E vërteta: Pse Toka nuk shkon tek i Zoti, por qëndron tek më i Zoti!

364
Sigal

E vërteta: Pse Toka nuk shkon tek i Zoti, por qëndron tek më i Zoti!

Av. Prof. As. Dr. Jorgo DHRAMI  

I nderuar Z. Kryeministër!

Banorët e mbi 20 fshatrave të zonës: Qafa e Llogarasë Vlorë – Qafa e Gjashtës Sarandë, duke qenë përfaqësues i tyre, të Shoqatës “Bregdeti”,  si Kryetar i saj, më autorizuan t’Ju drejtohem lidhur me problemin më madhor që preokupon  banorët e këtyre anëve: Që toka të shkojë tek i  Zoti dhe jo, të qëndrojë tek më i Zoti. Si kërkesa e banorëve të kësaj Krahine me histori të lavdishme, ashtu dhe të vlerave të mëdha të saj, që ka pasur dhe që ka edhe sot, duke u nbështetur në filozofinë popullore dhe mentalitetin e nevojshëm e të pranuar të shprehjeve për raste tipike, më porositën që: “T’i flasim derës, që të dëgjojë penxheria”. Shprehje lakonike kjo, por me një kuptim tepër të plotë cilësor. Kjo, nënkupton faktin dhe qëllimin ndërkohë, që  “penxheria” është Krytari i Parlamentit Shqiptar, vetë Parlamenti,  si dhe Ambasada Amerikane dhe Bashkimi Europian. Natyrisht, Ju jeni dyreku i kësaj “figure”  të thurur në dialektin popullor. Problemi i okupimit të tokave të ish-pronarëve të tyre të vërtetë, nuk është diçka e re, përkundrazi, ai kap një hapësirë kohore, gati prej tridhjetë vjetësh. Okupimi i këtyre tokave, ka si zanafillë, mashtrimin e përdorur nga Ramiz Alia, dhe thirrjes së tij n’atë kohë: “Të dorëzojmë pushtetin politik, por të mbajmë atë ekonomik”, e materializuar më tej kjo, nga dy krahët e pushtetit,  të majtë dhe të djathtë. Sa më tej kalon koha në rritjen dhe vazhdimësinë e këtij okupimi, e këtij krimi makabër, aq më shumë bëhet perfeksionimi i mashtrimit dhe mbulimit të së vërtetës nëpërmjet “mjeteve ligjore”,   të miratuara nga një parlament i politizuar. Paraja, apo prona pivate, veçanërisht kur ajo krijohet menjëherë dhe në rrugë kriminale, bëhet e  “pëlqyeshme”. Barsoleta “për fyerjen e djegies së mjekrës të prifit, ku fyu për t’i shpëtuar dënimit të tij nga dhespoti,  në qitapin e tij i vendosi në çdo faqe një sasi lekësh, dhespoti e  pyeti: “-Kështu vazhdon kjo deri në fund?”  -“Po, -iu përgjigj ai. Atëhere, i  tha  atij: -“Kjo ka djallosur jo vetëm mjekrën e priftit, por dhe të miat si dhespot”.  Kjo është e vërteta.  Kështu ka ndodhur dhe kështu po ndodh dhe sot, me Krahinën tonë të Himarës. Sado të lubrifikohet mashtrimi dhe mbulimi i së vërtetës, kjo përfaqëson uzurpimin dhe krimin më makabër që i është bërë dhe vazhdon t’u bëhet banorëve të Bregdetit!  Krijimi i kësaj pasurie përrallore, nga personat me pushtet si dhe  njerëzve po të tyre, dhe miqve e shokëve, i bëri shumë të pasur, ndërsa ish- pronarët, i ktheu në të varfër, për të mosthënë në “bujkrobër”  të tyre. Një fatkeqësi kjo, që nuk ka ndodhur edhe në kohët më ekstreme, për shkeljen e të drejtave reale të qytetarit! Po pse të ndodhë kështu?  