Futbolli kërceu vallen e “Napoleonit” shqiptar në Europë

610
Sigal

FOKUS EVROPE/ Mbyllen aventurat e skuadrave tona, jemi në identitetin e salduar prej vitesh

Dje u çelën Lojrat e 30-ta Olimpike Botërore dhe e gjithë Bota e sportit me sytë nga Londra, ndoshta u mahnit nga ai start madhështor që kishte të ndërthurur me mjeshtëri sportin me artin. Ky event botëror mundet edhe të na e “mbyllte gojën” në këtë periudhë, për të mos folur për atë çka kemi kaluar ditë e javë më parë në topkëmbën tonë, por Londra është një finale, që për të shkuar deri aty janë kaluar sa e sa shtigje. Edhe për futbollin, këto shtigje nuk do të kaloheshin, nëse nuk do të thuheshin se cilat janë pengesat, cilat janë mangësitë e rrugëdaljet. Duke dalë nga Olimpiket e Londrës, hyjmë në korridoret e futbollit evropian, ku edhe skuadrat shqiptare të futbollit “kënduan e hodhën valle” një ose dy herë, sepse për kaq i kanë mundësitë e aftësitë e tyre. Kështu, të gjitha dilemat, e më shumë, të gjitha dëshirat e skuadrave tona të futbollit që u përfaqësuan në Europë gjatë muajit korrik 2012, në formën e parashikimeve apo edhe të synimeve të tyre serioze, të enjten u shuajtën me Tiranën të eliminuar turpshëm nga Europa Ligë. Në këtë edicion ku Europa e kishte ofruar futbollin shqiptar me 4 skuadra e tij më të mira, referuar rezultateve, ne u shfaqëm përsëri ata që ishim, natyrisht dhe ata që jemi. Krahasuar me vallen popullore që serviret shumë shpesh në ambientet tona festive, vallen “Napoleonin”, si Skënderbeu, Teuta, Tirana dhe Flamurtari, dhanë po atë performancë të sezonit të kaluar. Hoqën po atë valle që dinë ta bëjnë mirë nga sezoni në sezon, të gjitha u eliminuan, edhe pse Tirana rezistoi një tur më shumë, por kjo nuk ishte asgjë për të thënë se 24 herë kampionët e Shqipërisë kishin ndryshuar ndopak për ta mbrojtur krenarinë e topkëmbës sonë. Pra, hyr e dil në Europë dhe ne vetëm “Napoleonin” jemi duke “kërcyer” në fushat e stadiumet ku kemi luajtur, pa asnjë ndryshim që edhe kjo Evropë të thotë se Shqipëria e futbollit ka ndryshuar. Dhe këtë “Napoleon”, Europa e ka përkthyer me bollëk golash në portat e skuadrave tona. Është i çuditshëm fakti që, drejtuesit e skuadrave, e më shumë trajnerët, para çdo sfide në Europë shpalosin arsenale synimesh, a thua se këta ja kanë marrë dorën Europës dhe mendojnë për ndeshjet në grupe. Le të “prekim” pak kryesisht dy trajnertë të huajt, Rubion e Tiranës dhe Lëvin e Skënderbeut, të cilët në këtë skuadra gjatë sezonit të kaluar arritën të marrin trofe. Por, spanjolli është duke vendosur një rekord “guiness” sa i përket premtimeve të tij, ndërkohë që, kur ato nuk i dalin, gjen vegje të shumtë se ku ta varë xhaketën e vjetëruar të tij të premtimeve. Asgjë e re e këtij trajneri me origjinë nga Kampionët e Botës dhe të Europës, i cili sa do që të justifikohet për elementët apo kushtet tona, prej tij nuk ka as edhe një nuancë teknike se është nga Spanja e futbollit absolut. Edhe ky e vazhdoi “Napoleonin” shqiptar, duke e vënë në dyshim vazhdimësinë tek Tirana, jo për të qënurit e tij në bankinë, por për aftësitë e tij në ndryshimin që ai mund të sjellë tek kjo skuadër, me efekte në futbollin shqiptar. I tillë doli edhe Lëvi i Skënderbeut, një trajner sa serioz aq edhe karizmatik, sa i gurtë aq edhe i vrazhdët për lojën më popullore në Botë, por që në Evropë ju drodhën “gjunjët” me taktikat që kishte zgjedhur në të dyja ndeshjet me Debrecenin. Se Evropa kërkon pesha të rënda në bankinë, jo diletantë sikundër dy të huajt e Tiranës dhe të Skënderbeut, por kjo nuk do të thotë se Muça i Flamurtarit e Lika i Teutës bënë heroin. Jo! Të dy janë nga trajnerët shqiptarë më të mirë në treg dhe nuk janë me origjinë nga Spanja që t’ua kërkojmë erën spanjolle në fushën e lojës, nuk janë nga Çekia, ish-kampione e Evropës që të themi se edhe këta janë “skorje” të trajningut në vendin e tyre. Kësisoj themi për dy të huajt, të cilët e mësuan tashmë “Napoleonin”, jo vetëm kur dëfrehen në dreka e darka me suitat e tyre, por më shumë atë “Napoleon” që është duke e mbajtur me “frena dore” futbollin shqiptar të Europë. Sa e gjatë do të jetë pritja për një tjetër “valle” në Europë, kjo duket se do të jetë me dekada!

