Koha për zgjedhje të parakohshme…

376
Sigal

 Vangjush Saro

 

 

Nuk është ndonjë sakrilegj të kërkosh zgjedhje të parakohshme: kjo mund të ndodhë edhe në situata pothuaj normale e jo më në gjendjen që e shohim tani vendin. Pavarësisht se kush duhet ta formulojë sot kërkesën për zgjedhje të parakohshme -opozita, shoqëria civile, grupe qytetarësh të interesuar për ndryshim, etj., -një gjë e tillë është më se në kohë. Siç është shkruar edhe më parë, nga autori i këtyre radhëve apo kolegë të tjerë, duke u kapërcyer situata tejet e rëndë e pandemisë, që ka mbërthyer gjithë botën, duke vënë në vijë disa probleme të sistemit zgjedhor, duhet menduar seriozisht për zgjedhje të parakohshme. (“Mësojmë duke u zbrapsur…” -Emili Dikinson)

Edhe pse arsyet që të çojnë në një rrugëzgjidhje të tillë, në një perspektivë të tillë, janë të qarta për të gjithë, le të sjellim edhe njëherë në bisedë çfarë e shqetëson tashmë jo vetëm politikën, veças opozitën, por më së pari elektoratin e thjeshtë e, jo më pak, partnerët e Shqipërisë. Situata në vend sa vjen dhe rëndohet, kriza politike është e dukshme, ka kohë që paraqitet e tillë. Ngjarja më e fundit, që sërish tund këmbanat për zgjedhje të parakohshme, ishte shembja e Teatrit Kombëtar, çka sërish e futi vendin në një sherr edhe më të madh se më parë. Duke krijuar mundësi për zgjedhje të parakohshme, bashkohet me fletën e votimit edhe një qëndrim në lidhje me këtë ‘dramë’, por edhe çështje të tjera të mbetura pezull, që kanë të bëjnë reforma, me afera, me ndërtime të pakontrolluara, etj. Drejtuesit e sotëm, përmes një prove të re, mund të tregojnë sa vlejnë, cilat janë raportet e tyre me zgjedhësit, për çfarë nuk i kupton, nuk i fal dhe nuk i ndjek pas elektorati i gjerë, ose e kundërta.

Në një vështrim tjetër, të interesave institucionale, siç dihet, prej disa kohësh kemi një Kuvend fals, për të cilin nuk e vlen të flitet më shumë e më tej, një Kuvend që jo vetëm nuk të bind për asnjë çast e për asnjë sesion, por ka marrë tani përmasat e farsës. Atje dhe në medie, politikanët më aktivë, heraherës, janë shfaqur si qenie të përçudnuara, njerëz të paformuar, të paedukuar, me qasje e sjellje brutale, ekstremiste, sikur të ishin cuba e jo profesionistë të politikës dhe fjalës. Banaliteti (që vjen ngase këta njerëz, e të tjerë pranë tyre, e kanë mendjen vetëm për fitime dhe si t’ia hedhin qytetarit, por edhe njëri-tjetrit) e ka mbërthyer për gryke shoqërinë shqiptare. (“Problemet kryesore janë egoizmi, babëzia dhe apatia. Për t’i përballuar ato, na duhet një transformim shpirtëror dhe kulturor.” -Xhejms Gustav Speth)

Në vijim të argumenteve, mund të thuhet se qeveria dhe oligarkët e kohës, e të gjitha kohëve, janë krejt të shkëputur nga interesat e popullit, të votuesve, (duke mos përfshirë ndër ta një pjesë të militantëve që mbase diçka përfitojnë nga pushteti i radhës). Papunësia dhe problemet ekonomike vijnë duke u shtuar dita-ditës. Por një temë mjaft e diskutueshme janë të ashtuquajturat reforma, në fushë të të cilave oreksi ishte i paparë, por rezultati i parë, njëlloj fanfare, nuk shkuan dot gjer në fund asnjëherë. Kjo krizë e gjithanshme përfshin gjithashtu edhe dështimet në politikën e jashtme, raportin e paplotësuar me BE-në dhe kushtet e pambarim të  kësaj të fundit, që edhe për vete është në njëlloj krize, për të vënë pastaj në një rend të posaçëm “ëndrrat” e tjera të paplotësuara në lidhje me Kosovën, kakofonia në qasjen ndaj problemeve të saj, marrëdhëniet problematike dhe fragmentare me drejtues të atjeshëm, etj.

Që të shkojmë edhe më drejtpërsëdrejti në adresë të përgjegjësive dhe përgjegjësve të kësaj situate, le të themi se prej disa kohësh na mungojnë drejtuesit teknikë, teknokratë, njerëz të një fushe të caktuar (ekonomi, drejtësi, diplomaci, inxhinieri) por kemi për kryeministra ca politikanë të “forte”, autoritaristë, inatçinj, njëri prej të cilëve edhe z. Rama. (“Tepër e zorshme të fshehësh të metat e mbretërve.” -Gëte) Përveçse i paspecializuar në ndonjë fushë që do të përballte profesionalisht drejtimin e një vendi, ai gjendet në sherr e në përballje absurde, gjithnjë dhe me të gjithë, veças me mediet e kundërshtarët politikë. Një njeri tejet egoist dhe vanitoz, i vetmi për fjalë të bukura, por që sa vjen, grumbullon rreth vetes dhe klanit të tij më shumë pushtet. Ai nuk duhet të ushqehet më me bindjen se po i shkojnë mirë punët, ndoshta s’e duan as të vetët. Në takimin me Ambasadoren Amerikane, Kryeministri foli për djaj, por harroi të shtonte (këtë qytetarët e dinë shumë mirë) se Djajtë janë pas kullave…

Sidoqoftë, asnjëherë s’është vonë për t’u hequr nga marrëzia. Marrja e vendimit për zgjedhje të parakohshme, përveçse do të qetësonte situatën, do të lejonte përmbylljen e Pandemisë dhe të çdo fatkeqësie a rrëmuje tjetër në mënyrë natyrale. Por nga ana tjetër, kushedi, mbase ashtu siç duhet të ndodhë rëndom, forcat kryesore politike mund të zhvillojnë fushata parazgjedhore që ndoshta janë në dobi të tyre, për të kërkuar më shumë nga lidershipi, në mos për ta zëvendësuar atë. Më në fund, për vetë PS-në dhe komunitetin e majtë, që po dëgjojnë dita-ditës kaq shumë akuza e “mallkime”, ka ardhur koha të mendojnë në mënyrë pozitive për këto zgjedhje të parakohshme. Është momenti të kuptojnë nëse janë në një situatë të tillë që mund të riafirmohen, mund të vazhdojnë të drejtojnë vendin dhe t’i japin tonin jetës në trevat mbarëshqiptare apo duhet të tërhiqen dhe të pranojnë një garë të re, që do të sillte mundësi për një alternativë tjetër politike a së paku për disa ndryshime. Është bërë baltë…