Xhevat Mustafa: Coronavirusi dhe…arbitrariteti kryeministror nuk kanë të ndalur!

668
Sigal

 

“More,vetëm kryeministër kemi ne më të varfërit e Evropës? Po president, parlament, opozitë, gjykatë kushtetuese, kryeprokurori, avokat të popullit, shoqëri civile, media joqeveritare, sindikata, popull…a kemi më, qysh nga 15 marsi 2020? Nga Xhevat Mustafa As Xi Jinping, as Trump, as Merkel, as Macron, as Conte, as Xhonson, Trudo, Sanchez, Putin, Erdogan …nuk kanë dalë dhe nuk dalin në çdo emision lajmesh, nga 5 minuta e më shumë, për të dhënë urdhëra absolutiste dhe këshilla mjekësore! Ndërsa ky i yni vendos çfarë e si ti teket, arbitrarisht dhe aspak kolegjialisht. Merr vendime dhe urdhëron zbatimin e tyre pa lënë disa ditë dhe orë afat nga zbatimi. Biles, as 1 orë, për t’u ushqyer dhe për ilaçe për pensionistët. Vendimi kryeministror i 27 marsit 2020 është një nëpërkëmbje flagrante dhe e paarësyeshme e lirisë, dinjitetit, nevojave dhe kërkesave jetësore, personale të “ushtrisë së pensionistëve”. Nëse do të marrim parasysh se mes kësaj ushtrie janë me mijëra ata, që nuk kanë mundësi vetëshërbimi, merret me mend se viktima të këtij urdhëri të ri të kryeministrit janë sidomos ajo pjesë masive, nga 65-80 vjeç, që mund t’i kryejnë me duart dhe këmbët e tyre të gjitha çfarë u duhet në shtëpi, për mbijetesën në kushte shqiptare, të “epokës së rilindjes” dhe në kohë koronavirusi! Shumica e kësaj pjese janë edhe fizikisht shumë mirë, sepse falë vetvetes, mos abuzimit me pije alkolike, drogëra, jetë nate nëpër kasino dhe klube luksoze dëfrimi apo orgjishë, si jo pak politikanë, qeveritarë dhe zyrtarë qendrorë dhe lokalë, bëjnë për ditë nga 5-10 km ecje me këmbë dhe jo me vetura apo autostrada luksoze. Kryeministri Rama dhe kryetari i Bashkisë, Veliaj, premtojnë se furnizimi i pensionistëve do të kryehet rregullisht nga njerëz, skuadra apo dhe ekipe të tyre, që do të mobilizohen dhe angazhohen për këtë qëllim. Natyrisht, nuk është ide për t’u kundërshtuar dhe për të mos ndjerë mirënjohje. Por, kryeministri do të bënte mirë të mendohej shumë më gjatë dhe qetësisht para se ta publikonte këtë ferman të ri. Po të mendohej thellë dhe gjatë do të “kujtohej” se secili nga ne pensionistët e do shendetin dhe jetën e vet më shumë se sa ua don ai. Gjithashtu, nuk do të bënte gabimin që t’i fuste të gjithë pensionistët në një “tunel”, “kapanon” , “shpellë”, ‘thes”, por do të bënte ndarjen e tyre në të aftë për nga shendeti dhe për vetëshërbim dhe të pamundur, që kanë nevojë të furnizohen nga ekipet e ndihmave sociale nëpër shtëpira. Nga “dashuria e madhe” për pensionistët, (që po vetë ata nga 70 vjeç e lart i ka përjashtuar nga Checkap-i” i Vilma Nushit); nga nxitimi për të mos parë asnjë mbi 65 vjeçar nëpër rrugë, apo nga dëshira për të dalë me një vendim të ri nëpër ekrane, kryeministri ynë largpamës “harroi” se rreth 650 mijë pensionistët nuk kanë një gojë, një shije, të njejtat kërkesa dhe nevoja… Pjesa e aftë për vetëshërbim mund t’i përzgjedhin dhe blejnë vetë, qoftë edhe brenda një ore në ditë, ose të hënave, të mërkurave dhe të premteve, në dyqane përreth dhe pranë