Sigal

Dy net më parë, kërkova me ngulm në internet një prononcim (shkrim) publik jo dosido, të botuar fiks 13 vite të shkuara. Mban për autor firmën e një përmetari të mirë që nuk e respektojnë vetëm në ato vise të bekuara, por edhe nëpër Shqipërinë tonë e jashtë saj. Ishte koha kur PS sapo kishte kaluar në opozitë. Nga brenda kësaj force politike të çmuar e që mua më dhemb shumë, gati nuk pipëtinte asgjë për shkaqet e vërteta të rrëzimit nga pushteti me votë e pa marifete trokë. Por befas një ditë u ndala dhe lexova reagimin e mësipërm në shtyp. Reagim e analizë serioze, pa furça, e matur dhe me gishtin tregues në plagë. Veç të tjerave, kujtoj se fliste edhe për hajdutët milionerë që abuzuan hapur me pushtetin e së majtës. Nuk ishte kurajë e vockël intelektuale. Aq më tepër që zëri dinjitoz vinte nga forumet e larta të socialistëve, zëra që më vonë mjerisht do të binin e mbyteshin në puse të thella e pa asnjë ngritje koke. Do të pushtoheshin çuditërisht nga koha e gëk-mëkut, jo shumë larg nga koha kur i suleshin Fatos Nanos së sapodalë nga qelitë e burgut politik të Bënçës ! O tempora, o mores!… Atë rrëfim e gjykim publik të çiltër, atë faqe gazete diku e kam ruajtur (kur ta gjej mund ta ribotoj të plotë ose pjesërisht) dhe jo rastësisht e aspak siç mund të bëjë ndonjë maniak arkivimi. Është thjesht një nga përzgjedhjet e mia personale e profesionale. Përzgjedhje që në një moment të caktuar e kaloj në “laboratorin” gazetaresk dhe nuk e hedh në kosh. Sigurisht, doni të dini autorin me emër e mbiemër ? Ai është Prof. Sherif Bundo nga Bënja e Dëshnicës së Përmetit tim të dashur. Emri i të cilit u lakua jo rrallë ditët e fundit, që nga Kryeministri dhe ndonjë këshilltar ulok e inatçor që ndërsen tinëzisht, vendos gurin ose topin me lecka të baltosura në duart e padronit (eprorit të pushtetshëm) dhe i thotë prerë: Bjeri t’i biem me fyerje e batuta tallëse, me ironi e guduli!… Dhe pastaj qahen se, përse heshtin pedagogët përballë kërkesave legjitime të studentëve që po shkundin nga themelet Polit(h)ikën e ndryshkur, vjedharake e krejt pa moral që po drobit e rraskapit Arsimin Shqiptar, këtë tempull përparimi kombëtar, në gati tre dekada Tranzicioni shkatërrimtar. Sherif Bundon ka kohë që nuk e kam takuar. Por mua dhe mjaft përmetarëve të urtë e të mençur, pse ta fshehim, na irritoi jo pak fjalori i papërgjegjshëm dhe larg humorit të vërtetë, që ra si breshër kryeministror mbi emrin e Profesorit të nderuar. Nuk dua ta besoj ende atë që dëgjova nga njerëz të njohur se “ kjo është edhe një hakmarrje e vjetër meskine e tepër cinike” dhe asnjë çikë parimore ndaj kritikave të hershme brenda oborrit të trazuar të PS-së. Për rastin konkret, nuk e besoj lepepeqërinë e ca kokrrave lëpirëse e fshirëse të mbetura nga e kaluara dhe që vegjetojnë nëpër postet e larta zyrtare të falura e aspak të merituara, madje deri përtej moshës së pensionit të majmë e të pangopur (?!). Janë “dhurata” ndaj blerjeve e shitjeve pas shpine të cilitdo që prek qoftë edhe një fije interesat e fëlliqura pasurore e karrieriste ogurzeza nëpër istikamet erërënda të pushtetit. Dhe as vetëm thjesht “shkelje në kallo”.

_”Studentët do të ulen në dialog pasi të jenë të organizuar dhe bashkë me ta të ulet edhe profesorati. Studentët janë të brishtë dhe qelibar. Nuk mund të braktisen. Unë jam krenar që studentët më ftuan të flas,-thotë pedagogu Bundo. Dhe ky është vërtet vlerësim i veçantë, pa ekuivoke e hamendje marroke, nga ajo vatra madhore ku po rri ndezur shpresa mbarëshqiptare, një shpresë e kulluar popullore sidomos pas arrogancës e prepotencës politike në vite, majtas e djathtas. Përndryshe, e thellon më tej qëndrimin tragjiko-komik e rakitik ndaj studentëve idealistë që meritojnë shumë vëmendje e kujdes nga çdo pushtet. Sepse kupa e pakënaqësisë reale dhe ajo e zhgënjimit, po derdhen! Kjo është e vërteta e hidhur. Dhe meqenëse në rastin konkret, kryeministri përmendi si shkarazi edhe gomarin (si kafshë pune të dobishme apo të padobishme?), në nahijen tonë e dinë përmendësh atë poezinë e bukur të poetit të madh devolli :”

Kështu e ka kjo botë e ligë, e marrë:

Përpara nxjerr gomarë…”.

