Vangjush Saro: Beqja, zgjedhje e gabuar apo një provokim?

247
Sigal

 

 

Jo më larg se dje, ka ndodhur një skandal që tash e kanë mësuar të gjithë qytetarët shqiptarë. Kryediplomatja Amerikane në Shqipëri, është ngritur nga paneli dhe i ka ikur një mbledhjeje të rëndësishme në çastin që po merrte fjalën i sapoemëruari për “menaxhimin e donacioneve të huaja”, z. Ilir Beqja. Duket sheshit se ka një këmbëngulje për të bërë mjegull herë pas here, njëlloj vazhdimësie në çdo gjest, në çdo serial, në çdo… përgjegjësi.

Kryediplomatja Amerikane në Shqipëri, është ngritur nga paneli dhe i ka ikur një mbledhjeje të rëndësishme në çastin që po merrte fjalën i sapoemëruari për “menaxhimin e donacioneve të huaja”, z. Ilir Beqja

Ky shënim i thjeshtë synon në dy tema: E para, është fjala për Ilirin, pra për kuadro të PS-së që ikin e vijnë, që bëjnë sikur kritikohen, ka kërkesa që t’iu hiqet mandati i deputetit, i përgojon KLSH, kanë hetime të hapura në SPAK dhe… prapë aty i ke, në ‘tavë’; dhe e dyta, ka të bëjë me institucionin e ri… Shikoni, është ngritur një tjetër institucion, në mbështetje të Qeverisë dhe të Kryeministrit, domethënë (e kam vënë në dukje edhe në një tjetër shkrim) vazhdojmë me shpikje dhe me zgjerime të strukturave qeverisëse gjer në marrëzi… (“Qeveria është një shoqatë burrash që na dhunojnë ne të tjerëve.” L. Tolstoi)

 

Këtë here, institucioni i ri do të ‘qeverisë’ donacionet e huaja për Shqipërinë. Njëra nga mediat tona thotë se “do merret me menaxhimin e ndihmave për Shqipërinë nga donatorët.” (Në fakt, duhej shkruar “do të merret”, po ku kanë kohë edhe mediat të vetëndreqen.) Dhe, që të mos dalim nga tema, z. Kryeministër ka zgjedhur për këtë punë një nga bashkëpunëtorët e tij më të përfolur, por ndoshta një nga ndihmësit e tij më të besuar, z. Ilir Beqja. Ky, qofsha i gabuar, është një nga ata që thotë gjithnjë ‘Peqe!’ ose pak më gjatë: ‘Lepe? Peqe!’ dhe bën lojën e Kryeministrit; ndërkohë zotëria e tij, siç u tha (butë) edhe më lart, është akuzuar për një sërë shkelje qëkur ishte në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë. Por si thonë fjalës në atë vend ku fjala gëlltitet me një gotë verë, dhe kjo është për këdo: ku ishim ne? Asgjëkundi. (“Sekreti i pasurive të mëdha që nuk dihet se si u vunë, është mbuluar me krim, por ai është harruar, sepse është kryer pastër.”  H. De Balzak)

Ilirin, pra për kuadro të PS-së që ikin e vijnë, që bëjnë sikur kritikohen, ka kërkesa që t’iu hiqet mandati i deputetit, i përgojon KLSH, kanë hetime të hapura në SPAK dhe… prapë aty i ke, në ‘tavë’; dhe vazhdojnë me shpikje dhe me zgjerime të strukturave qeverisëse gjer në marrëzi…

 

Le të kthehemi te ‘institucioni i ri’ dhe te ‘përurimi’ i këtij institucioni. Aktiviteti është cilësuar si ‘Takimi konsultativ i Ministrisë së Brendshme me donatorët’. Mirëpo, ja edhe kryelajmi: Ambasadorja e SHBA-ve, e nderuara Yuri Kim, na qenka larguar nga salla “pak sekonda pasi Beqja ka nisur fjalimin e tij”. Dhe më tej, marrim vesh gjithashtu që ajo është ndjekur “nga vështrimet e ambasadorit të BE-së dhe disa përfaqësuesve në takim”. Pra, z. Beqja do të mbante atje një fjalim. (Ai sapo ishte prezantuar dhe uruar në detyrën e re nga Ministri i Brendshëm, z. Çuçi.) Por ç’fjalim mund të mbajë ky njeri? Çfarë do t’u kumtojë shqiptarëve, që ai do ta kryejë këtë detyrë me nder dhe përkushtim? Që qeveria e tij, Kryeministri i tij, kanë korrur e do të korrin fitore të mëdha me këto donacione dhe që ata do t’ua gjejnë vendin mirë të gjitha parave…

Ndër komentet e tjera të ditës, është thënë sakaq se aleatja e çmuar është ndjerë “e futur në kurth”, që do të thotë se ajo dhe SHBA-të po lodhen së koti me këto institucionet e larta, si SPAK e BKH dhe me termat e rënda si antikorrupsioni ! Mund të sillet biseda në disa versione. Por është e qartë se përmes qasjes në këtë post të z. Beqja, Kryeministri ka tentuar të mbrojë veten dhe të vetët, ka shpresuar të ‘shpëlajë’ veten dhe të vetët… nga çdo kapje e mundshme, nga Drejtësia apo aleatët.

Sapo që shoh se për çfarë është fjala, edhe pse jam larg, edhe pse jo në fushën time, më shkon mendja menjëherë te një sërë emra të spikatur të ekonomisë: Arben Malaj, Selami Xhepa, Koço Broka, Selim Belortaja, Adrian Civici, etj. (“E unë nuk di, nuk jam mësuar të bëj lajka, s’më ka qëlluar. Unë jam njeri i thjeshtë, pa zbukurime, nuk mundohem të dukem. Nuk jam intrigant, nuk veproj nën rrogoz, por hapur e pa mashtrime.” F. Dostojevski) Ku e kisha fjalën? E jo, neve na duhet z. Beqja. Dhe pse? Sepse me atë kemi ‘punuar’ edhe më parë dhe kemi trazuar tendera soj-soj; nga ana tjetër, duke e rikthyer atë në fushë, ne tatojmë edhe pulsin e partnerëve, ‘e hanë’ apo jo…

Pavarësisht nga çfarë (mesazhe a lojna) shkëmbyen z. Rama dhe Ambasadorja me këtë rast, kjo ishte një farsë fund e krye. Ne prej kohësh jemi në farsë; dhe unë nuk e di si dhe kur ulet perdja: për abuzuesit, për të paaftët, për bijtë e mediokritetit dhe, sidomos, për mbrojtësit e tyre. (“Koha e ligë është koha e mediokërve. Shfaqja e tyre bëhet shpejt, vërshuese, pushtuese dhe pastaj sunduese.” A. Shkreli) Por nga mediokriteti në demagogji e në krim, ne as vetë s’e kuptojmë sa poshtë e më poshtë kemi rënë…