Agim Nesho: Tre mesazhet e Ramës dhe fantazma McGonigal që po i prish qëndrimin në NewYork

37
Sigal

I. Mesazhi i parë i Ramës është vlerësimi që ai i bën “diplomacisë Shqiptare që po arrin suksese dhe maja të reja”. Në fakt Rama, si mjeshtër i mekanizmit të propagandës që mban regjimin, i fsheh opinionit publik se qënia anëtar i Këshillit të Sigurimit është një detyrë që cdo shtet anëtar i OKB-së duhet të bëjë për vetveten dhe organizatën. Këtë retorikë për Këshillin e Sigurimit dhe pothuaj të njëjtën axhendë kishte bërë edhe Gaboni, i cili po shërben në Këshillin e Sigurimit në të njëjtën periudhë si Shqipëria. Në tetor 2022 delegacioni i Gabonit kishte presidencën e Këshillit të Sigurimit dhe përgatiti një debat të nivelit të lartë ku ministria e jashtme lajmëron se do ta drejtonte Presidenti Ali Bongo i Gabonit. Si në rastin e Ramës, takimi do të ishte në nivelin e ministrave të jashtëm. Por si Bongo i Gabonit ashtu edhe Rama i Shqipërisë mendonin se janë të aftë të luanin rolin e liderëve botërorë. Pavarësisht se Bongo e vlerësonte qënien e Gabonit në Këshillin e Sigurimit si një arritje historike, ai nuk e gëzoi deri në fund për arsye të një grushti shteti ndaj dinastisë së tij që kishte dekada në pushtet dhe opinioni publik mendonte që zgjedhjet manipuloheshin dhe institucionet ishin të palegjitimuara.

Megjithatë është për tu përmendur arritja që Rama e kuptoi se cfarë rëndësie ka Organizata e Kombeve të Bashkuara pas 10 viteve në pushtet, kur në vizitën e tij të parë u mor me aktorët e Hollivudit të cilët do ti ftonte kur Ai të bënte Shqipërinë. Euforia e tij për rolin e tij të padiskutueshëm (Ramës) duket se po zbehet edhe nga Presidenti Shqiptar i OSBE-së, Osmani, i cili po tregon më substancë.

II. Porosia e Ramës për takimin Kurti-Vucic ishte qesharake për të besuar atë që Vucic me qesëndi e quan ‘lider global’. Rama u provua që nuk ka asnjë influencë në institucionet e Kosovës dhe tek kryeministri Kurti por edhe te Vucic, që e ka përdorur për të zbatuar projektet ruso-serbe në Ballkan. Pasi u bë leckë si zëdhënës i Vucic për të bindur Bashkimin Europian që mos t’i bënte presion Serbisë për t’i vënë sanksione Rusisë, iku me vrap nga Ballkani i Hapur – vepra e tij diplomatike me Vucic – kur kuptoi me vonesë (ose dikush e ka lajmëruar) se lidhjet e Serbisë me Rusinë janë shumë të thella dhe mund ta mbysin dhe atë vetë. Këshilla e Ramës për të dy vendet është bërë sikur ishte një deklaratë e Presidentit Amerikan dhe jo një të përdoruri si argat, që donte ta bënte Shqipërinë pjesë të Jugosllavisë së re për të qetësuar ambiciet nacionaliste të Beogradit.

III. Mesazhi për minoritetet dhe shuplaka për Greqinë ishte mesazhi i një kryeministri, i cili dëshpërimisht kërkon të gjejë një marrëveshje sa më të shpejtë me Greqinë. Për Ramën ishte e papranueshme që Greqia qëndroi në parim për rastin ‘Beleri’. Ai ishte i bindur që me ‘llafe’ ai i kishte dhënë shumë Greqisë duke shkelur edhe Kushtetutën për ndarjen e detit. Të paktën ata duhet ta linin të bënte ‘c’të donte’ me pronat në bregdet. Shumë shqiptarë të mencur më thanë: – Mirë jua bëri grekëve se i gënjeu, i talli, ju tha që nuk ma firmos Presidenti Meta, etj. etj. Në fakt Rama u tremb nga cfarë ju kishte premtuar, por grekët i besuan premtimeve dhe e lanë Ramën që të shkatërrojë demokracinë në Shqipëri pa thënë asnjë fjalë. Qëndrimi ‘arrogant’ i Ramës nuk tregon forcë por është pjesë e një negocimi që Rama kërkon ta bëjë me aktorë të tjerë.

Të tre mesazhet e Ramës nuk ishin gjë tjetër vecse shprehje e ankthit të tij për situatën e krijuar nga cështja korruptive McGonigal. McGonigal po i del si fantazmë, prej të cilit as vëllai Alex nuk mund ta shpëtojë. Në lojë është krenaria Amerikane që një gangster ballkanik kërkon ta sfidojë.