Nuk është aspak fjala se mos bëhet bishti më i madh se sqepari. Ama, nuk thonë kot, peshku qelbet nga koka! Dhe asnjëri nuk ia mban kalin tjetrit… Jo shumë larg, por 2 vjet më parë, botova shkrimin “Rektorë e dekanë milionerë apo grazhde me “myteberë” ?”. Lexuesit e thjeshtë nisën të denonconin me emra e mbiemra disa faqezinj të neveritshëm në krye të Universitetit. Por asnjë institucion qeveritar nuk lëvizi fare nga vendi gjer më sot (!). Opinioni i gjerë publik pret përgjigje që nga ILDKP-ja e famshme e pasurive në sënduk që nuk kanë duk dhe gjer te Prokuroria e Përgjithshme. Dy vite ikën nëpër rrokullimën e politikës rrumpallë. Dhe harrohet me dashje pastrimi i vërtetë i shkallëve universitare, pastrim që kërkon Vetting të menjëhershëm nga sipër e jo nga poshtë ! Më thoni, cila shkallë në botë pastrohet mirë me fshesë nga poshtë?… Pikërisht këtë kërkoi 13 vite më parë edhe Sherif Bundo brenda PS-së. Po kush e dëgjoi vallë?! Ndaj metastazat sot janë shtrirë e përhapur rrufeshëm nëpër trupin e shtetit të telikosur.

Së pari, Profesori përmetar i Ekonomisë, nuk është një simpatizant i rëndomtë i partisë së mazhorancës legjislative. Mbi të gjitha, ai ka kontributet dhe vlerat e veta të patundshme përballë antivlerave që iu qepen si rrodhe drejtuesve me spaleta e grada të larta të pushtetit. Në vitin 2018, të marrësh guximin e të pagëzosh fët e fët si enverist etj. do të thotë se ke rënë kokë e këmbë në grackën djallëzore të së djathtës ekstreme. Aq më tepër kur është fjala për një intelektual që i është dhënë edhe një Diplomë Nderi nga kjo qeveri ! Ç’emër t’i vëmë kësaj torollepseje zyrtare e qytetare? Torollepsje që të çon edhe te cilësimi “enverist”. Dhe këshilltarët dinakë e të liq rreth tij, bëjnë sikur nuk e dinë që Sherif Bundo “enveristi” është përjashtuar në vitin e parë të studimeve të larta në fillimvitet ’80, thjesht “për problem biografie”. Por nuk u dogj përgjithmonë, falë dashamirësisë së një pedagogu trim e me reputacion që mori vetë përgjegjësinë dhe e mbajti si student. Mirëpo broçkullat e sotme nuk e kapërcejnë dot as gardhin e broçkullitjeve politike pa bukë…

Së dyti, vetëm “Drita e Diturisë, përpara do na shpjerë, përpara drejt Lirisë !”. Unë e kam njohur herët edhe fisin Bundo, atje rrëzë Qarrishtës, te Bënja e bukur. Thirrjen e Rilindësit të pavdekshëm frashërlli, ata e kishin në gjak e në sua. Dhe këtë Dritë Perëndie e shpërndanë jo vetëm në trevën dhembshuri shumë të Përmetit, por deri në Mallakastër e gjetkë. Dhe nuk janë pak. Qoftë edhe një shifër flet shumë. Për shembull, pa llogaritur vajzat e martuara në dyer të tjera, sot janë mbi 80 familje nga ky fis i nderuar, brenda e jashtë Shqipërisë. Vetëm Sherifi është autor i mbi 20 librave dhe i mjaft artikujve shkencorë në vend e në Evropë. Në fushën e Financës e të Kontabilitetit, tashmë është ekspert i nivelit të lartë e jo çapaçul i lyer me brilantinë. Por një komshiu im i vjetër, dje më citoi Prof. Neritan Ceka, që paska thënë dikur se “edhe me njerëz të liq mund të bëhen disa punë të mira”. Dhe ai burrë hokatar na e ktheu aty për aty: “Ore babam, po me njerëzit e mirë, çfarë bëjnë Polit(h)ikanët shqiptarë ?!…

Së fundi, Prof. Sherif Bundo foli para Studentëve Protestues kur të tjerë kyçën gojën! Me të njëjtin nerv qytetar e intelektual si 13 vite më parë. Ata “të tjerë” përballë tij nuk peshohen dot saktë as me okë e as me kilogram ! Dhe kujtojmë burrin e zgjuar e të lexuar, të paharruarin e batutave të mençura, Simo Tyton tonë në Përmet. Por edhe një rrëfenjë të shkurtër të tij për një malëshovit që jetonte e punonte si kasap në Tepelenë dhe mishin e shiste me kilogram, kur të tjerët e shisnin me okë njëlloj si ushqimet gjer nga fundi i viteve ’30. “I pari i qytetit organizoi një ditë një mbledhje dhe porositi tërë tregtarët t’i shisnin ushqimet me kilogram. Mirëpo kasapi nuk po e dëgjonte dhe Kryetari i thirri:

-Zotëri, të lutem, na dëgjo pak…

-Zoti Kryetar, le të dëgjojnë këta se unë gjithmonë mishin me kilogram e kam shitur,-iu përgjigj jo pa shpoti kasapi.

Përsiatje nga cikli “ Antiharresa”