Behar Gjoka:Shkrimtarët e nëpërkëmbur dhe heshtja e Kadare-Agollit

590
Sigal

FORUM/ Flasin kritiku Behar Gjoka dhe Kryetari i Lidhjes, Hysen Sinani

 Dihet tashmë statusi që gëzojnë shkrimtarët në çdo vend të botës. Por ne të mos shkojmë më tej, por në vendet tona fqinjë, Greqi dhe Maqedoni. Statusi i tyre është i veçantë për të mos thënë tepër favorizues në raport me të gjitha profesionet e tjera. Në Maqedoni të gjithë shkrimtarët gazojnë favore si në drejtim të krijimtarisë po ashtu edhe në drejtim të punësimit. Kudo në vendet demokratike shkrimtarët gëzojnë një status të veçantë që përvijon qartë rolin e tyre të rëndësishëm në një shoqëri demokratike. Po të mos shkojmë gjetiu po le të ngelemi në vendin tonë. Në regjimin komunist ekzistonte një lidhje e Shkrimtarëve dhe Artistëve, lidhje, e cila kishte godinën e saj, organin e saj po ashtu dhe rëndësinë e saj. Në lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë jo kushdo mund të futej apo të anëtarësohej. Kurrsesi në këto radhë  nuk mund të futej një shkrimtar apo poet anonim, pasi atëherë kishte kritere dhe  rregulla të përcaktuara qartë. Ai që botonte në gazetën “Drita” organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë duhet të kalonte në disa filtra ku më kryesori ishte ai i nivelit artistik pa jo shmangur totalisht ideologjizmave të kohës. Dihet tashmë se tre janë elementët e ndërtimit të një vepre artistike: elementi artistik, estetik dhe mesazhor. Pavarësisht nga ndikimi ideologjik i përshkrimit të veprës, niveli artistik ishte më kryesori.  Ai që futej në radhët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve nuk mund të ishte kushdo, por do të ishte një intelektual krijues me vlera të mirëfillta, me investime serioze në krijimtarinë e tij, me një vlerësim në krijimtari dhe patjetër me një CV të pasur dhe korrekte. Diktatura mbetet diktaturë. Çdo shkrimtar apo poet, në një mënyrë apo në një tjetër e ka  kritikuar apo i ka trajtuar në veprat e tij mangësitë e atij regjimi. Përpos kufizime ai sistem ka pasur  specifikat apo pozitivitete e tij. Në atë periudhë  shkrimtari si një krijues që ka një status të veçantë apo rëndësinë e tij në një shoqëri kishte trajtesat e veta. Kishte lejen e krijimtarisë, kishte hapësirat për një punësim të detyrueshëm, sikundër kishte të domosdoshme boshtin ideologjik në krijimtarinë e vet.  Në atë sistem të gjymtuar nuk kishte shkrimtarë të papunë apo shkrimtarë  të mirëfilltë pa leje krijimtarie. Lidhja e Shkrimtarëve ishte ndër më të privilegjuarat, me një godinë të bukur, me një organ letrar të saj, ku shkruanin penat më të spikatura  të asaj kohe si Kadareja, Agolli, Spahiu, Kongoli, e shumë e shumë të tjerë.

Po sot çfarë ndodh?

