Artur MAMADHAJ*/Shqipërisë i duhen Menaxherë Publikë Profesionalë

931
Sigal

Nga një vëzhgim empirik i këtyre 20 viteve konstatohet se investimet publike të huaja dhe private kanë qenë në nivele të larta. Fakt është që në Shqipëri në këto 20 vite ka pasur fluks investimesh publike dhe të huaja, të cilat llogariten në miliarda dollarë.

Fakt është që ka pasur investime private në vlera të larta, te cilat e kalojnë vlerën e miliarda dollarëve. Por fakt është edhe që këto kanë ardhur në mungesë të plotë me standardet e menaxhimit, orientimit, eficensës, ekonomicitetit dhe fiktivitetit. Dhe kësaj i shtohet, përveç shkaqeve, dhe mungesa e menaxherëve publikë profesionalë.

Shtetet e Europës perëndimore e kanë pranuar prej një kohe të gjatë faktin që standardet e menaxhimit dhe performanca e menaxherëve publikë janë kritike për suksesin si të performancës së përgjithshme të administratës publike ashtu edhe për përpjekjet për reformë të administratës.

Përmirësimi i performancës së administratës publike nënkupton kërkimin e standardeve më të mira të efiçencës dhe efektivitetit në rendin e ligjit.

Kjo zakonisht kërkon delegimin dhe decentralizimin e përgjegjësive në favor të menaxherëve publikë, të shoqëruara nga mekanizma kontrolli “ex ante” dhe “ex post”. Në një situatë të tillë, cilësia e menaxherëve publikë të veshur me këto fuqi publike, mbart një rëndësi të lartë. Për më tepër, kur hartimi i politikave kombëtare bëhet gjithmonë e më kompleks dhe gjithmonë e më i ekspozuar ndaj koordinimit ndërkombëtar, siç është rasti i Shteteve Anëtare të BE-së, bëhet akoma më e dukshme nevoja për menaxherë publikë të nivelit të lartë, me perspektiva të gjera dhe aftësi të koordinojnë punën e tyre si me institucione kombëtare ashtu dhe me ato ndërkombëtare.

Franca, me sistemin e saj të karrierës dhe corps të saj, ka tradicionalisht grupe të përcaktuar të zyrtarëve të lartë. Individët në majë të karrierës së tyre, në çdo corps, menaxhohen nga lart dhe asistohen në zhvillimin e karrierës nëpërmjet trajnimit dhe lëvizjes. Shteti ka një grup individësh të aftë nga i cili mund të zgjedhë kur një pozicion i lartë duhet të plotësohet. Shtete të tjera po vendosin grupe të ngjashme të përcaktuara menaxherësh të nivelit të lartë që zgjidhen, emërohen, trajnohen dhe menaxhohen nga lart. Holanda, me administratën e saj të decentralizuar, po zhvillon një Shërbim Publik të Lartë që fokusohet mbi zhvillimin profesional të menaxherëve dhe përmirësimin e kapaciteteve koordinuese. Megjithëse ky lloj shërbimi civil nuk ekziston ende në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, disa nga këto vende po përdorin gradualisht politika të posaçme dhe mekanizma menaxhimi për zyrtarët më të lartë të shtetit. Hungaria, Latvia, Estonia, Rusia dhe Polonia janë shembuj të vendeve që tani po zbatojnë reforma që kanë të bëjnë me menaxherë të lartë, megjithëse me përqasje shumë të ndryshme. Gjykata Evropiane e Drejtësisë, Çështja 149/1979, Komisioni v. Belgjikës.

Në sistemet e mëparshme administrative të Europës Qendrore dhe Lindore nuk kishte njohje të një profesioni të përbashkët të administrimit shtetëror. Çdo punë brenda administratës shtetërore shihej si një punë specialisti në institucionin punëdhënës me ura të kufizuara karriere në institucione të tjera, dhe pa kritere të qarta profesionale të vlefshme diku tjetër në administratën shtetërore. Lëvizja ndërmjet institucioneve të ndryshme nuk inkurajohej.

*Drejtues i Strukturës së Auditit të Gjyqësorit