Kreu i FLO-së në Drejtorinë e Policisë së Shtetit kalon vettingun. Dyshime për pasurinë dhe ngritjen në detyrë, ja çfarë konstatoi komisioni

312
Sigal

Drejtori i Forcave Lëvizëse Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Sokol Bizhga, e kaloi dje vetingun, duke u konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit.

Pavarësisht se Komisioni konstatoi probleme me pasurinë e tij, duket se justifikimi që vetë Bizhga dha, se i tillë ishte sistemi në atë kohë dhe se bëhej fjalë për kursime nga puna në ndërtim që kishte bërë në Itali, bindi KJV.

Sipas KJV, për apartamentin në Tiranë të blerë me kursime nga emigrimi në Itali me vlerë 2 milionë lekë nuk është deklaruar shtesa e kryer në deklaratën e vetingut.
Mospërputhje u konstatuan edhe për shitjen e një apartamenti në Vlorë, ku vlera e shitjes rezulton 2 milionë lekë, ndërsa në deklaratën noteriale 1.6 milionë lekë.

Për këtë mosrakordim, Sokol Bizhga u shpreh se shitja ishte kryer nga miqtë e tij, pasi nuk mund të paraqitej personalisht në Vlorë pas plagosjes gjatë ushtrimit të detyrës.

Subjekti i vlerësimit nuk justifikon dhe disa paga përgjatë viteve 1993 dhe 2002, për të cilat ai pretendon se ka pasur shpërblim, për shkak të plagosjes në krye të detyrës. Për kreun e Forcave Lëvizëse Operacionale, Komisioni vërejti probleme dhe për sa i përket gradave të arritura nga Bizhga gjatë viteve.

Komisioni kështu veçoi rastin e vitit 2014, kur ai u emërua zëvendësdrejtor, pa pasur gradët që parashikon ligji. Sokol Bizhga doli i pastër në kriterin e vlerësimit të figurës, ku nuk u konstatuan të dhëna për veprimtari kriminale, denoncime apo të dhëna për kontakte me botën e krimit.

“Nuk ka të dhëna për veprimtari kriminale, s’ka të dhëna për kontakte me botën e krimit, nuk ka denoncime”, u konstatua nga Komisioni. Ndërsa sa i përket kriterit të aftësive profesionale, veçohet vetëm fakti i gradës, që sipas Komisionin është përfituar jashtë radhe.

“Aftësi për përmbushjen e detyrave ka rreth 7 vite më gradën Drejtues i parë, ka nisur punën në vitin 90 dhe është shkëputur për 13 muaj më reformë, grada Kolonel është përfituar jashtë radhe, por në përputhje me ligjin”, u shpreh Komisioni.

Ditën e djeshme, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit vendosi se kreu i FLOsë, Sokol Bizhga konfirmohet në detyrë duke kaluar të tria kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.