Lavdosh Feruni: Afera korruptive me inceneratorët

708

Ka ndodhur që me të marrë pushtetin, në 2017-n ministri i sapo larguar i Mjedisit Lefter Koka dhe kryeministri i riardhur Edi Rama firmosën për ndërtimin e inceneratorit të Fierit dhe Tiranës, investime që kapin vlerën e më shumë se 160 milionë eurove. Duket sikur në këtë 4 vjeçar (ka kaluar 1 vit e gjysmë) Qeveria, falë dhe heshtjes së opozitës bashkë me heshtjen jo të çuditshme të medias, po ia del të kamuflojë gabimet e njëpasnjëshme e të shumanshme me këto vendimmarrje, që lehtësisht të çojnë në konkluzionin e një afere korruptive, nëse nuk është një naivitet kryeministror i ardhur nga një lobim i fuqishëm i grupeve të interesit të shitjes së inceneratorëve në bashkëpunim me ata të importit të plehrave.

Këta inceneratorë presupozohet se do punojnë për më shumë se 3 dekada. Konkretisht pas 30 viteve punë, sipas kontratës inceneratori i Tiranës, i kalon Bashkisë së Tiranës. Të përpiqemi të ndjekim trendin. Në studimet e fisibilitetit të inceneratorëve në Shqipëri rezulton se kapacitetet e tyre janë të barabartë me 100% të mbetjeve të gjeneruara të qarqeve respektive. Pyetja që secili mund ta bëjë është çfarë do djegë inceneratori? Mbetjet organike, që në Shqipëri përbëjnë 50% të mbetjeve urbane kanë fuqi kalorifike të ulët dhe nuk mund të digjen pa shtuar të tjera lëndë me fuqi kalorifike shumë më të lartë. Për më tepër biznesi privat gjithnjë e më shumë është i interesuar për ta kthyer këtë lëndë organike në pleh organik dhe biogas. Dhe kjo do ndodhë shpejt. Tjetër. Pritet që së shpejti në treg të vërshojnë aparatura shtëpiake që mbetjet ushqimore familjare të kthehen në pak ditë në pleh organik, që ka edhe vlerë tregtare të padiskutueshme.

NOA

Lënda tjetër që mund të digjet është plastika. Sot, po i mëshohet fort ndalimit të përdorimit të plastikës në shkallë globale. P.sh., parlamenti Evropian ka vendosur ndalimin e plastikave një përdorimëshe (pjata, lugë pirunë, pipa etj.) Shumë vende kanë vendosur ndalimin e çantave plastike në një gamë të gjerë dhe shumë vende të tjera kanë vendosur afate, duke filluar qysh në vitin 2020 për ndalim të përdorimit të tyre. Një ndalim i pjesshëm ndodhi edhe në Shqipëri vitin e kaluar e me siguri do ketë iniciativa të tjera në vijim, më të shumta. Po kërkohet e do të ndodhë zëvendësimi masivisht i shisheve plastike me shishe qelqi. Natyrisht gama e riciklimit të plastikës dhe sasia e riciklimit rritet në vazhdimësi. A ka kuptim që çmimi i plastikës për tu ricikluar në treg është 300 euro për ton dhe taksapaguesi të paguajë 29 euro për ton për ta djegur atë? Letra është material shumë i kërkuar për riciklim. Kur çmimi i kartonit për riciklim në treg është 100 euro për ton, sot, dhe që pa dyshim do rritet edhe më në vitet e ardhshme. Përsëri, a ka kuptim të paguajmë 29 euro për ton për ta djegur atë? Po e njëjta gjë për mbetjet e drurit, leckave etj, materiale që mund të riciklohen.

Shkencëtarët llogarisin që 90% e mbetjeve janë të riciklueshme. A mundet Qeveria të argumentojë se si do punojnë incineratorët e Fierit e Tiranës, pas 6 vitesh? Është një mundësi e vetme. Inceneratorët të vihen në funksion të importit të plehrave. Kjo do ta bënte përfundimisht Shqipërinë një vend super të ndotur, që do shkatërronte jetesën e popullsisë masivisht dhe do ta fshinte Shqipërinë nga harta e turizmit. Populli Shqiptar është shprehur për këtë çështje dhe ka kërkuar referendum, që është aprovuar nga Gjykata Kushtetuese dhe nga Presidenti i Republikës. Asnjë ligj nuk mund të aprovohet jashtë një votimi nominal të sovranit për import mbetjesh.

Cila është rrugëzgjidhja? Vetëm një. Anulimi i menjëhershëm i kontratave aktuale dhe dhënia hapësirë e mbështetje ricikluesve krahas masave në rritje të parandalimit të gjenerimit të mbetjeve.