Rezultatet
Skënderbeu-Debrecen 1-0 0-3
Tirana-Grevenmacher 2-0 0-0
Tirana-Alesund 1-1 0-5
Teuta-Metalurg R 0-3 1-6
Flamurtari-Honved 0-1 0-3

Të dhëna
Luajtëm 10 ndeshje
Shënuam 5 gola
Pësuam 22 gola

Greqi, Bledar Kola trajner i Apollon Smyrnis
Ish mesfushori i njohur i kombëtares shqiptare Bledar Kola , ka marr në dorë drejtimin e ekipit grek Apollon Smyrnis. Këtë lajm e kanë bërë publik zyrtarët e klubit, që duket se afrimi Kolës u ka kthyer shpresën për ringritjen e ekipit. Kola e njeh mjaft mirë Apollon Smirnin, pasi ka luajtur për tre vjet te kjo skuadër. Aktualisht skuadra e Apollonit militon në Kategorinë e Dytë greke, por me ambicie për t’u ngjitur në të Parën. Ai ka qenë dhe drejtor i akademisë së AEK-ut, ku ka treguar se ka profesionalizëm të lart. Në një prononcim për mediat sportive greke, presidenti klubit Velis është shprehur me ambicie për klubin që ai financon, pasi për momentin klubi është pjesë e kategorisë së dytë.

Olimpiada, atletët sirianë me mendje tek lufta
Në një kohë që vendi i tyre numëron përditë me dhjetëra viktima për shkak të regjimit të presidentit Bashar Al Assad, atletët sirianë kanë finalizuar përgatitjet e fundit për Olimpiadën e Londrës. Sportistët nga Siria kanë qenë në gjendje të përgatiten në vende të sigurta për lojërat e kësaj vere, edhe pse në shtetin e tyre ka revoltë dhe gjakderdhje masive. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka regjistruar dhjetë atletë, gjashtë meshkuj dhe katër femra, të cilët do të garojnë në shtatë disiplina të ndryshme në Londër. “Kemi shumë vende që janë të qeta dhe të sigurta për stërvitje dhe aty ishin atletët tanë. Nuk ka rrezik dhe revolucion në mbarë Sirinë, janë vetëm disa vende të caktuara”, tha Samih Mudalal, anëtar i Komitetit Olimpik të Sirisë dhe atij Ndërkombëtar. Propaganda e tij ngjasonte me presidentin famëkeq Assad, protestat kundër, të cilit kanë filluar në muajin mars të vitit të shkuar. Ato janë shndërruar në një luftë civile, ku sipas aktivistëve të paktën 19 mijë persona e kanë humbur jetën deri më tani. Në Olimpiadën e Londrës, atletët sirianë pritet të japin edhe një mesazh të përbashkët paqeje për ndaljen e gjakderdhjes.

Barcelona: Mascherano rinovon kontratën deri në 2016
Javier Mascherano rinovoi kontratën e tij me katalanasit deri në qershor të 2016. Lajmin e njoftoi zyrtarisht ekipi i blaugranave. 28-vjeçari Mascherano, të cilin ish tekniku i Barcelonës, Pep Guardiola e transformoi në një mbrojtës qendror, mbërriti në Katalunjë në vitin 2010, pasi kishte luajtur në Angli me Ëest Ham United të Londrës dhe Liverpoolin. Sipas faqes zyrtare të Barçës, lojtari do të firmosë akordin e ri brenda këtyre ditëve. “Mascherano është një lojtar kyç për lojën tonë. Qëkur Guardiola e vendosi atë në qendër të mbrojtjes, të gjithë pamë frytet e punës së tij”, komentoi shoku i skuadrës dhe i Kombëtares Argjentinase, Lionel Messi. Kartoni i Mascheranos i kushtoi Barcelonës 20 milionë euro.