Pazari i ministrave të Mbrojtjes me matrapazët e Ballkanit

523
Sigal

Skandali në Ministrinë e Mbrojtjes, shqiptarët kanë 8 vjet që mashtrohen nga pushtetarët për demontimin e armatimeve

Lindita Koburja

Një skandal i madh ka përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes, ku është zbuluar pazari i demontimit të armëve, me matrapazët më të mëdhenj të Ballkanit, duke filluar nga Serbia, Greqia, Maqedonia, etj.. Municionet që janë shkarkuar nga vendet fqinje, janë 50 apo 100 vjeçare dhe deri tani nuk është zbardhur plotësisht se çfarë kontrate është firmosur me serbët, apo grekët, kundrejt demontimit të tyre. Në një kohë kur Shqipëria i ka ende të freskëta plagët e korrupsionit masiv, me demontimin e armëve të mbetura nga sistemi komunist, tani rezulton se një pjesë e madhe e tyre kanë ardhur këtu edhe nga Greqia, Maqedonia, apo, Serbia në një mënyrë tepër të fshehtë, saqë askush nuk ka bërë transparencë për mbërritjen e tyre. Dhe nëse është e vërtetë se ato municione janë 50 vjeçare, atëherë rezulton se grekët kanë sjellë këtu një pjesë të arsenalit të armatimeve, me të cilat kanë organizuar provokacionet e gushtit të vitit 1946, në kufirin shqiptaro-helen. Ndërsa, puna rezulton edhe më keq, nëse këto municione janë 100 vjeçare, sepse në këtë mënyrë rezulton se këtu kanë ardhur gjylet e topave të Karl Nikollës, i cili nëpërmjet Kryeministrit Pashiç, të asaj kohe, bombardonte çdo ditë kufirin brenda Shqipërisë, për të detyruar 6 fuqitë e mëdha që të lëshonin edhe Peshkopinë, ndërkohë që malazezët bombardonin Shkodrën për të përjetësuar pushtimin e tyre, gjakatar, atje. Por sot Ministria e Mbrojtjes, duket se me anë të një procesverbali ka marrë në dorëzim të gjitha armët e tyre për t’i demontuar fshehurazi, në Mjekës të Elbasanit. Ajo që bie në sy në momentin e parë ka të bëjë me mungesën e theksuar të transparencës, sepse gjithçka zhvillohet në fshehtësi të plotë. Në këtë mënyrë vërtetohet edhe një abuzim i ri i Ministrisë së Mbrojtjes me demontimin e armëve, kur dihet se këto procedura i kanë shkaktuar aq shumë plagë Shqipërisë.

Skandali

Ministria e Mbrojtjes duket se do të përfshihet nga një tjetër hije skandali, i cili lidhet me uzinën e demontimit të armëve dhe municioneve në Mjekës të Elbasanit. Burime nga kjo uzinë, duke ju referuar verifikimeve dhe kontrolleve edhe nga organi i akuzës u shprehën se “shkelja  dhe abuzimi ka ndodhur prej 8 vitesh me grumbullimin dhe përpunimin e dhjetëra e qindra ton municioneve nga Serbia, Maqedonia, Greqia, madje edhe nga vende te tjera të rajonit, duke e kthyer zonën e Mjeksit në gropë të madhe mbeturinash të demontimit të  armëve  e municioneve 50 apo edhe 100- vjeçare”.

Çfarë ka ndodhur në Mjekës

Ka qenë Arben Imami ai që ka marrë “iniciativën”, para disa muajve të sjellë të shpërthejë dhe demontojë në zonat e banuara të Mjekësit në Elbasan, lloj-lloj municionesh. Kështu Uzina e Lëndëve Plasëse në Mjekës të Elbasanit, duhej të përdorej edhe për demontimin e municioneve të tjera të tepërta të vendeve të rajonit si Serbia, Maqedonisë, Greqisë, etj.. Kjo është kërkuar prej tyre, por duke marrë miratimin e qeverisë dhe Parlamentit. Ideja ishte hedhur nga ish-ministri Mbrojtjes Imami dhe zyrtarët servilë të Ministrisë së Mbrojtjes, duke ja deleguar përfaqësuesve të NAMSA-s dhe drejtuesve të pushtetit vendor në Elbasan gjatë një vizite pune që zhvilluan në këtë uzinë disa muaj më parë në kuadrin e seminarit të pestë të Iniciativës Rajonale për Reduktimin e Stoqeve. Përfaqësuesi i NAMSA-s, Dejvi Nautrov nga Luksemburgu, kishte shprehur konsideratat e tij për këtë uzinë duke e certifikuar në këtë mënyrë atë në kthimin e mundshëm të saj në një uzinë rajonale. Sipas tij, “Uzina e Lëndëve Plasëse në Mjekës është një aset i rëndësishëm dhe me eksperiencën që ajo ka fituar mund të shfrytëzohet dhe në marrjen e një vendimi të tillë, por për këtë duhet të vendosë politika shqiptare. NAMSA do ta konsiderojë këtë gjë si një avantazh të madh të Uzinës së Lëndëve Plasëse të Mjekësit për demontimin e municioneve të tepërta”. Iniciativa e Imamit ka qenë përkrahur edhe nga  ish- zv/ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia, i cili nga ana e tij është shprehur entuziast rreth “të ardhmes së Uzinës në Mjekës, e cila, sipas tij, ka kapacitete jashtëzakonisht të mëdha për t’i shfrytëzuar”. Statistikat zyrtare tregojnë se, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013 përfundoi asgjësimi i të gjitha municioneve të tepërta dhe brenda  këtij viti do të përfundonte demontimi i municioneve në poligone, për të vijuar më pas me demontimin në uzinat ushtarake. Nëpërmjet granteve dhënë Agjencisë për Mbështetjen dhe Furnizimin e NATO-s (NAMSA), Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mundësuar që Shqipëria të vetë asgjësojë mijëra tonë municione të tepërta në ULP-në Mjekës. Specialistët e armatimit mendojnë se, “nuk duhet që të hidhen hapat e mëtejshme për shndërrimin e Uzinës së Lëndëve Plasëse të Mjekësit në uzinë rajonale për demontimin e municioneve të tepërta, pasi kështu do të rrezikohej mjedisi në zonat periferike të  Elbasanit”. Gjatë dhjetë viteve të fundit Shqipëria ka shkatërruar pjesën më të madhe të arsenalit të armëve, duke përfshirë armët e artilerisë dhe sistemet e armëve të rënda. Por më të dëmtuarit dhe terrorizuarit mbeten banorët e fshatrave rreth Elbasanit pranë fshatit Mjekës, ku çdo ditë zgjohen dhe tremben nga shpërthimet e municioneve tona, por shumë shpejt ata do të dëgjojnë edhe shpërthime të tjera nga municionet e fqinjëve tanë.

Kërkesa e banorëve të zonës

Banorët e fshatit Mjekës apelojnë tek Ministria e Mbrojtjes dhe kreu i saj zonja Kodheli se, “ne mund ta bllokojmë rrugën nacionale pa afate kohore po qe se qeveria e re Rama do të vazhdojë me projektet e saj pa pyetur më parë komunitetin këtu, duhet të dalin përgjegjësit e kësaj katrahure që po rrezikon banesat dhe jetën tonë”. Banorët kanë hedhur akuza edhe ndaj ish-drejtorit të uzinës së Mjekësit, ish- mësuesit të matematikës Daniel Karanxha, që e kishte kthyer atë institucion në pronën e tij, duke abuzuar me vlera dhjetëra milionëshe nga demontimi ilegal i armatimeve të ushtrisë shqiptare.