 Shkrimtarët si paraprijës të mendimit të përparuar shoqëror janë lënë në anekset më të fundit të një shoqërie demokratike. Këtë nuk e kufizoj  vetëm  në qeverisjen e PD-së, por në të gjitha qeverisjet postkomuniste. A është e drejtë që në shoqëri të mirëfilltë demokratike, në një shoqëri, ku talenti dhe krijimtaria  janë vlerësuesit me të drejtë  sipas nivelit të një krijuesi të lihen në harresë?! Ç’po ndodh sot me shkrimtarët apo poetët shqiptarë?! Ata janë lënë në hije. Janë lënë si një shtresë e harruar e shoqërisë. Janë lënë si njerëz pa indentitet, pa një të tashme, sikundër edhe pa një të ardhme. S’ka vend në botë që të mos ketë trajtim të veçantë për krijuesit. Pa penën e tyre, s’do të kishte libra për fëmijë, s;do të kishte tekste shkollore, s’do të kishte librari, s’do të kishte biblioteka, s’do të kishte panaire libri, s’do të kishte histori. Ja pra se çfarë rëndësie kanë shkrimtarët në çdo shoqëri. Por në këto 23 vjet demokraci  ata janë lënë në heshtje, në harresë, pa leje krijimtarie, pa asnjë të drejtë. Aktualisht ata nuk kanë  as një godinë të tyre, asnjë organ të tyre, asnjë status të tyre. Aktualisht ata i shikon me një  çantë në krah që vrapojnë sa në një shtëpi botuese në tjetrën për të botuar një libër sa më lirë. Të përulur nën peshën e halleve, herë me punë herë pa punë, herë të paguar, herë të papaguar, herë-herë në pamundësi për të botuar disa libra pasi s’kanë mundësi ekonomike, ata ndihen njerëzit më të përbuzur të shoqërisë.  Aq më tepër që sot ende nuk ka marr formë të plotë e drejta e autorit.

 Si do të ishte shoqëria shqiptare pa punën e tyre?

Një shoqëri pa identitet, pa ndërgjegje kombëtare. Do të ishte një shoqëri e brishtë, pa parime, pa norma, pa libra, pa të ardhme. Libraritë do të ishin bosh, nuk do të kishte shtëpi botuese, nuk do të kishte panaire libri. Pa punën e qindra krijuesve shqiptarë nuk do të kishte me dhjetëra  shtypshkronja, nuk do të kishte korrektorë, redaktorë, radhitës, faqosës, kopertinë bërës, pra papunësia në Shqipëri do të ishte shumë më e madhe. Pa këtë armatë të tërë të pastër në shpirt, vetëmohuese, zbatuese të ligjit, Shqipëria do të ishte shumë më e panjohur në botë. Lexuesi duhet ta dijë, se në disa shtete të USA, apo dhe në Afrikë më shumë njihet Kadareja apo Agolli se sa njihet vetë shteti shqiptar. Në një takim që kam pasur me një mikun tim amerikan në  NevvYork para disa vitesh më ka thënë në ligjëratë të drejtë: “S’e kam ditur se ku bie Shqipëria, por dija se kush ishte Ismail Kadareja”. Aktualisht sot në botë, në disa vende, Shqipëria njihet nga shkrimtarët dhe poetët tanë, se sa njihet nga pozicioni i saj  gjeografik apo nga politikanët interesaxhinj. Arti është i përbotshëm. Ai s’njeh kufij. Kufijtë e tij janë niveli artistik dhe temat e trajtuara. Këto dy elementë të krijimtarisë kanë efekte të padiskutueshme tek lexuesi. Dhe Shqipëria nuk ka pak krijues. Madje ka shumë dhe të një niveli mjaft të lartë. Janë shumë shkrimtarë shqiptarë që janë përkthyer në shumë vende të botës. Arti i tyre, niveli artistik i tyre ka bërë që të  jenë të pranishëm në disa vende të botës. Por nëse bota i inkurajon, i lexon, i përkrah, u njeh statusin shkrimatrëve të tyre, ata në vendin e tonë ndihen të fyer, të përbuzur, pa të sotme dhe pa të ardhme. Ata janë të pa orientuar si një njeri pa busull në mes të shkretëtirës. Krijuesit shqiptarë sot janë pa elementët më të thjeshtë favorizues. Ata janë më të zakonshëm se njerëzit e zakonshëm dhe pse, punojnë shumë, krijojnë shumë, i japin shumë vlera shoqërisë dhe shtetit shqiptar dhe përsëri, ndeshin në një heshtje të shtetit të tyre.

