Rezarta SHEHU/FAMILJA, strehëz qetësie apo burim stresi?

561
Sigal

Familja është një nga institucionet më të rëndësishme sociale, baza e krijimit të themeleve më të rëndësishme të personalitetit njerëzor, është vendi më i sigurt në botë. Por shpesh ndodh të kthehet në makthin më të tmerrshëm, për shkak të marrëdhënieve të ngushta e komplekse që krijohen aty. Disa e konsiderojnë si një oaz relaksues, qetësues, duke gjetur ngrohtësinë e mbështetjen e nevojshme, e cila  bëhet çelësi më i sigurt i arritjeve personale. Ka individë, të cilët fatkeqësisht e ndjejnë veten më mirë jashtë këtyre mureve të familjes, sesa brenda tyre. Ndoshta ngaqë lufta e ashpër e individëve në jetën e përditshme për t’i mbijetuar dhe për ta përballuar jetesën, e gjithë ashpërsia e botës së jashtme kthehet e bëhet pjesë e rëndësishme e karakterit të individit, duke e thyer atë e duke e bërë të ftohtë, të ngurtë si një qenie që kudo shkel mbjell vetëm shpirtngurtësinë e tij. Pa dashur të paragjykoj askënd, pasi jeta nganjëherë me disa është më e ashpër, krahasuar me disa të tjerë. Familja, është pasuria me e madhe e ç’do individi. Prindërit janë si një skuadër dhe fëmijët përgjithësisht janë fryt i dashurisë, mirëkuptimit, harmonisë dhe paqes në gjithçka që i rrethon, pavarësisht sfidave të jetës dhe  pengesave, që të tjerët duan t’i vendosin. Forca e një familjeje është pikërisht kjo, hyjnore, e lartë, e pazëvendësueshme. Ndoshta kjo është ajo, që më është ofruar mua në jetë dhe unë ndjehem me fat për këtë gjë, ose ndoshta ky është thelbi dhe vlera e  familjes për shumicën. Por ajo që mbetet thelbësore Brenda qenies njerëzore është pikërisht shpirti. Nëse i’a keni marrë atë, atëherë kemi të bëjmë thjesht me një kufomë, që vetëm merr frymë dhe përballet me jetën tamam si një fantazmë në tokë. Tranzicioni, lakmia, zilia, papunësia, varfëria, ndoshta edhe fatkeqësia, janë arsyet e një shpirti të thyer. Familja ka pasur edhe ka funksionet e saj të rëndësishme, të cilët edhe pse i janë nënshtruar shpesh ndryshimeve historike, politike, ekonomike apo edhe sociale, edhe pse koha i ka transformuar, përsëri vlerat kryesore të një bashkëjetese familjare duket se kanë mbijetuar. Kjo është arsye themelore, që i jep fuqi familjes. Mbështetja morale, mbështetja ekonomike, riprodhimi, këto kanë qenë  funksionet më të qenësishme të familjes dhe baza e rifillimit të jetës së çdo individi. Por çështja është: A do të vazhdojnë të mbeten, a do të jenë më të rëndësishëm këto funksione? A është familja, shkolla e parë e edukimit të qenieve njerëzore? A do të vazhdojë familja të jetë një institucion social në miniaturë siç edhe ka pohuar sociologu i mirënjohur August Comte? A do të ruhet me fanatizëm nga shoqëria? A do të vazhdojë të ekzistojë familja, apo thjesht do të transformohet, do të shtohen alternativat e saj, por gjithsesi thelbi nuk do të tronditet? Referuar literaturave të shumta ekzistuese, artikujve të shtypit të përditshëm, emisioneve televizive ku diskutohen vazhdimisht tema të tilla shoqërore, si dhe nisur nga praktika jonë e përditshme mbi rëndësinë e jashtëzakonshme të familjes, ajo që të ngelet është pikërisht fakti që, ashtu sikurse edhe feja e pranon, familja do të vazhdojë të mbetet vendi më i shenjtë për ekzistencën e mbarë shoqërisë njerëzore. Por si duhen ruajtur funksionet e familjes, për t’ia përcjellë rëndësinë e saj brezave? Kush duhet të luajë rol primar në edukimin e të rinjve, sepse janë pikërisht ata që do të krijojnë familjet e së ardhmes? Cili është roli i shkollës, shoqërisë me institucionet e saj përkatëse sociale në mbarëvajtjen dhe në vazhdimësinë e familjes? Të gjitha këto pyetje synojnë të zbulojnë, jo vetëm rolin e familjes, por edhe rëndësinë e vazhdimësisë së saj, si një domosdoshmëri për ekzistencën e një shoqërie të shëndoshë dhe me principe.