Adriatik R. Dosti: I gjori stadium, ‘shyqyr’ që s’ka gojë dhe flet!

519
Sigal

I gjori Stadium…!

Adriatik Riza Dosti

 

U tha se do të ndërtohej brenda 2 vjetësh…por ka nisur të ndërtohet që në Qershor të 2016-s …e akoma pas tre vitesh e kusur ende nuk ka përfunduar…

U tha se do të kushtonte 50 milionë euro…por deri tani i ka kaluar të 70 milionët e prite sa do vejë deri kur të inaugurohet…

U tha se do të kishte një kapacitet prej 25 mijë vendesh e u katandis me 22.500 ndenjëse…

U tha se në të 4 pjesët e tij dy ballore e dy anësore shqiptarët do të shijonin ndeshjet e Kombëtares së tyre Kuq e Zi…por njëra pjesë …ajo e VIP-ave firoi e u shndërrua në Mollë e Ndaluar për dashamirët e futbollit …dhe e rezervuar vetëm për Të Mëdhenjtë e tyre si dhe për bizneset e pisllëqet e tyre pa fund me të cilat kërkojnë të bëjnë pis edhe futbollin ..

U tha se do të quhej Arena Kombëtare …por Braçja me shokë ç’nuk po bëjnë t’i rikthejnë emrin e simbolit të tyre komunist të 5 Majit…Qemal Stafës….

U tha e ç’nuk u tha për Kullën e tij, por doni ju që ajo ishte e para që përfundoi së ndërtuari dhe ka kohë qe është gati për ”aktivitetin e saj sportiv e tregtar”’…

U tha se do te inaugurohej në Qershor…pastaj u shty për në Shtator e më së fundi është vendosur të përurohet në Nëntor në ndeshjen me Francën …si shpërblim për përdhosjen e Himnit tonë kombëtar prej ”Gjelave” të Makronit …me 7 shtator të këtij viti në Paris…

U tha që do të jetë një investim i përbashkët mes FSHF – UEFA e Qeverisë shqiptare, …por ju siguroj se ka të ngjarë që ky stadium të mos jetë rrezik pronë e askujt prej të deklaruarve, edhe pse një ”Pronar” e ka që ç’ke me të…

U tha që do të jetë stadiumi më i bukur në Ballkan…por sinqerisht unë deri tani gjë më të shëmtuar nuk kam parë, …edhe pse Ballkanin e kam bredhur me pëllëmbë e nuk besoj që ai është aq i shëmtuar sa ky palo stadiumi ynë të jetë një nga bukuritë e rralla e një nga kryeveprat e tij …

I gjori stadium …shyqyr që s’ka gojë thoni, ….se do kishte bërë namin nëpër Gjyqe e Gjykata …apo s’i kemi sakllam ne këto të fundit…!