Fatmir Toçi/Rruga e ferrit Fier – Levan

    419
    Sigal

    Ma do puna ta bëj çdo javë këtë aks nacional rrugor vetëm 12 kilometra. Nëse duhen një orë e 20 minuta të arrish nga Tirana në hyrje të Fierit, në vendin e quajtur Ura e Mbrostarit, që kthehet në liqen artificial sa herë bien dy pika shi, të duhet edhe po kaq kohë të përshkosh unazën e ngarkuar të qytetit të Fierit dhe tëe arrish në Levan, vetëm 12 kilometra rrugë.

    Rruga e degraduar, me asfalt epokal, trafiku i rënduar për shkak të këtij degradimi, por edhe pse ka mbetur aksi i vetëm për t’u lidhur me gjithë Jugun e vendit e ka kthyer këtë aks rrugor në një ferr të vërtetë. Banorët e zonës dhe ata që janë të detyruar ta bëjnë shpesh këtë rrugë nuk i thonë më “rruga e Fierit”, por “rruga e Ferrit”. Dhe me plotë të drejtë. Kjo nyje rrugore prej 12 kilometrash lidh Fierin me Vlorën, Orikumin, Himarën dhe qendrat e tjera përgjatë Bregut. Në sezonin turistik veror trafiku rëndohet tej mase, duke bërë që shumë pushues nga vendi, Rajoni e emigracioni të heqin dorë nga dëshira për të kaluar pushimet në bregdetin Jugor. Por kjo rrugë është aktualisht edhe nyja e vetme e përshtatshme për të lidhur vendin me qytetet e tjera të Jugut, Tepelenën, Gjirokastrën, Përmetin, Sarandën, Konispolin dhe fqinjin tonë jugor, Greqinë. Dhe kjo për shkak se rruga tradicionale nëpërmjet Ballshit është bërë prej kohësh e pakalueshme dhe tërësisht e rrënuar. Me pak fjalë aksi rrugore Fier – Levan, vetëm 12 kilometra, është bërë si gryka e ngushtë e një shisheje, nga ku duhet të kalojë çdo gjë për ta mbushur apo për ta zbrazur.
    Zor se mund të gjesh një segment rrugor në gjithë vendin ku trafiku i mjeteve të transportit rrugor është në pjesën më të madhe të ditë – natës 24 orëshe i pandërprerë. Të krijon ndjesinë e një treni të stërgjatë ku lokomotiva ka arritur në Levan, ndërkohë që vagonat e fundit janë akoma në daljen jugore të Fierit. Shihni fotot bashkëngjitur: janë marrë para dy ditësh në Qafën e Koshovicës, vetëm 3 kilometra nga dalja e Fierit. Vlonjatëve po u nxjerr mallin e trenit të dikurshëm që shkonte edhe në Vlorë. Ndërkohë nëpër gjithë aksin deri në Levan nuk mund të ecësh me shpejt se 5 – 10 km/orë. Një kamion, një trajler apo një autobot me naftë rreshton nga pas me disa dhjetra makina që nuk mund të parakalojnë për shkak të rrugës gjithë gropa dhe trafiku i tejngarkuar.
    Ky është standardi i rrugëve që u është ofruar shqiptarëve. Edhe pse infrastruktura dhe rikonstruksioni i rrugëve janë kali i betejës i kësaj qeveri, sot nuk gjen një rrugë, qoftë edhe një të vetme, që të ketë përfunduar tërësisht apo të jetë ndërtuar sipas parametrave e standardeve bashkëkohore, duke përfshirë këtu edhe të ashtuquajturën Rrugë e Kombit. E sfidoj këtu kryeministrin e vendit apo ministrin Olldashi të transporteve të deklarojë një rrugë të vetme të përfunduar tërësisht dhe duke respektuar standardet. Të vetmet procese që janë realizuar me sukses janë organizimet me zell të tenderave me firma preferenciale dhe ndarja e parave pa filluar akoma punimet. Mund të thuhet se gjendja e kësaj rruge është lënë e tillë sepse pritet të fillojnë punimet për Bypass-in e Fierit, gjë për të cilën unë jam skeptik, përpos që do të kemi me siguri një prerje të bujshme shiritash, mundësisht sa më afër ditës së votimeve. Por edhe nëse do të nisë së shpejti, ky bypass është planifikuar që të realizohet në dy vjet. Dhe nëse shqiptarët do të presin edhe dy vjet sa të mbarojë rruga e re, i bie që Jugu i Shqipërisë të izolohej tërësisht nga pjesa tjetër e trungut të vendit. Që duhet vënë urgjentisht dorë për rikonstruksionin e kësaj rruge është e tepërt ta themi, por për emergjencë, asnjë lopatë dhé nuk mund të hedhë ndërmarrja e mirëmbajtjes së rrugëve sa për të mbushur gropat që thellohen çdo ditë?!

    NOA