pallateve dhe banesave të tyre, të gjitha ato që ju duhen për t’u ushqyer, mjekuar si dhe për pastërtinë dhe higjenën individuale dhe familjare. Secili prej pensionistëve ka prej vitesh supërmerkaton, dyqanet, furrat e bukës, farmacitë…, ku furnizohet për ditë apo 1-2 herë në javë apo muaj. Gjithashtu, secili ka parapëlqimin dhe shijen e vet për lloin, ngjyrën, shijen, nivelin e yndyrës, të kripës, sheqerit, për fortësinë e bukës, djathit, mollëve, dardhave, luleshtrydhëve,bananeve, kivit, kastravecit, spinaqit, preshit, qepëve, fasuleve, specave, patateve…Po kështu, secili ka parëpëlqimet, dyqanet dhe mundësitë e veta financiare për çmimet, ku blenë mishrat, sallamet, peshqit…Nga mosha dhe përvoja jetësore shumica e pensionistëve të aftë për vetëshërbim, edhe pse mund të mos kenë nivelin pamor të furrnitorëve bashkiakë apo vullnetarë, dinë të dallojnë ato zarzavate, fruta që kanë nivel më të lartë e më të ulët hormonesh apo kimikatesh, për të cilat fermerët dhe prodhuesit e vegjël të fshatit shqiptar, sidomos në këto 25 vitet e fundit, janë treguar shumë “bujarë” apo “dorëlëshuar”. Natyrisht, secili mund të shtojë arësye apo argumente nga vetja për domosdoshmërinë e rishikimit të vendimit të kryeministrit Rama për izolim të plotë nëpër banesa të të gjitha pensionistëve, duke filluar nga data 30 mars 2020. Jo vetëm sipas gjykimit tim, por duke dëgjuar dhe komunikuar me miq, shokë, kushërinj e komshinj pensionistë, kam opinionin se ky vendim është i nxituar dhe si i tillë ka nevojë të rishikohet dhe përmirësohet. Kjo është fare e lehtë dhe plotësisht e mundur. Sepse kryeministri ynë po bën rreth një muaj që përgjithësisht vendos vetë, me dëshirën, vullnetin dhe kokën e vet, pa mohuar se në disa raste i ka dëgjuar edhe këshillat e specialistëve të fushës së mjekësisë si dhe të Shefit të Opozitës, Lulëzim Basha. Edhe për këtë vendim të 27 marsit 2020 mund ta vazhdojë këtë “traditë”. Nuk ka nevojë të mbledhë as kryesi të PS-Rilindjes, as grup parlamentar socialisto-rilindas, as qeveri, as komision të posaçëm emergjence apo për fatkeqësi natyrore…Nuk ka nevojë të konsultohet edhe me ambasadorët e fuqive të mëdha në Tiranë, sepse e ka me pash dhe buzëqeshje mirëkuptimin dhe lejen e tyre. Në këto kushte secili mund të pyesë vetveten dhe të tjerët: “More, vetëm kryeministër kemi ne më të varfërit e Evropës? Po president, parlament, opozitë, gjykatë kushtetuese, kryeprokurori, avokat të popullit, shoqëri civile, media joqeveritare, sindikata, popull…a kemi më, qysh nga 15 marsi 2020? Po jap një përgjigje me një shprehje, e cila më erdhi mbrëmë në mendje, ndërsa përjetoja vramendje se si do të mbijetonin ne pensionistët pas këtij vendimi të ri kryeministror për “burg shtëpiak pa afat”, pa hetim dhe procedim prokurorial; pa gjykim dhe vendim gjykate dhe pa të drejtë “apelimi në gjykatat e niveleve më të larta apo në atë të Strasburgut”. Sipas shprehjes që sajova mbrëmë, për të cilën uroj të mos jetë plagjiaturë: “edhe një i mençur mund të bëjë ndonjë marrëzi. Por, edhe ndonjë” i çmendur” mund të bëjë ndonjë çudi apo mrekulli!”Ne shqiptarëve, na daltë kjo e fundit!