Shemsi Prençi: Askush nuk ka të drejtë paragjykojë UÇK-në

419
Sigal

Nga Shemsi Prençi

Vizita e kryeministrit Rama në Kosovë, pas njoftimit të akuzave nga Gjykata Speciale, në ngarkim të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, do mbetet padyshim më e pakuptimta në karrierën e tij politike. Së pari: Rama kryeministër, nuk e kishte bërë një veprim të tillë, kur Gjykata Speciale, ngriti akuza ndaj ish kryeministrit Haradinaj, edhe pse ai dha menjëherë dorëheqje dhe shprehu gadishmwërinë, për t’u përballur me Gjykatën Speciale, si ish – luftëtar i UÇK-së dhe si Ramush, e jo si pushtetar i lartë. Së dyti: Rama është në nivelet më të ulta, të “stofit” politik dhe të besimit si politikan dhe kryeministër i Shqipërisë, për të unifikuar politikën e Kosovës  të  “mbarsur” me konflikte e padrejtësi, madje dhe vetë Rama, mbart doza konfliktualiteti me disa nga udhëheqësit politikë të Kosovës. Së treti: Gjykata Speciale, nuk ka ngritur akuza për Thaçin president, apo Kadriun kryeparlamentar e kryetar i PDK-së, e as për vrasje në front si anëtar të UÇK-së, por për krime ndaj civilëve shqiptarë, romë e serbë. Askush nuk ka të drejtë të njollosë dhe paragjykojë UÇK-në dhe luftën e drejtë, për liri e pavarësi të Kosovës, sepse ajo ka marrë mbështetetjen e çdo shqiptari kudo që ndodhen në botë, duke dhënë kontribut me të gjitha mundësitë, e në këtë pikë Hashimi dhe Kadriu dhe çdo anëtar i UÇK-së, kanë mbështetje nga çdo shqiptar. Po kështu UÇK-ja dhe lufta e saj, ka marrë bekimin dhe mbështetjen e diplomacisë botërore dhe mbështetjen e fuqishme ushtarake të NATO-s, aq sa Ushtria e Serbisë, nuk mundi të ngrejë në ajër asnjë avion luftarak dhe kapitulloi pa kushte. Sot bëhet fjalë për persona që kanë abuzuar me luftën dhe misionin e UÇK-së, për interesa të pushtetit të pasluftës,  dhe në këtë drejtim duhet të jemi pro Gjykatës Speciale, sepse askush nuk ka të drejtë të abuzojë dhe të mbajë peng Kosovën dhe lirinë e saj në rrugën e integrimit, për interesa personale dhe bëmat antiligjore, qoftë dhe mes shqiptarëve dhe të shiten si “heronjtë e gjallë të luftës së UÇK-së”. Pikërisht, në lidhje me këto dy panorama kontradiktore të akuzave të Gjykatës Speciale, dhe mbrojtjes së politikës shqiptare, për akuzat ndaj Hashimit dhe Kadriut, shfaqen si dy personat më të palexuar dhe të painformuar këta që po “ngrohen”, pranë zjarrit të pa ndezur të oxhakut të të zotit të shtëpisë. Të shqetësuar për akuzat ndaj Hashimit e Kadriut, apo janë të mërzitur për “dimrin politik” që po troket nga konsumi që kanë marrë dhe pafuqia që tashmë kanë si faktor pa ndikim, qoftë dhe me pajtuar politikën shqiptare në ditë halli si kjo e akuzave nga Gjykata Speciale?!. Në fakt, akuzat e Gjykatës Speciale janë lajmëruar në kohën e duhur dhe kjo besoj do të shpëtojë jo vetem Grenell, i cili u nxitua dhe nuk e mendoi mirë caktimin e datës 27 qershor për bisedimet Kosovë- Serbi në Shtëpinë e Bardhë, por do të shpëtojë njëherë e mirë edhe Kosovën dhe lirinë e sajë, nga ngarkesat që i kanë dhënë persona të implikuar në krime kundra njerzëimit e ordinere dhe që fshihen pas UÇK-së dhe vlerave e misionit që ajo ka kryer më së miri deri në verën e vitit 1999. UÇK-ja, nuk ishte vetëm e Hashimit dhe Kadriut. Nuk ishte vetëm