 Pse heshtin Kadareja dhe Agolli?

Pa diskutim për këta dy korifenj të letrave shqipe kam shumë respekt. I kam lexuar dhe i kam takuar disa herë. Ata janë intelektualët që me veprat e tyre i kanë dhënë më shumë zë Shqipërisë në botë se sa i kanë dhënë politikanët në regjimin komunist dhe sot në demokraci. Të dy këta korifenj të përkthyer në disa vende të botës, udhën e bukur të krijimtarisë e kanë nisur nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.  Ata  kanë qenë pjesë e kësaj lidhjeje, kanë qenë ndër më aktivët në këtë lidhje. Po sot ku janë ata?!  Heshtin! Një heshtje e dëmshme! Kolegët e tyre shkrimtarë dhe artistë nuk e kanë më atë godinë që ata e kanë pasur në diktaturë. Shkrimtarët sot nuk e kanë më atë leje krijimtarie. Shkrimtarët sot nuk kanë më një status të tyre siç e kanë shkrimtarët apo artistët e vendeve fqinje apo të çdo vendi tjetër në Evropë. Ata kanë heshtur kur shteti në mënyrë të padrejtë u ka marrë atyre godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve, kanë heshtur kur shteti u ka hequr lejen e krijimtarisë, kanë heshtur kur shteti i ka lënë të papunë.  Kjo është një heshtje pa emër. Ata sot janë kthyer në Institucion  të vlerave të letrave shqipe. Fjala e tyre zë peshë dhe mban ngarkesë në Institucionet shtetërore. Një fjalë e tyre në drejtim të ruajtjes së personalitetit të shkrimtarëve dhe poetëve nuk do të shkonte në boshllëk. Ata duhet të kujtojnë jetën e tyre në ish Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të asaj godine ku ata u rritën dhe që sot rezultojnë si anonimë. Jetojmë në një sistem shoqëror dhe në një periudhë që vlerat individuale përcaktohen qartë dhe ku ato kolektive nuk përbëjnë të njëjtën rezonancë. Ndaj një fjalë e tyre do të ishte më shumë se një deklaratë apo peticion i të gjithë shkrimtarëve. E them me bindje të plotë se, çdo qeveri e majtë apo e djathtë do të kishte reaguar pozitivisht ndaj çdo kërkese të komunitetit të krijuesve nëse do të ndihej dhe zëri i tyre i shumëpritur. Kjo heshtje nuk është as në nder të tyre që u rritën në Godinën e Lidhjes, as në atë të komunitetit të krijuesve shqiptarë. Është një moment që çdo heshtje për të drejtat e shkrimtarëve nuk do të jetë në dëm të tyre personal por në drejtim të ndërgjegjes kombëtare shqiptare, apo në drejtim të njohjes së vlerave krijuese shqiptare në botë. Pa një letërsi të përparuar nuk mund të ketë kurrë një shoqëri të përparuar. Pa fjalën  dhe veprën e krijuesve, fjala dhe vepra e politikanëve do të dukej shterpë.

  Behar Gjoka (shkrimtar, kritik letrar)

