Astrit Patozi/ Rama dhe Tahiri ndërtojnë një polici politike

521
Sigal

*deputet i PD-së

Ndryshimet drastike në polici, janë të paligjshme dhe arbitrare. Fillon me Drejtorin e Përgjithshëm.  Nuk përmbush kriteret e ligjit. Kam ndjekur dy orë debat televiziv për të marrë një përgjigje të ministrit, e cila nuk erdhi kurrë, sepse përgjigje nuk ka, sepse ligji është shkelur. Dhe pyetja ime është kjo: Çfarë ju bën ta ndjeni veten mbi ligjin? Kemi mbërritur në pikën ligji është Edi Rama në këtë vend? Nuk kam asgjë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, nuk e njoh fare dhe uroj të jetë polic korrekt, por jam shumë i sigurt që shefat e tij nuk kanë  asnjë qëllim të mirë kur e kanë emëruar atë dhe të gjithë kupolën e policisë në një ditë, duke shkarkuar me një të rënë të lapsit të gjithë zinxhirin komandues. Policia e Shtetit ka për detyrë të ndërhyjë dhe të arrestojë kur konstaton shkelje të ligjit. Por, kur ligjin e shkel kryeministri dhe ministri në mes të ditës, çfarë ndodh. Kush ndërhyn dhe arreston? Çfarë mesazhi doni t’i jepni uniformave blu, që për ligjin nuk pyet njeri në këtë vend, mjafton të zbatonin urdhrin?
A është kjo një polici e re dhe a është një shtet i ri, qeveria e Edi Ramës dhe e Saimir Tahirit? Se këta, nga njëra anë, thonë se Sali Berisha u la arkën bosh, por ne do t’i paguajmë të gjitha borxhet e tij. Por, nga ana tjetër, nuk njohin asnjë meritë që administrata dhe institucionet e këtij vendi kanë pasur apo rezultatet që kanë arritur në këto 8 vite. Sepse kjo është ora zero për këtë qeveri. Të shkarkosh të 12 drejtorët e qarqeve, përveç shumë të tjerëve, do të thotë të fshish me gomë dhe të mos njohësh evolucionin e natyrshëm të policisë së shtetit në këto vite. Të hedhësh në kosh mijëra vjet karrierë profesionale, përkushtim dhe sakrificë në detyrë, qindra vite specializime.  Ministri i Brendshëm dhe  Kryeministri nuk mund të tregojnë respekt për punën e punonjësve të policisë vetëm duke kujtuar të rënët në krye të detyrës, sepse jo të gjithë policët duhet të vriten, që pastaj të nderohen. Ndaj, edhe mirënjohja për të vrarët tingëllon shumë hipokrite, kur trajtohen si leckë të gjallët. Edhe sikur nga lufta të kishim dalë, spastrimet nuk do të kishin qenë të këtyre përmasave. 23 Qershori nuk shënoi triumfin e një revolucioni, por ishte thjesht dhe vetëm data e zgjedhjeve demokratike të radhës në një vend të lirë. Me atë që keni bërë, të krijoni përshtypjen se policia e shtetit është e keqja më e madhe e këtij vendi.  Dhe kjo është sa e padrejtë, aq edhe me pasoja të rënda për detyrën tuaj. Por, mbi te gjitha, po riktheni kujtimin e hidhur të përgjegjësisë dhe dënimeve kolektive, një mentalitet dhe koncept që e kemi lënë pas, këtu e 23 vjet të shkuara. Sepse lidhja e vetme që mund të kenë me njeri-tjetrin dhjetëra drejtuesit e krasitur të policisë së shtetit është se të gjithë kanë shërbyer në detyra të larta në regjimin e armikut, të Sali Berishës kuptohet.

