Banorët e Bregut të Lumit vijojnë protestën e tyre për të mbrojtur shtëpitë e tyre të cilat jënë paralajmëruar se do të shemben gjatë ditës së sotme.

Ata shprehen se do të këmbëngulin me të gjitha mundësitë mendore dhe fizike për të mbrojtur banesat e tyre.

“Do të këmbëngulim me të gjitha mundësitë tona mendore dhe fizike për të mbrojtur shtëpitë e tyre të cilat po shemben padrejtësisht. Vetëm me datën 11 janarë është marrë vendimi për përjashtimin e shtëpive tona nga procesi i legalizimit dhe për shembjen e tyre. Ne këmi dërguar disa ftesa në adresë të bashkisë dhe institucioneve të tjera kompetente, por asnjë përgjigje. Duam dëmshpërblm të plotë sikurse u është dhënë 204 banorëve të tjerë që janë prekur nga projekti i “Bulevardit të Ri,” – u shpreh njëri nga banorët.

Ai shtoi se deri më tani nuk janë paraqitur mjetet për shembjen e shtëpive por ata mund të vijnë në cdo moment edhe natën madje. “Por ne jemi të gatshëm për ti mbrojtur sepse tashmë ne kemi një luftë të hapur me qeverinë dhe bashkinë. Djegia e gomave është forma e fundit e protestës, do ti përshkallëzojmë ato. Na ka ardhur në majë të hundës, dhe shteti i është kundërvenë me forcë një populli të pambrojtur. Ne mbajmë në duar shkopinj sepse në jemi të sulmuar dhe duhet të mbrohemi”.