 Heshtja e Kadare-Agollit

 Po me sa duket ata kanë mbaruar punë me Lidhjen e Shkrimtarëve.  Por në momentin  në të cilin u godit Lidhja e Shkrimtarëve dhe artistëve, ata kanë folur në dy mënyra. Së pari me heshtjen e tyre por dhe me disa fjalë  që nuk i konceptoj pasi mbaj mend që kanë thënë “Lidhja është një koncept që vjen nga Lindja”.  Kjo s’është normale, pasi  shkrimtarët dhe artistët në këtë sistem  s’kanë ndonjë  mbështetje, por së paku duhej të kishin shtëpinë e tyre, ashtu siç e kanë shumë sporte, organizata, shoqata. Mendoj se. nëse në sistemin komunist, u tentua që shkrimtarëve t’u merrej shpirti, në këtë kohë vështirësitë ekonomike, në këtë kohë, dëshira për të komunikuar me shkrimtarët edhe me pjesën tjetër të botës, u  shoqëruan dhe me humbje të integritetit të tyre, njëkohësisht edhe me humbjen e pasurisë.  Ndërtesa e Lidhjes së Shkrimtarëve ishte  më shumë  se sa kaq, ishte shtëpia e tyre, ishte shtëpia e ëndrrave, ishte pjesa  ku ishin shkruar njëkohësisht  kryevepra por edhe akte nga më të mbrapshtat, se si të dënoheshin një pjesë e shkrimtarëve etj… Për këtë  arsye nëse s’do të mbetej “Shtëpia e Shkrimtarëve” do të mbetej ish-Shtëpia e Shkrimtarëve, muzeu  ku kanë dëshmuar, mrekullitë por edhe makabritetet. Për mendimin tim është për tu çuditur, është për tu dëshpëruar, sepse, vërtet arti  duhet të jetë i lirë dhe nuk ka nevojë për mbështetje, por  shkrimtari ka nevojë se është njeri. Në këtë kuptim, çdo  heshtje e panevojshme nuk  i bën nder askujt. Pa  dyshim që emra të tillë si Kadareja, Agolli, gjërat i kanë thënë, por në këtë rast dëshpërohem,  kur konstatoj se nuk janë bërë  pjesë e asaj që ata kanë kontributin e tyre.  Ajo lidhje shkrimtare ka kontributin e saj. Mendo për një moment  kur  Dritëro Agolli ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve dhe tashmë të heshti, nuk është normale.  Nga ana tjetër Kadareja duke pasur një emër kaq të madh edhe përtej letërsisë shqipe, zëri  i tij do të ishte krejt i nevojshëm. Natyrisht duhet, folur, për një Lidhje shkrimtarësh  demokratike dhe jo një lidhje spiunimi.  Lidhje artistësh dhe jo lidhje tarafesh.  Duke e bërë pjesë të lulëzimit të jetës së shoqërisë, jo vetëm në këtë moment por përjetësisht. Në këtë kuptim, heshtja e tyre nuk e di se çfarë vlere ka..

 Hysen Sinani (Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve)

 Tani unë janë protagonist në këtë moment për këtë problem, por mendoj se Agollit nuk do t’i interesonte që ne të merrnim Godinën e Lidhjes, ndërsa për  Kadarenë kam përshtypjen, madje dhe me shumë se përshtypje,  se ai nuk e dëshiron Lidhjen e Shkrimtarëve,  ndoshta për ndonjë bisedë të së kaluarës, pasi ai ka qenë anëtar i përhershëm i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve. Heshtje e çuditshme, që një shkrimtar me emër, që pretendon çmimin “Nobel” të hesht ndaj një problemi jetik të kolegëve të tij, kur ai është rritur në atë godinë.  Ismail Kadareja, u formua si shkrimtar në atë lidhje. Aty ka bërë botimet më serioze, para se Lidhja të quhej edhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve.  Kjo lidhje e mori Kadarenë 20-vjeçar dhe e bëri shkrimtar profesionist ndoshta të vetmin me këtë status. A ka mosmirënjohje  më të madhe kur një shkrimtar me përmasa të tilla mos të prononcohet, për atë lidhje që ka bërë 30 vjet jetë, në një organizatë me shumë shkrimtarë të tjerë? Më e keqja është se ai nuk prononcohet as për mirë as për keq. Ai ka histori në atë godinë, një pjesë të asaj historie që rrallë kush e ka. Habitem vërtet me këtë qëndrim. Ata  që kanë qenë më të privilegjuarit e lidhjes, sot janë armiqtë më të mëdhenj të kësaj organizate.  Pra, shkrimtarët janë armiqtë më të mëdhenj të Lidhjes.