A po shkojmë ne drejt një policie politike? Kam frikë se shenjat janë të këqija. Nuk ka asnjë vëzhgues ndërkombëtar, asnjë vendas, asnjë aktor, apo protagonist që të jetë ankuar për implikimin e policisë në zgjedhjet e fundit, të cilat kanë ardhur, duke u përmirësuar, deri më 23 qershor. Madje, as në ato të kontestuarat e vitit 2009 nga Edi Rama, kryeministri i sotëm nuk arriti deri aty sa të drejtojë gishtin mbi policinë.  Çfarë do të thotë kjo? Që policia e shtetit është totalisht e depolitizuar, sepse po të ishte ndryshe, do ta kishte dhënë një shenjë, e ku më mirë se në zgjedhje. Por fakti që kjo meritë nuk njihet fare, pasi të gjithë shefat që kanë pasur detyra të larta në kohën e Berishës shkarkohen në një ditë, më shtyn të dyshoj se kjo e reja, një shtet – një polici, do të jetë kryesisht politike.  E mbushur me militantë, të cilët, midis punëve të paudha në periudhën e qetë politike, do t’i kthehen traditës së shëmtuar të prishjes së zgjedhjeve. Nuk është rastësi, që zgjedhjet e fundit të masakruara nga policia janë ato të vitit 2001, kur sërish vendin e udhëhiqte Partia e Saimir Tahirit. Ai nuk besoj se e mban mend mirë atë kohë, por shumë prej nesh e kanë hequr në kurriz dhunën e pashembullt, që solli deformim masiv të rezultatit.  Folët për tradhti në radhët e policisë. Mund të ketë raste, nuk i përjashtoj. Por ku ka tradhti më të madhe se sa ajo e ministrit dhe e kryeministrit? T’i konsiderosh armiq policët vetëm se kanë shërbyer në kohën e qeverisjes së kundërshtarit, është tradhti kolektive. Dhe kjo është më e rënda tradhti. Sepse dekurajon çdo punonjës policie, pavarësisht nga grada, në kryerjen e detyrës së tij.
Në çfarë ligji dhe në çfarë logjike politike mbështetet shkrirja e disa departamenteve, apo strukturave të policisë së shtetit me urdhër suprem të ministrit? U tha se disa punonjës të antikrimit ekonomik dekonspiruan operacionin  e goditjes së lojërave të fatit. Kaq mjaftoi që e gjithë struktura të shkrihej.  Sipas kësaj logjike, në rast se një ministër shkelka ligjin, dhe kjo ndodh. Ja ku e kemi përballë një rast të freskët. Saimir Tahirin. Ka shkelur me të dyja këmbët ligjin në emërimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Pas kësaj, i bie që pas kësaj të shkrihet e gjithë qeveria.  A mund të pranohet kjo në një vend normal? Sigurisht, pas kësaj, jo vetëm opozita, që e ka të fortë shpirti e dyshimit, por çdo qytetar i zakonshëm e ka të vështirë të mendojë se këto akte kanë nga pas qëllime të mira. Janë hedhur hipoteza të forta se kjo strukturë ka hetuar dhe ka ndjekur për vite me radhë lidhjet e politikës me krimin dhe kjo është arsyeja që asgjësohet. Unë vetë mendoj se këto shkrirje bëhen më shumë që të krijohen struktura të reja, nga e para, që pastaj të mbushen me besnikë të partisë. E vërteta mund të jetë diçka mes të dyjave, por në të gjitha rastet është alarmante.
Dhe se fundi, Policia e Shtetit po shndërrohet në trupë teatrore ambulante. Këto ditë është krijuar përshtypja se policia shkon aty ku janë vendosur më parë kamerat, aq i fortë ka qenë instrumentalizimi i saj. Ndërkohë që, në një shtet normal, kamerat ndjekin policinë, dhe gjithmonë pas aksioneve, jo kot. Policia ka marrë përsipër atribute që nuk ia jep ligji, aq sa të duket sikur ajo do të zëvendësojë edhe kontrollin e shtetit, edhe prokurorinë, edhe gjykatat, edhe Inspektoratin e Ndërtimit, madje edhe trupat xheniere, sepse,edhe për rrëzimin e pallateve me tritol e merr meritën dhe përgjegjësinë policia. Ky është një abuzim i madh. Sepse një polici që gjendet vazhdimisht aty ku nuk duhet të jetë, i bie që të mos jetë asnjëherë në vendin dhe në kohën e dukur. Dhe me sa duket kjo po ndodh. Nuk di që të jetë ulur numri i vrasjeve, apo aksidenteve, nuk di që të ketë rënë fluksi i trafiqeve, përkundrazi, ndërkohë që policët e shkretë i sheh të ndodhen kudo në Shqipëri, përveçse aty ku i thërret detyra dhe ligji. Sepse policia po keqpërdoret mizorisht nga politika. Mesazhet për policinë janë të rënda. Që për të bërë karrierë nuk të duhen vitet e punës, specializimet, përkushtimi ndaj detyrës, por afiniteti politik me pushtetin. Dhe ky është një kthim rrëqethës prapa, ndoshta në vitin e mbrapshtë 2001. Ky është përkthimi i deritanishëm i devizës një shtet, një polici.