Edhe njëherë për ndërkombëtarët e korruptuar

428
Sigal

Nga Fatos Lubonja

Kur kam rreshtuar për herë të parë shkaqet se pse ndërkombëtarët e mbështesin Reformën në Drejtësi, që dukshëm i shërbente kapjes së Drejtësisë nga Rama, në fund të rreshtit vendosa edhe idenë se një nga shkaqet mund të ishte korruptimi i tyre. Asokohe, jo vetëm shkruesit në shërbim të Ramës gati sa nuk më nxorën sytë – si mund të guxojë ky të thotë se ambasadori amerikan apo ambasadorja e BE-së mund të jetë të korruptuar!-, por thuajse askush nuk e mori seriozisht këtë argument. Në fakt, kaq i fortë ka mbetur besimi i shqiptarëve te pastërtia morale dhe qëllimet e mira të ndërkombëtarëve, saqë duket se është më mirë të mos hedhësh dyshime mbi ta – edhe sikur të kesh prova – sepse ka të vërteta që përderisa askush nuk i beson, më mirë të mos i thuash fare, se të kthehen kundër. Lidhur me thënien e së vërtetës në botën e gënjeshtrave e shtirjes, Çehovi ka një tregim të mrekullueshëm të titulluar “Salla Nr.6”. Sot po rimarr edhe njëherë guximin t’ua sjell shqiptarëve argumentin e korruptimit të euroburokratëve të BE-së. Jam i pajisur këtë herë edhe me rezultatet e një kërkimi të ”Transparency International”, të pasqyruara gjerë në numrin e dhjetorit të revistës italiane “Millenium” (Botim i së përditshmes ”Il Fatto quotidiano”), ku bien në sy titujt : “Juncker dhe sistemi që na grabit çdo vit 1000 miliardë”, “Euroburokratë që po vrasin Evropën”. Çfarë thuhet aty? Sipas investigimit të ”Transparency International”, 50% e ishkomisionerëve europianë që u larguan nga skena politike në zgjedhjet e vitit 2014 po punojnë tani për grupe ekonomike, që janë në konflikt interesi me detyrën që ata kanë pasur si komisionerë. Po të njëjtën gjë po bëjnë edhe 30% e 171 ish-parlamentarëve, të cilëve iu desh të gjejnë një punë pas këtyre zgjedhjeve. I njëjti fenomen përfshin edhe qindra ish-zyrtarë të BE-së, që – sipas Peter Gomez, kryeredaktori i “Millenium”- shpjegon se pse me kalimin e viteve besimi në vendimet e marra nga Europa ka pësuar rënie vertikale. Rasti më sensacional,- shkruan Sofje Basso në “Millenium”, është ai i José Manuel Barroso, paraardhësi i Jean Claude Juncker në krye të Komisionit. Ky njeri, vetëm 20 muaj pas përfundimit të mandatit të tij, pranoi të bëhej president (joekzekutiv) i filiales evropiane të Goldman Sachs dhe befas u pa në vitin 2017, në rolin e lobistit të kësaj banke në takim me nënkryetarin e Komisionit, Jyrki Katanen. Ishte një episod ky që, gjithë sipas revistës, e tërboi Kelly O’Reilli, Ombutsmenin Europian. Por kjo nuk është asgjë në krahasim me çfarë ka kombinuar Neelie Kroes, ish-komisionere për Konkurrencën dhe Agjendën Digjitale. Sot ajo është konsulente e “Banc of America”. Ndërkaq, Bahamas Leaks (rrjedhjet e informacionit nga Bahamaja) kanë zbuluar se Kroes ka pasur interesa të padeklaruara (në kundërshtim me rregullat) në një kompani energjetike të regjistruar në offshore. Edhe Jonathan Hill, ish-komisioner për Stabilitetin Financiar në ekzekutivin e Juncker-it ka ndryshuar zanatNga 33 lobistë të regjistruar në dhjetë kompanitë më të mëdha të prodhimit të armëve, një e treta rezulton se ka punuar më parë për një institucion të BE-së. Është e qartë se punësimi i tyre në këto kompani nënkupton shpërblimin për favoret që këta u kanë kryer kur kanë qenë në zyrat e BE-së, ose favoret që mund t’u kryejnë duke pasur lidhje me këto zyra. Këto korruptime “soft” vështirë se i kap ligji, por pyetja që shtrohet është nëse këto janë në përputhje me demokracinë dhe moralin e politikanit. Përgjigjen e ka dhënë prej vitesh politologu dhe sociologu amerikan Colin Crouch, i cili epokën që po kalon Perëndimi nën shenjën e neoliberizmit dhe globalizmit nuk e quan demokraci, por postdemokraci, që do të thotë se vendimmarrjet e politikanëve perëndimorë sot nuk merren në emër të interesave të popullit, por gjithnjë e më shumë në emër të interesave të lobeve të fuqishme ekonomiko-financiare. Që do të thotë se politikanët e zgjedhur nga populli nga shërbëtorë të interesit publik janë kthyer gjithnjë e më shumë në menaxherë interesash të këtyre lobeve. Rezultati është humbja e besimit të njerëzve tek establishmenti evropian, ku përfshihen si kastat që drejtojnë politikat nacionale, ashtu edhe përfaqësuesit e tyre në Komisionin Evropian, në BE e në Parlamentin Evropian. Gjykoj se pa marrë në konsideratë rezultatet e kërkimit të “Transparecy Internatioal” apo të “Aleanca për lobimin e transparencës”, nuk mund të shpjegojmë mbështetjen e paturpshme që euroburokratët e Brukselit dhe ndonjë ambasador si ai i SHBA-ve i kanë dhënë e japin qeverisë Rama, megjithëse kjo e ka çuar nivelin e korrupsionit dhe të bashkëpunimit me krimin në nivele të papara ndonjëherë në dy dekadat e fundit. Duke pasur parasysh këto rezultate dramatike, që flasin për papërgjegjshmërinë e euroburokratëve ndaj fateve të projektit europian dhe të gjithë atyre që shpresojnë në të, më duket gjithnjë e më e besueshme teza që narkoshteti shqiptar, për të marrë mbështetje dhe legjitimitetin e BE-së, vepron me euroburokratët si një kompani interesi që bën lobim pranë tyre.