Apostol KOTANI/Tirana pa kryearqitekt

388
Sigal

Dikur në fund të rrugës të Durrësit, ishte një klub apo pijetore, ku mblidheshin “të fortët” që, si pinin mirë e mirë, grindeshin me njëri tjetrin, aq sa shpesh herë ndërhynin forcat e policisë t’i bënin zap. Si duket e heq vendi, pasi edhe sot, pas kaq vitesh, vazhdojnë grindjet aty, por kësaj here ndërmjet institucioneve të shtetit.

 Tre “mysketjeret” e kësaj beteje janë Bashkia e Tiranës, Ministria e Punëve Publike dhe Telekomunikacionit e Policia Ndërtimore. Molla e sherrit është bërë nyja e qarkullimit në ndërprerjen e rrugës së Durrësit me Unazën.

            -Këtë punë e di unë e askush tjetër! – thotë Bashkia.

            -Jo ti, por unë! – e kundërshton Policia Ndërtimore.

            -As ti, as ai. Kjo çështje është në kompetencën time! – ngul këmbë Ministria.

 Ky dialog pa fund e anë ka muaj , qe secili nga tre “mysketjerët” mbron e reklamon, si shoshari shoshën e tij. Ai që duhet të flasë për këtë punë, nuk flet, se nuk ekziston në oraganikën e Bashkisë. Mungon kryearqitekti i Tiranës.

 Historikisht zyrën teknike në Bashkinë e kryeqytetit e kanë drejtuar arqitektë e inxhinerë me emër. Por erdhi një kohë dhe kryearqitekti u fshi nga organika e na u zëvendësua me disa njerëz as mish as peshk, as arqitektë e as urbanë.

Thuhet e shkruhet se kryearqitekti ështe njeriu kompetent, që drejton planin regullues të qytetit, është ai që duhet të vendosë se cila është zgjidhja më e mirë e një ndërtimi, jo vetëm për sot, por edhe për nesër, që të mos ndodhë metoda ndreq e prish, prish e ndreq e të mos lejojë prishjen e urbanistikës e bukurinë e qytetit. Të gjitha këto nuk mund t’i dijë një kryebashkiak, sado burrë i zoti të jetë, se koha ka treguar, që janë lejuar ndërtime, të cilat më vonë ose janë prishur ose duhet të prishen. Prandaj si në të gjithë kryeqytetet e qytetet e botës, kanë një arqitekt profesionist, qe gjithnjë thotë fjalën e ve vulën e tij, sepse objektet e ndërtimit nuk janë kartona prej letre, që mund t’i lëvizish kur të duash. Ato vendosen njeherë e mirë për t’i rezistuar kohës e jo nderto sot e prish nesër. Dhe deri sa të mungojë kryearqitekti, kështu do të vazhdojë kjo punë me debate të zgjatura pa bukë, jo ti, jo unë.