të shkonte në perëndim do të kthehej sërish! E njëjta ndodhi edhe për një mundësi tjetër specializimi në Itali. Në ndërkohë fillova të botoj në shtypin shkencor arritjet e studimeve dhe botova librat e para. Më pas erdhi një kërkesë nga Universiteti Bujqësor, më kërkonin përgjegjës të katedrës së pemëtarisë. Më në fund u dha miratimi dhe prisja me ditë që të më thërrisnin, por dokumentet u kthyen!, Arsyeja? Sekretarja e kuadrit e Komitetit të Partisë së Tiranës, kur kishte parë fjalën Çamëri në dosje, e kishte mbyllur dhe kishte thënë:”Pse për një çam ka mbetur katedra e Universitetit Bujqësor? Kthejini mbrapsht dokumentet” Ashtu u bë.
Kryqëzata kundër çamëve në Durrës
E keqja vinte nga lart, nga anëtarët e udhëheqjes. Më flagranti është rasti i anëtarit të Byrosë Politike, Rita Markos, i cili kur shkoi sekretar i parë në Durrës, ndërmori kryqëzatën kundër çamëve që banonin në Shkozet dhe i syrgjynosi në baltovinat dhe humbëtirat e Hamalles dhe Rrushkullit. Ishte po ky që kryqëzoi poetin Bilal Xhaferri në një mbledhje “Model” të klasës punëtore të Parkut të Autobusëve. Edhe pse çamët u integruan në shoqërinë shqiptare, u miqësuan, lidhën krushqira e miqësira, patën e kanë nipër e mbesa nga të dy krahët, gjithsesi, në ato kohë, ta thoshe që ishe çam, ishte punë me zarar para njerëzve të paditur, por që kishin pushtet. Brezi i ri i lindur në Shqipëri, e pati më të lehtë dhe nuk vuajti nga ky kompleks. Ky brez shkruan sot në mure “Unë e dua Çamërinë!”
Nuk u hoq kurrë guri nga supi
Në vitin 1976, u transferova në Ministri të Bujqësisë. Edhe pse i ngjitur në administratën shtetërore, nuk ishte e mundur që ta hiqja nga shpatullat peshën e atij guri. Në ato vite mbrojta doktoratën dhe mora tituj shkencorë akademikë. Nga gjysma e dytë e viteve 80-të, një “dashamir” nga ata që i donin të mirën shtetit, dërgoi një letër anonime në organet e larta. Ishte si një pretence kundër meje. Midis të tjerash ai vinte në dukje se dega e frutikulturës në Shqipëri kishte marrë rrokullimën, ngaqë në drejtimin e saj ishin vënë një çam dhe një “grek” (greku ishte një kolegu im nga Kudhësi i Vlorës)! Me porosi të veçantë, u vunë në lëvizje organet e larta të kontrollit të shtetit dhe pas disa muajsh, u gjeta fajtor (natyrisht fajtor pa faj) dhe pas një pritje të gjatë për fatin tim, që ishte si një makth, më degdisën në Krujë. Edhe në këtë rast Çamëria rëndonte si guri i Sizifit, sa herë arrija t’i afrohesh të përpjetës, rrokullisesha në pikënisjen e saj.
Rezoluta? Le të shpresojmë!
Erdhën ndryshimet demokratike. Shumë gjëra kanë ndryshuar. U krijua Shoqata Atdhetare Patriotike “Çamëria”, dhe Partia PDUI që përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë. Në mentalitet dhe opinionin, publik kanë ndryshuar shumë gjëra për çamët dhe Çamërinë. Vetëm qeveria greke nuk ndryshon mendim dhe qëndrim, ajo mohon që të ketë një problem çam! Por, ndryshe nga sa pret komuniteti çam, edhe në qëndrimin politik të qeverive tona për “Çështjen çame” (Për t’u shprehur me terma të buta), ka stepje, druajtje, ngurrim, inferioritet në partneritet dhe një mungesë vullneti për t’u përballur me qeveritë dhe politikën nihiliste e shoviniste greke. Shteti ynë nuk po bëhet palë me afro 300 mijë shtetasit e tij për mbrojtjen e interesave të tyre legjitime, që bëjnë pjesë në të drejtat themelore të njeriut, të njohura ndërkombëtarisht. Po diskutohet për hartimin dhe miratimin e të pritshmes “Rezolutë Çame”. Ajo natyrisht duhet të jetë e guximshme, e drejtë, e qartë dhe e saktë në detyrimet dhe kërkesat për qeveritë shqiptare, për zgjidhjen e kësaj nyje gordiane. Pa qenë e tillë, një rezolutë kompromisi, as mish as peshk, do të ishte një dokument që do të lindte i vdekur. Le të shpresojmë!…