Le ta analizojmë. Problemi në fjalë, sikundër u shpreha dhe më sipër, është jo i njohur,  por super i njohur. Pushteti i të dy krahëve, është bashkëautor  në uzurpimin e tokës së Bregdetit, duke i kthyer ato në dobi të tyre. Ajo nuk ka absolutisht asnjë farë interesi për kthimin e tokës së Bregdetit tek pronari i vërtetë, tek i Zoti. Pushteti për të ruajtur këtë  “statukuo”,  përdor forcën e ligjit  të sajuar e të miratuar prej saj.  Në këto kushte e rrethana, as që mund të bëhet fjalë për kthimin e tokës tek i  Zoti i  saj.   Por, atëhere kush duhet të përdorë  “levën e Arkimedit”,  për të ndryshuar këtë situatë në disfavor të tyre?  Këtu qëndron problemi. Organizmi ndërkombëtar, jo vetëm që e njeh problemin si në mënyrë të drejtpërdrejtë, ashtu dhe nga ankimimet e pareshtura dhe të pandërprera të banorëve të këtyre anëve. Nëse do të flasim hapur dhe pa dorashka, ata,  megjithëse  e kuptojnë që ndodhen para një padrejtësie unikale në Botë, heshtin. Heshtja nuk i nderon. Përkundrazi, prish dhe dëmton rëndë imazhin e tyre, ndërkohë që ky qëndrim i tillë, jo vetëm nuk i shërben garantimit të realizimit të drejtësisë, por përkundrazi, dobëson jo pak, besimin tek ata. Frazeologjitë e ndryshme që përdoren prej tyre, gjoja në ndihmë të ish- pronarëve të tokave, bëhen sa për fasadë!  Njerëzve sot, Demokracia, u ka hapur  sytë, si dhe i ka pajisur ata me mjetin përkatës, për ushtrimin e së drejtës së fjalës ndaj kujtdo organi apo, personi qoftë Ai. Jashtë kësaj të vërtete, nuk mund të përjashtojmë dhe Greqinë. Nëse do të bëjmë një ekspoze të shkurtër të historisë, do të konstatohet se, Himara dhe Himariotët, kur Greqisë dhe popullatës së saj i është kërcënuar një rrezik real  dhe i vërtetë nga të huajt, veçanërisht nga Otomanët, himariotët kanë përveshur mëngët duke ngjeshur armët që dispononin, për të marrë pjesë në luftë krah për krah vëllezërve të tyre. Sot, ndihma nuk kërkohet si më parë, por solidaritet dhe përkrahje demokratike aty ku ndihma ka vlerën më të madhe. Ajo është  në Bashkimin Europian, aty ku ne duam  të shkojmë. Shashkat që hedhin nga një herë, nuk mund të justifikojnë atë që do Himara. Kur ajo, realisht  është futur në varr, (në mënyrë figurative kjo), i ka mbetur akoma   kapaku pa u vendosur! Tolerimi, apo e thënë ndryshe kjo, të mbyllësh sytë para këtij makrabiteti të pashoq në botë, ku pushteti nëpërmjet gjoja ligjit të bërë vetë sipas interesave të tyre, jo vetëm shkallmon drejtësinë, por ajo edhe vetë minon ligjin themeltar të Kapitalizmit, se: toka i takon pronarit real e të vërtetë, si dhe ajo është e shenjtë dhe e paprekshme, pa shkaqe ligjore. Prandaj z. Kryeministër, problemin e shkuarjes së tokës tek i  Zoti, ndonëse fillimisht keni marrë përsipër abrogimin e ligjit kriminal 7501, bëtë të kundërtën, duke e betonizuar atë. Banorët e këtyre anëve, nuk e kanë pritur qëndrimin Tuaj në kundërshtim me premtimin e dhënë më parë, aq më tepër që historia thotë apo pranon faktin që, 50 përqind je nip i kësaj krahine, nga nëna. Besëprerja kudo është e padëshiruar por, aq më shumë për Himariotët. Të jesh i sigurtë se, Historia do të të ndëshkojë ! Gjynahun e nisën të tjerët, kurse Ju, i vutë vulën. Megjithatë, Himara është me Perëndinë, dhe kjo e fundit mund të vonojë, por  kurrë nuk harron. Perëndia përpara, ne Himariotët pas saj.