e Ramushit apo Isës, por nuk ishte fare e Ramës, i cili tani vonë ka filluar të artikulojë mrekullinë UÇK-së e cila i dhuroi Kosovës lirinë. Padyshim që UÇK-ja, më së shumti ishte e familjes Jashari, që u bë shembull unikal në botë, për qendresën heroike ndaj barbarisë serbe, por dhe për numrin e dëshmorëve nga një familje, të cilët duke filluar nga fëmijë, vajza, djem, gra e burra në 7 e 70, dhanë jetën heroikisht me kauzë në zemër e mendje dhe armë në dorë kundër makinerisë luftarake serbe, duke luftuar për lirinë e Kosovës. Hashimi dhe Kadriu dhe disa politikanë të tjerë të Kosovës, nuk e kanë moralin dhe guximin të shkojnë sot në kullat e bacës Shaban dhe të komandantëve Hamza e Adem Jashari, e një gjë të tillë nuk e bën dot, as Rama e Isa, s’e po të mundnin, duhet me patjetër aty të mblidheshin të gjithë politikanët shqiptarë, e të bashkoheshin për një kauzë të rëndësishme kombëtare, nëse vërtetë ka kauzë që duhet me të shqetësohemi…!Por me sa duket, nuk ka kauzë, por ka interesa të ngushta të personave dhe grupeve që kanë “mjelur” Kosovën dhe Shqipërinë, prandaj takimi Isa e Rama bëhet pranë oxhakut të Isës dhe jo pranë oxhakut të Bacës Shaban Jashari. Në këto kushte mjerane, ku është katandisur politika shqiptare këtej e andej kufirit imagjinar, takimi Isa e Rama pranë oxhakut, rrethuar me turra drush të thara, më shumë paralajmëron për një “dimër të ftohtë politik”, se sa unifikim të politikës për mbrojtje nga akuzat e Gjykatës Speciale. Por nuk besoj se ky “ dimër” do sjellë “pranverë” për shumë politikanë. Shqiptarët janë të bindur tashmë për politikën e mbrapshtë të dy protogonistëve pranë oxhakut të Isës, pasi në karrierwn politike kanë luajtur shumë pisët, duke kërkuar unitetin dhe kompromiset, jo për Kosovën e Shqipërinë, por vetem për interesat e rracës tyre, duke abuzuar me të mrekullueshmen UÇK dhe misionin e saj për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sot çdo shqiptar, kudo që ndodhet, është përkrah UÇK-së dhe vlerave të saj, në raport me misionin historik dhe luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por nuk mundet askush të lërë peng lirinë e Kosovës për pazaret e disa politikanëve kosovarë e shqiptarë, të cilët nuk kanë menduar për heronjtë dhe dëshmorët e lirisë së Kosovës, por për karrierën, pasurinë dhe rehatinë personale e familjare. Prandaj mendoj se dhe Kryeministri i Shqipërisë i ka dy mundësi reale për mbrojtje të të akuzuarve:

– Ose të ndërmjetësojë azil politik tek Erdogani për ata që i dhemb zemra dhe është gati të ofendojë, etiketojë dhe vdesë gjithë pjesën tjetër të Kosovës.

– Ose të garantojë paprekshmërinë e tyre në vilat luksoze që kanë siguruar në Shqipëri, duke abuzuar mbi gjakun e bashkëluftëtarëve të UÇK-së, për liri e pavarësi. Deri atëherë, le ta mendojë dhe pleqërojë pranë oxhakut, me plakun Isa, “e ta vendosë se çfarë kanë me ba”. Ndryshe, Gjykata Speciale, t’i merr nëpër duar dhe pastaj do të konsideroheni besprerë, që nuk garantoni mbrojtje të shokëve e miqve të idealeve dhe pazareve, kur ta kërkojnë një gjë të tillë. Ndajeni mendjen dhe bëjeni o “baballarët” e kombit, se mendoj e keni pjekur pranë oxhakut, në të kundërt “dimri shumë i ftohtë” po troket edhe për Ju, e kam frikw se nuk dilni në pranverë…!